Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e Sekretariatit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës pohojnë se janë në përfundim të finalizimit të strategjisë kombëtare të sigurisë. Por, janë përfaqësuesit e opozitës ata që kritikojnë Qeverinë për vonesa në hartimin e kësaj strategjie.


Përkundër incidenteve të kohëpaskohshme në veriun e vendit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se situata është e qetë, falë angazhimit të organeve të rendit.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës thuhet të ketë shtrirje në gjithë territorin, duke përfshirë dhe veriun e Mitrovicës. Përfaqësuesit e sekretariatit të këtij këshilli thonë se organi në fjalë vepron në bazë të rregulloreve dhe strategjisë së Qeverisë.

Jeton Arifi, drejtor i Departamentit për analiza të sigurisë në Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë, shpjegon:

“Sfidat e sigurisë lidhen kryesisht me veriun e vendit. Sipas strategjisë, e cila është duke u zbatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ato janë sfida të kalueshme dhe ne po dëshmojmë se ato po i përballojmë me sukses. Natyrisht që shtrirja është në terë vendin, pra brenda kufijve administrativë të Republikës së Kosovës”, tha Arifi.

Këshilli i Sigurisë është organi më i lartë i sigurisë, i cili drejtohet nga krerët më të lartë të vendit. Zoti Arifi pohon se Këshilli i Sigurisë ofron komente me shkrim për të gjitha projektligjet që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë.

“Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka rol këshillues në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë e Kosovës. Ai rekomandon politika dhe strategji për sigurinë. Gjithashtu, ofron informata dhe vlerësime të gjendjes së sigurisë në Kosovë, që t’i mundësojë Qeverisë së Republikës së Kosovës marrjen e vendimeve përkatëse lidhur me çështjet e sigurisë”.

“Këshilli i Sigurisë së Kosovës ofron komente me shkrim për të gjitha projektligjet që kanë të bëjnë me sektorin e sigurisë dhe institucionet e tij”,
tha Arifi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive opozitare kritikojnë Qeverinë për vonesa në hartimin e strategjisë kombëtare të sigurisë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se institucionet e vendit, sikurse edhe për disa çështje të tjera, edhe ndaj strategjisë kombëtarë të sigurisë, nuk kanë qasje serioze.

“Qeveria e Kosovës po vazhdon qasjen joserioze ndaj çështjeve me rëndësi vitale për funksionalitetin e shtetit dhe shoqërisë së Kosovës, tashmë rreth një vit e gjysmë pas pavarësisë. Një prej temave më të rëndësishme që përcjellin ndërtimin dhe funksionalizimin e shtetit është ajo e sigurisë kombëtare, e cila temë duhet të ketë trajtim prioritar në të gjitha aspektet”.

“Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, duke u hapur rrugë udhëheqësve të institucioneve për të ndërtuar këtë aspekt shtetëror. Por, Qeveria e Kosovës vazhdon injorimin e përcaktimeve ligjore”,
u shpreh Ramadani.

Sipas ligjit, Këshilli i Sigurisë është i obliguar që të mblidhet të paktën një herë në tre muaj, por deri më tash thuhet të jetë mbledhur vetëm dy herë. Takimi i tretë nuk është mbajtur dhe për zyrtarët e AAK-së është një gabim i madh strategjik.

“Sipas AAK-së, ky është një gabim tepër i madh strategjik dhe kështu pamundësohet formulimi i politikave të sigurisë së vendit. Duke pasur parasysh këto fakte, AAK-ja kërkon nga institucionet e Kosovës që të japin sqarime të shpejta se pse është bllokuar Këshilli i Sigurisë së Kosovës, pse nuk është mbledhur ai? Të mbledhin menjëherë Këshillin e Sigurisë së Kosovës”.

“Institucionet e vendit të kërkojnë nga Grupi për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të paraqesë draftin e kësaj strategjie. Nëse kjo nuk është përgatitur, atëherë Këshilli i Sigurisë duhet të kërkojë përgjegjësi nga të ngarkuarit me këtë çështje”,
tha Ramadani.

Por, zoti Jeton Arifi, nga sekretariati i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, shpreh bindjen se shumë shpejt do të përfundojë drafti i parë i strategjisë së sigurisë.

“Ne shpresojmë që deri në muajin tetor të kemi draftin e parë të kësaj strategjie. Kur ta kemi draftin e parë, atëherë nuk do të marrë kohë që ta kemi edhe strategjinë e përfunduar, pra të miratuar”, tha Arifi.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës është organi më i lartë i sigurisë në vend. Ai përbehet nga 8 anëtarë ekzekutivë, 9 anëtarë të tjerë këshillëdhënës dhe 2 anëtarë të tjerë vëzhgues. Këshillin e Sigurisë e kryeson kryeministri i Kosovës në kohë paqeje, kurse në gjendje të jashtëzakonshme e kryeson presidenti.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG