Ndërlidhjet

Kosova së shpejti do të ketë korridorin e tretë ajror Prizren-Kukës, bën të ditur ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj. Sa i përket korridorit me Serbinë, ai thotë se Serbia po shkel konventat evropiane, duke mos lejuar të përdoret ky korridor.


Të gjitha fluturimet që vijnë në Kosovë dhe që dalin nga Kosova kanë një korridor hyrës dhe një dalës. Korridoret hyrëse janë nga Shkupi, ndërsa dalëset nga Tetova. Po ashtu janë dhe dy korridore më të mëdha që kalojnë nëpër Kosovë, të cilat aktualisht janë të suspenduara.

Ndryshimi i gjendjes momentale sa i përket hapësirës ajrore të Kosovës, thuhet se do të sillte përfitime domethënëse ekonomike për vendin.

Ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, pohon se është ngritur çështja me KFOR-in për korridorin e tretë ajror, i cili ka shërbyer vetëm për shërbime ushtarake dhe emergjente, për ta kthyer në shërbim civil.

Fatmir Limaj
“Ne kemi ngritur çështjen që të hapet korridori i tretë, korridori Prizren – Kukës, një korridor i ri për të vazhduar në destinacionet tjera, që do të shkurtonte fluturimin. Nëse do të udhëtonit në Evropën perëndimore, kudo qoftë, minimumi 15 deri 20 minuta do të këtë shkurtim të fluturimit dhe kjo do të ndikojë në zbritjen e biletës së udhëtimit”,
thotë ministri Limaj.

Prej vitit 1999, korridori me Serbinë, i cili lidh Evropën perëndimore me atë juglindore, është i pezulluar, duke shkaktuar fluturime më të gjata dhe më të shtrenjta.

Sa i përket kësaj çështjeje, ministri Limaj thotë se Komisioni Evropian ka dërguar vërejtjet tek autoritetet e Beogradit, që kjo çështje të merret seriozisht.

“Nëse mendoni për korridorin me Serbinë, nuk ka korridor me Serbinë. Serbia vazhdon t’i shkelë konventat evropiane, pasi që me konventë evropiane askush nuk mund t’i ndalojë korridoret e tilla, janë korridore të komunikimit masiv të vendeve, të qytetarëve, por besoj që dhe kjo çështje mund të rregullohet”.

“Ne jemi duke biseduar vetëm për ato çështje që ne mund t’i bëjmë. Korridori me Serbinë mbetet çështje e Komisionit Evropian dhe e Beogradit”,
thotë ministri Limaj.

Një hulumtim për çështjen e hapësirës ajrore të Kosovës e ka bërë Instituti për Studime të Avancuara GAP. Dren Selimi, nga ky institut, thotë se kjo u shkakton avio-kompanive shpenzime në karburante, kohëzgjatje në fluturime. Përveç kësaj, Kosova, sipas tij, është duke humbur edhe të ardhurat potenciale, të cilat mund të nxirren nga fluturimet.
Autoritetet kosovare duhet hapur negociata me NATO-n, organizmat ndërkombëtarë të aviacionit civil, si dhe aktorët tjerë vendorë e ndërkombëtarë, që të fillojë procesi i hapjes së hapësirës ajrore të Kosovës me fluturime...

“Autoritetet kosovare duhet hapur negociata me NATO-n, organizmat ndërkombëtarë të aviacionit civil, si dhe aktorët tjerë vendorë e ndërkombëtarë, që të fillojë procesi i hapjes së hapësirës ajrore të Kosovës me fluturime. Përfitimet për Kosovën do të ishin të shumëfishta dhe si e tillë iniciativa duhet të vijë nga autoritetet e Kosovës”.

“Roli i NATO-s në një kohë afatshkurtër është vendimtar dhe aktorët vendorë në hapësirën ajrore të Kosovës duhet planifikuar fillimin e zvogëlimit të përgjegjësisë së NATO-s, pasi që kjo do të projektonte një ambient më të sigurt për të fluturuar mbi Kosovën”,
shprehet Selimi.

Ndërkaq, Albion Idrizi, përfaqësues i kompanisë British Eiruejs, thotë se shkurtimi i kohëzgjatjes së fluturimit, reduktimi i kerozinës dhe dyoksidit të karbonit do të kontribuonin pozitivisht në përmirësimin e infrastrukturës ajrore në Kosovë.
Hapja e çdo pike të re hyrëse në Kosovë është pjesë e normalizimit të hapësirës ajrore kosovare...

“Hapja e çdo pike të re hyrëse në Kosovë është pjesë e normalizimit të hapësirës ajrore kosovare”.

“Ne e dimë që sot, aeroplanët që vijnë në Kosovë dhe shkojnë nga Kosova nuk janë të lejuar të qarkullojnë në territorin e Serbisë. Kjo rezulton në ngritjen e kostos së operimit për avio-kompanitë dhe udhëtarët. Mijëra tone dyoksid-karboni derdhen në atmosferë pa nevojë”,
thotë Idrizi.

Ai konsideron se hapja e pikës vetëm me Shqipërinë nuk e përfundon këtë projekt. Kosova, siç thotë ai, duhet të punojë në hapjen e pikave të reja - me Malin e Zi dhe Serbinë.

Autoritetet e vendit duhet të punojnë që hapësira ajrore kosovare të hapet për tejkalime, gjë që është e kufizuar tani, thotë Idrizi. Kështu, Kosova, sipas tij, do të mund të përfitonte, pasi që në çdo tejkalim në hapësirën kosovare, thotë ai, mund të merren të hyra, të cilat mund të përdoren për ngritjen e infrastrukturës së aviacionit kosovar.

Sidoqoftë, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji i Kosovës për Aviacionin Civil i mundësojnë Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ta menaxhojë dhe mbikëqyrë hapësirën ajrore të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG