Ndërlidhjet

logo-print

Ende nuk është e qartë nëse është tërhequr nga procesi tenderues për projektin “Kosova e Re” konsorciumi gjermano-amerikan EnBW/ WGI. Përderisa zyrtarë qeveritarë thonë se s’ka ndonjë njoftim zyrtar, ekspertët e konsiderojnë shqetësues veprimin e kësaj kompanie.


Me gjithë faktin se konsorciumi gjermano-amerikan EnBW/ WGI nuk ka dërguar asnjë njoftim zyrtar në Qeverinë e Kosovës për tërheqje nga procesi tenderues për projektin e termocentralit “Kosova e Re”, ekspertë të ekonomisë pohojnë se largimi i këtij konsorciumi është mjaft shqetësues dhe, siç thonë ata, paraqet sinjal alarmues për largimin e investitorëve potencialë.

Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se zyrtarë të këtij konsorciumi ende nuk kanë deklaruar publikisht tërheqjen nga konkurrenca.

”Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë kurrfarë njoftimi zyrtar nga kompania që përmendët dhe normalisht që ne nuk mund të komentojmë pa pasur një njoftim zyrtar për atë çka është thënë këto ditë në media, por jo edhe përmes kanaleve zyrtare”, shprehet Krasniqi.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë dhe të energjetikës, tërheqjen nga procesi tenderues të kompanisë EnBW/ WGI e konsiderojnë mjaft shqetësuese dhe, siç thonë, mundësi për dështim të projektit.

Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur është përgatitur projekti, pohon se tërheqja e konsorciumit është goditje e fuqishme për politikën dhe ekonominë kosovare.

“Është, të them, mbytje e projektit. Ndoshta nuk është vdekje, por e ka lënduar për së rëndi projektin. E ka lënduar ofertën më të mirë për Kosovën dhe e ka lënduar po ashtu imazhin e Kosovës për investimet e jashtme”.

“Tërheqja e njërës nga kompanitë më prestigjioze tani amerikane, nuk është vetëm pse ne po humbim një ofertues, por më vete po bart edhe një seri pasojash të mëdha për ekonominë, për politikën“,
thotë Çeku.

Edhe Safet Gërxhaliu, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës, konsideron se largimi i këtij konsorciumi e vë në dyshim zbatimin e këtij projekti. Sipas tij, një gjë e tillë ka rrezik të lërë pasoja edhe në fusha tjera të investimeve në Kosovë.

“Me siguri që është një ndër informatat më shqetësuese, një informatë, e cila një projekt të tillë madhor, të promovuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, e bën në hezitim të implementimit. Mirëpo, edhe kjo është një dëshmi se vërtet në Kosovë mungon një transparencë”.

“As kompania e parë, as kompania e dytë nuk i kanë cekur në mënyrë transparente arsyet e largimit. Por, e tëra kjo duhet të merret si një masë shqetësuese, që institucionet tona duhet t’i bëjë më azhure në këtë drejtim dhe transparenca të jetë primare”,
deklaron Gërxhaliu.

Ndryshe, tërheqja e këtij konsorciumi bën që në tender të mbesin vetëm dy konkurrues që kanë kaluar fazën e parakualifikimit, ndërsa ligjet e prokurimit kërkojnë të paktën tre, për të vazhduar me procedurat e përzgjedhjes së fituesit të tenderit.

Por, sipas Ligjit të Prokurimit, një tender, ku kanë konkurruar vetëm dy kandidatë, duhet të anulohet, me përjashtim të rasteve të veçanta, kur vazhdimi i tenderit lejohet nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Memli Krasniqi thotë se Qeveria është e gatshme t’i zbatojë të gjitha normat ligjore.

“Gjithçka që është rregulluar proceduralisht dhe me aktet nënligjore, do të respektohet”, thekson Krasniqi.

Muajin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka vendosur për fillimin e realizimit të projektit “Kosova e Re”. Vetëm një ditë para vendimit të Qeverisë, nga procesi tenderues ishte larguar kompania gjermane RVE-AG, për shkak të, siç është thënë, çështjeve të ndërlikueshmërisë dhe të nivelit të projektit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG