Ndërlidhjet

logo-print

Çeçeni: Vriten aktivistë për të drejtat e njeriut

  • RFE /RL

Në Çeçeni janë shpeshtuar vrasjet e veprimtarëve për të drejtat e njeriut. Deri sot, asnjë rast nuk është zgjidhur, ndërsa aktivistët e fajësojnë regjimin pro-rus.


Shumë punonjës për të drejtat e njeriut janë vrarë në Çeçeni. Zarema Sadulajeva, kryetare e një organizate humanitare për viktimat e luftërave çeçene, u gjet e vrarë bashkë me të shoqin Alik Xhabrailov.

Vrasja e tyre ndodhi pak javë pas vdekjes së një aktivisteje tjetër për të drejtat e njeriut, Natalia Estemirova, e cila u vra në Çeçeni.

Policia ka gjetur trupat e Zarema Sadulajevas dhe bashkëshortit të saj, Alik Xhabrailov, në bagazhin e një makine në periferi të kryeqytetit Çeçen, Grozni.
Të dy ishin qëlluar për vdekje pasi ishin kidnapuar nga zyrat e tyre në Grozni.

Sadulajeva udhëhiqte një organizatë joqeveritare, e cila ofronte ndihma mjekësore dhe psikologjike për viktimat e luftës në Çeçeni. Në kuadër të kësaj, ajo i ndihmonte fëmijët, të cilët kanë humbur gjymtyrët e trupit gjatë luftës me Rusinë.

Burri i saj, Xhabrailov, e ndante punën me të. Ata ishin martuar vonë, pasi ai kishte qenë i burgosur për katër vjet nën akuza për lidhje me grupet e armatosura separatiste çeçene.

Përfaqësuesit e të drejtave të njeriut thonë se ata nuk kanë qenë politikisht aktivë.

“Nuk ka pasur elemente politike në punën e tyre”, thotë Ludmila Aleksejeva, nga grupi për të drejtat e njeriut në Moskë.

Vrasja vjen një muaj pas vrasjes së aktivistes së njohur çeçene për të drejtat e njeriut Natalia Estemirova, në rrethana të njëjta.

Në të dyja rastet viktimat ishin rrëmbyer nga persona të panjohur, ishin futur në makinë dhe më pas ishin qëlluar për vdekje.

Vrasjet e fundit e theksojnë klimën e frikës që mbretëron në Çeçeni, ku në pushtet është një qeveri që mbështetet nga Kremlini.

Aleksandër Çerkasov, anëtari kryesues i organizatës për të drejtat e njeriut “Memorial”, gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë, gjendjen e shpjegon në këtë mënyrë:

Zarema Sadulajeva
“Duke komentuar rrëmbimin, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme në Çeçeni thanë se në bazë të informacioneve të tyre, Sadulajeva dhe Xhabrailov shkuan në makinë vullnetarisht. Më pas, pesë njerëz të armatosur kanë ardhur pas tyre”,
thotë Çerkasov.

Sipas tij, rrëmbimi dhe vrasjet janë bërë model i zakonshëm viteve të fundit në Çeçeni.

“Mijëra njerëz, duke përfshirë edhe njerëz të pafajshëm, janë vrarë në këtë mënyrë gjatë gjithë viteve të luftës së dytë në Çeçeni”, tha Çerkasov.

Grupi Memorial i ka ndërprerë aktivitetet e tij pas vrasjes së Natalia Estemirovës, e cila ishte udhëheqëse e këtij grupi.

Aktivistët për të drejtat e njeriut e fajësojnë presidentin çeçen, Ramazan Kadirov, se po kontribuon në mbizotërimin e frikës në këtë republikë.

Shumë çeçenë, të cilët kishin qenë në mërgim në vendet e huaja, ishin vrarë; disa prej tyre janë qëlluar në Moskë dhe raste të tjera në Çeçeni. Asnjë nga këto raste nuk është zgjidhur.

Pas vrasjes së Estemirovës, kryetari i grupit Memorial, Oleg Orolov, e akuzoi presidenti çeçen, Kadirov, se është përgjegjës, pavarësisht se kush e urdhëroi vrasjen. Kadirov i ka mohuar të gjitha këto akuza.

Estemirova e kishte akuzuar publikisht Kadirovin se është duke abuzuar të drejtat e njeriut në Çeçeni.

Dy aktivistët e vrarë, Sadulajeva dhe Xhabrailov, nuk u shpreheshin publikisht si Estemirova. Ashtu si shumica e njerëzve që punojnë në poste publike, ata nuk rrezikuan të flasin asnjëherë për çështjet publike pavarësisht mendimeve private.

Por, kjo, si duket, nuk u ka garantuar atyre imunitet në një vend, ku njerëzit rrëmbehen në mes të ditës nga persona të armatosur dhe të pamaskuar, të cilëve nuk u është zbuluar asnjëherë identiteti.
XS
SM
MD
LG