Ndërlidhjet

Gordon: Nuk duam përshkallëzim ushtarak


Fillip Gordon
Fillip Gordon

Fillip Gordon, ndihmës-sekretar i shtetit amerikan për Evropën dhe Evroazinë, në njëvjetorin e luftës midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, ka folur për tensionet midis këtyre dy vendeve dhe marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit.



RADIO EVROPA E LIRË

Sa të shqetësuar jeni për mundësinë e një konflikti të ri midis Rusisë dhe Gjeorgjisë? Ekspertë të shumtë, përfshirë edhe disa në Rusi, pohojnë se Moska e sheh luftën e vitit të kaluar si “çështje të papërfunduar” dhe, sipas tyre, do të donin t’i jepnin fund. A është ky një skenar realist?

FILLIP GORDON
Ne nuk duam të jemi të vetëkënaqur. Është një situatë shumë serioze. Ju keni forca të shumta ushtarake përreth dhe tensionet ndjehen në të dyja anët. Nuk kemi arsye të besojmë se lufta ka gjasë të rifillojë.

Dhe ne, padyshim, jemi duke bërë çmos ta parandalojmë këtë. Por, ne nuk e zhvlerësojmë seriozitetin e kësaj situate, prandaj edhe jemi afërsisht të angazhuar me të dyja palët për të trimëruar secilin që t’i mbajë gjërat qetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë, duke komentuar politikën e re midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, thonë se kjo do të jetë e vështirë për faktin se të dyja vendet kanë koncepte fundamentalisht të kundërta mbi politikën e jashtme. Si e shihni pikëpamjen aktuale të Rusisë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare?

FILLIP GORDON
Mendoj se këta komentues kanë të drejtë. Do të jetë e vështirë. Po të ishte e lehtë për të pasur raporte në harmoni midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, kjo gjë do të ndodhte kohë më parë. Ka dallime në interesa dhe pikëpamjet mbi botën. Dhe, ne kemi qenë të sinqertë në këtë drejtim.

Ideja e resetimit të politikës, megjithatë, ka të bëjë me faktin se ne kemi interesa të përbashkëta dhe të fuqishme.

Mendoj se nëse përqendrohemi në këto çështje dhe nëse bëjmë veprime pragmatike dhe konkrete në këtë drejtim, mbase kjo do të ndryshojë klimën e përgjithshme dhe do të përfundojmë duke pasur më shumë fusha të interesit të përbashkët, sepse, fundja, ne vërtetë duhet të kemi më shumë interesa të tilla se që kemi tani.

Pse duhet që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të garojnë në Lindjen e Mesme për shembull, kur është në interesin e të dyja vendeve që të parandalohet pasurimi nuklear, pastaj të merremi me ekstremizmin islamik për të pasur një Lindje të Mesme stabile dhe më të hapur.

Kemi shumë gjëra të përbashkëta në shumë pjesë të botës, se që kemi gjëra mbi të cilat dallojmë. Por, si rezultat i viteve dhe dekadave nga historia, ka shumë dyshime. Dhe, ne po përpiqemi të merremi me këtë çështje.

Nuk mendoj se është e drejtë të thuhet se shumë rusë sot ende i shohin marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin zero dhe ne na vjen keq nëse është kështu. Do të donim të arrinim përtej këtij niveli dhe këtë mund ta arrijmë nëpërmjet interesave tona të përbashkëta.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia vazhdon të tërheqë vërejtjen gjithashtu kundër ndihmës potenciale ushtarake për Gjeorgjinë. Zyrtarët rusë thonë se vendet e ndryshme duhet të përmbahen nga furnizimi i Gjeorgjisë me armatim mbrojtës dhe pajisje ushtarake. A do të pengohen Shtetet e Bashkuara në ndonjë formë dhe çfarë ndihme është duke u planifikuar për Gjeorgjinë?

FILLIP GORDON
Ne kemi thënë se Gjeorgjia ka të drejtë të vetëmbrohet dhe nuk duhet të ketë ndonjë embargo armësh për Gjeorgjinë.

Por, gjithashtu kemi thënë se përqendrimi ynë kryesor, në kuptimin e bashkëpunimit tonë mbi sigurinë me Gjeorgjinë, është në doktrinën mbi profesionalizimin e forcave të armatosura dhe trajnimin për misionin në Afganistan, që është interesi ynë i përbashkët. Ne nuk shohim ndonjë zgjidhje ushtarake. Ne duam të shmangim konfliktin.

Aktualisht, nuk jemi duke i shitur armatim Gjeorgjisë. Sa për vërejtjet e Rusisë mbi këtë çështje, vërtet nuk i takon Rusisë të vendosë nëse dhe si e mbron veten Gjeorgjia. Por, njëkohësisht, nuk duam të shohim ndonjë përshkallëzim ushtarak në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Në dëshminë tuaj para Kongresit amerikan, keni dhënë një vlerësim të detajuar për situatën e brendshme politike në Gjeorgji. Fakti që ju keni vënë në pah, është se është me rëndësi thelbësore që zgjedhjet e ardhshme në Gjeorgji të mbahen më 2013. Megjithatë, grupet opozitare po kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e Sakashvillit. A ishte dëshmia juaj përgjigje ndaj këtyre grupeve?

FILLIP GORDON
Jo, nuk kam bërë përpjekje të dërgoj ndonjë mesazh të qëllimshëm tek këto grupe, por vetëm kam nënvizuar se procedurat kushtetuese duhet të respektohen. Është e shëndetshme për Gjeorgjinë ta lë popullin e vet të vendosë.

Opozita dëshiron ta heqë qafe presidentin aktual. Dhe, kjo padyshim është e drejtë e tyre. Por, nëse në zgjedhje të lira dhe të ndershme populli merr një vendim të këtillë, atëherë ai duhet të jetë rezultati.

Prandaj, ka qenë vetëm një mesazh në mbështetje të demokracisë. Për të mundësuar funksionimin e demokracisë, është i domosdoshëm edhe sundimi i ligjit, liria e medias, të qenit të hapur dhe transparenca. Këto janë parimet, të cilat Shtetet e Bashkuara i mbështesin, por duke mos hyrë fare në zgjedhjen e individëve apo partive të caktuara politike.
XS
SM
MD
LG