Ndërlidhjet

(S’) ka marrëveshje për ndërtimin e Kroit të Vitakut


Kroi i Vitakut
Kroi i Vitakut

Përfaqësues të serbëve të veriut, kohët e fundit, po i referohen një marrëveshjeje, që, sipas tyre, është arritur në vitin 2000 dhe parasheh se ku mund të ndërtohen shtëpitë e shqiptarëve dhe ku ato të serbëve në lagjen Kroi i Vitakut. Por, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i hedhin poshtë deklaratat e tilla.

Disa nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të Mitrovicës së fundi po i referohen një marrëveshjeje të vitit 2000, sipas së cilës, thonë ata, është saktësuar se ku mund të ndërtohen shtëpitë e shqiptarëve dhe ku ato të serbëve në lagjen Kroi i Vitakut.

Por, zyrtarë të Komunës së Mitrovicës mohojnë të ketë pasur ndonjëherë një marrëveshje të tillë. Kryetari Bajram Rexhepi i hedh poshtë deklaratat e serbëve që i referohen atij dokumenti, që, sipas tij, nuk ka ekzistuar kurrë.

“S’ka kurrfarë marrëveshjeje. Ajo vijë ka qenë një vijë virtuale e KFOR- it, që e ka vendosur si kordon. Kurrë nuk ka pasur vijë, as vijë të kuqe, as të bardhë. As nuk është nënshkruar dhe as nuk është arritur asnjëherë asnjë marrëveshje”, tha Rexhepi.

Përfaqësuesit e serbëve pohojnë të ketë ardhur deri te tensionimi i situatës në lagjen Kroi i Vitakut pikërisht për shkak të, siç thonë, shkeljes së vijës së kuqe, e cila, sipas tyre, përcakton vendin se deri ku mund të ndërtojnë shqiptarët dhe deri ku serbët.

Serbët mund të flasin atë që u konvenon, thotë Bajram Rexhepi, i cili atë kohë ishte pjesë e strukturave udhëheqëse komunale të Mitrovicës. Sipas tij, për ndërtimin e shtëpive të banorëve në lagjen Kroi i Vitakut, si dhe në lagje të tjera, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëveshje me askënd.

“Nuk ka kufij, shtëpitë mund të ndërtohen çdo kund. Për shkaqe të sigurisë, menjëherë nuk shkohet aty ku është ambient i përzier, derisa të krijohen kushte më të mira, por marrëveshje nuk ka e as vijë ndarëse. Serbët çka thonë - ajo atyre u konvenon. Ata mundohen të barrikadojnë, të izolojnë vetveten - ajo është interes i tyre”, u shpreh Rexhepi.

Pohimet e serbëve për ekzistimin e një marrëveshjeje rreth ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve dhe serbëve në veri, hidhen poshtë edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se serbët bëjnë deklarata të tilla vetëm për t’i arsyetuar, siç shprehet, pengesat e veta që po i shkaktojnë në atë pjesë të vendit.

“Kjo është e qëllimshme për t’i justifikuar pengesat që i bëjnë serbët në veri dhe duke qenë të instrumentalizuar prej Beogradit, bëjnë veprime të tilla, përndryshe nuk kanë pasur të drejtë të nënshkruajnë marrëveshje, të cilat cenojnë territorin e Kosovës, qoftë pronën, e cila duhet të jetë e definuar”, tha Isufi.

Sidoqoftë, sipas analistëve, mund të ketë pasur ndonjë marrëveshje gojore, e cila, siç thonë, është arritur sa për të qetësuar situatën. Por, pohojnë ata, një marrëveshje e tillë nuk paraqet detyrim ligjor që të zbatohet.
XS
SM
MD
LG