Ndërlidhjet

Ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë ka nxitur reagime të ndryshme në mesin e analistëve në Prishtinë. Disa e shohin të parealizueshme në terren, të tjerë thonë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë duhet të nisin bisedime.


Ideja e fundit për “shkëmbim territoresh” mes Kosovës dhe Serbisë ka nxitur reagime të ndryshme në mesin e analistëve politikë kosovarë, përderisa ekspertët e së drejtës e quajnë të papranueshme.

Është analisti Driton Lajçi ai që shpreh bindjen se kjo ide nuk qëndron. Si e tillë, thotë ai, nuk do të gjejë zbatim në terren dhe do të ngelë vetëm si ide.
Kjo si ide nuk mund të gjejë mbështetje te askush, madje as nga Serbia e as nga vetë Qeveria e Kosovës...

“Kjo si ide është e papranueshme për të gjitha palët, përfshirë edhe fuqitë e mëdha politike, ekonomike, ushtarake, përfshirë edhe ata që kanë përkrahur projektin e Kosovës së pavarur. Kjo si ide nuk mund të gjejë mbështetje te askush, madje as nga Serbia e as nga vetë Qeveria e Kosovës. Është një ide interesante, por nuk mund të gjejë zbatim në terren”, thotë Lajçi.

Nga ana tjetër, si në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, ashtu dhe në atë të çështjeve humane, kjo ide është jo e drejtë, vlerësojnë ekspertët juridikë.

Ismet Salihu, profesor në Universitetin e Prishtinës, nuk sheh ndonjë arsye që kjo ide të jetë e pranueshme, për faktin se, siç thotë ai, edhe veriu i Kosovës, edhe Lugina e Preshevës janë territore të popullit shqiptar.

“Kjo ide është e papranueshme, pasi që gjithnjë e më shumë kufijtë e shteteve po zbehen, po margjinalizohen. Kështu që në këtë aspekt nuk do të ishte mirë”.

“Së dyti, kjo ide është e papranueshme për faktin se pjesa veriore e Kosovës është e Kosovës, e këtij populli. Po ashtu edhe Presheva, Bujanoci etj. janë popullatë shqiptare autoktone; edhe ai është territor i asaj popullate, do të thotë i shqiptarëve, kështu që është e papranueshme kjo ide”,
shprehet Salihu.

Por, politikologu Ramush Tahiri ka një mendim krejt ndryshe. Ai e sheh të ligjshme idenë e shkëmbimit të territoreve, meqenëse gjendja ekzistuese në terren që 10 vjet me radhë, sipas tij, nuk po prodhon stabilitet. Rrjedhimisht, shton ai, ajo duhet të merret parasysh si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia.
Unë konsideroj se duhet të flitet për përkufizim të vijës kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës. Kjo do të nënkuptonte marrëveshje të Kosovës dhe Serbisë si shtete dhe do të nënkuptonte përcaktimin e drejtë të vijës kufitare...

“Unë konsideroj se duhet të flitet për përkufizim të vijës kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës. Kjo do të nënkuptonte marrëveshje të Kosovës dhe Serbisë si shtete dhe do të nënkuptonte përcaktimin e drejtë të vijës kufitare”.

“Kosova është shtet i pavarur, gjithashtu edhe Serbia, dhe si dy shtete sovrane mund të hyjnë në bisedime që të ndërrojnë kufijtë me marrëveshje. Kufijtë me dhunë nuk lejohet të ndërrohen, ndërsa me marrëveshje, unë konsideroj se është një zgjidhje afatgjate si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën”,
thotë Tahiri.

Ndërkaq, eksperti juridik, Ismet Salihu, konsideron se mbrojtja e veriut të vendit bëhet me shtrirjen e rendit dhe ligjit atje, e jo me, siç thotë ai, këmbimin e kësaj pjese me Luginën e Preshevës.
Mbrojta e veriut të Kosovës nuk do të bëhej me këtë idenë e shkëmbimit të territoreve...

“Mbrojta e veriut të Kosovës nuk do të bëhej me këtë idenë e shkëmbimit të territoreve. Mbrojtja e veriut të Kosovës mund të bëhet me shtrirjen e pushtetit në tërë territorin e Kosovës dhe me integrimin e asaj popullate serbe në sistemin juridik dhe në institucionet e Kosovës”,
deklaron Salihu.

Nëse institucionet e Kosovës e hedhin poshtë idenë e shkëmbimit të territoreve, ato duhet të kenë një alternativë për përmirësimin e gjendjes, thotë Ramush Tahiri.

“Udhëheqja e Kosovës nuk ka alternativë për administrimin e veriut, nuk ka alternativë edhe për integrimin e enklavave. Faktikisht, Kosova nuk e kontrollon 25 % të territorit të vet. Nëse nuk mund ta kontrollojë kundër dëshirës së serbëve, atëherë duhet të bisedohet me Beogradin që të gjendet zgjidhje”, thotë Tahiri.

Por, analisti Driton Lajçi konsideron se çështja e shqiptarëve për territore asnjëherë nuk mund të parcializohet.

“Çështja e shqiptarëve nuk mund të parcializohet vetëm te shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse shqiptarë ka edhe në Mal të Zi; shqiptarë sidomos ka 30 % në territorin e Maqedonisë. Nuk besoj që liderët e Kosovës sot apo dikush nesër mund ta parcializojë, se interesi i shqiptarëve të Ballkanit është te shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe aty t’i vihet pikë kësaj pune”,
shprehet Lajçi.

Përderisa zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se shkëmbimi i territoreve dhe ndryshimi i kufijve nuk është opsion, ata nga Lugina e Preshevës e kanë parë me simpati idenë e tillë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG