Ndërlidhjet

Nuk ka ndonjë masë të rekomanduar nga Organizata e Botërore e Shëndetësisë për virusin A-H1N1, që autoritetet kosovare nuk e kanë ndërmarrë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ata po ashtu theksojnë se nuk ka nevojë për panik.


Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri më tani në Kosovë janë regjistruar 6 raste të gripit të derrave. Këta pacientë janë trajtuar dhe thuhet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Ndërkaq, institucionet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë e të kujdesshëm dhe i sigurojnë ata se, pavarësisht regjistrimit të rasteve të reja të dyshimta dhe të konfirmuara me virusin A-H1N1, gjendja është nën kontroll.

Drejtori i Zyrës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, pohon se pas konfirmimit të gripit të derrave në Kosovë, janë marrë të gjitha masat që janë në përputhje me nivelin e gjashtë të pandemisë së gripit të derrave.

“Shqetësimet mbesin çdoherë. Qytetarët vazhdimisht kanë të drejtë të kritikojnë, mirëpo Ministria e Shëndetësisë po implementon të gjitha ato masa, të cilat i ka rekomanduar OBSH-ja. Është një kontroll, nuk është ndonjë kontroll strikt, sepse nuk lejohet të bëhet kufizimi i qarkullimit të njerëzve”.

“Ka ekipe të inspektorëve dhe mjekëve, që inspektojnë kohë pas kohe. Mirëpo, nuk ka nevojë të ketë kontroll për secilin udhëtar që hyn”,
thotë Hoti.

Zoti Hoti po ashtu thekson se nuk ka nevojë për panik, pasi që Qeveria e Kosovës, sipas tij, ka siguruar doza të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu.

“Për momentin, Kosova disponon sasi të mjaftueshme të medikamentit të Tamiflusë. Kosova është e pajisur më mirë se vendet e rajonit me medikamentet përkatëse dhe në përputhje me zhvillimet që do të ndodhin, do të bëhen edhe porosi tjera, nëse do të ketë nevojë”, thekson Hoti.

Autoritetet kosovare thonë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në të gjitha vendkalimet kufitare dhe në Aeroportin e Prishtinës për evidentimin e rasteve të gripit të derrit.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës vazhdimisht është duke qëndruar një ekip mjekësor i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i aeroportit me pajisjet adekuate.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, tregon për masat e marra në vendkalimet kufitare që nga regjistrimi i parë i gripit të derrave në Kosovë.

“Në të gjitha vendkalimet kufitare, policia ka marrë masa shtesë. Po ashtu është përgatitur një urdhër operativ, i cili u është dhënë zyrtarëve policorë në të gjitha vendkalimet kufitare, që ka të bëjë me veprimet parandaluese ndaj virusit H1N1”, deklaron Beka.

Strukturat përgjegjëse për monitorim dhe përpjekje për parandalim të influencës A gjithashtu apelojnë tek qytetarët që të mos vizitojnë spitalet, përveçse në rastet kur ata janë të sëmurë personalisht.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që vijnë nga diaspora, që me rastin e kalimit nëpër vendkalimet kufitare, të lajmërohen te zyrtarët gjegjës nëse kanë ndonjë simptomë që është cekur në udhëzues”, thotë Beka.

Rasti i parë i këtij virusi në Kosovë është paraqitur në fund të muajit të kaluar, tek një fëmijë 9 vjeçar, i cili kishte ardhur për pushime nga Londra. Autoritetet shëndetësore në Kosovë, ndërkaq, parashikojnë që në vjeshtë mund të rritet numri i personave të prekur
me virusin A-H1N1.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG