Ndërlidhjet

“Prej strukturave paralele në institucione”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Vendimi i KQZ-së për mosvendosjen e kamerave monitoruese në vendvotime ua ka vënë kapakun pakënaqësive të opozitës lidhur me përgatitjet e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 15 nëntor. Pas vendimit jokonsensual të presidentit për datën e mbajtjes së tyre dhe bllokimit disamujor të punës së KQZ-së për shkak të ndërhyrjeve politike, kjo fazë e tretë e zhvillimeve jep sinjale negative për atë që do të ndodhë më 15 nëntor. Partitë opozitare e konsiderojnë vendimin e KQZ-së në vazhdën e përpjekjeve të partisë kryesore në pushtet, PDK-së, për t’i manipuluar zgjedhjet. Ibrahim Makolli, nga AKR-ja, tha se ky vendim është krejt politik dhe i pabazuar në ndonjë analizë serioze paraprake...

INFOPRESS
Nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën në Prishtinë takimin e tretë të radhës. Në këtë takim, anëtarët pjesëmarrës të këtij këshilli kanë diskutuar rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në vend, duke konstatuar se për momentin gjendja e sigurisë së përgjithshme në Kosovë është e qetë. Ndryshe, Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili është formuar duke u bazuar në Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ka për detyrë që çdo tre muaj të mbajë mbledhje, në të cilat do të vlerësohet situata e përgjithshme e sigurisë në vend e në të njëjtën kohë të dilet edhe me strategji për menaxhimin e situatës së sigurisë...

KOSOVA SOT
Struktura e re e Qeverisë do të ndërtohet vetëm pas miratimit të Ligjit mbi Qeverinë, i cili është në duar të ekzekutivit. Aktualisht, brenda kupolës qeveritare janë 17 ministri, por këtij numri nuk dihet nëse në të ardhmen do t’i shtohet apo hiqet ndonjë tjetër. Ligji mbi Qeverinë i është proceduar Kuvendit për miratim, mirëpo, pas një kohe, ai është tërhequr me arsyetim për implikimet buxhetore. Në kuadër të reformave, ekzekutivi i Kosovës ka paralajmëruar se pas këtij ligji do të pasojnë edhe rregulloret e brendshme, në të cilat do të përfshihet edhe ajo për organizimin e ekzekutivit. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka theksuar se aktet e tjera nënligjore dhe Rregullorja për organizimin e brendshëm të Qeverisë do të nxirren brenda një periudhe 6 mujore, pas miratimit të Ligjit mbi Qeverinë...

EXPRESS
Tërheqja e kompanive të parakualifikuara, konsorciumit EnBW/WGI, si dhe atij “RWE” nga Gjermania, për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, nuk e pengon realizimin e këtij projekti. Sipas Ligjit për partneritetin publiko-privat dhe koncesionet, tenderi është valid edhe me dy konzorciumet e mbetura në garë, ai çeko-amerikan “CEZ &AES” dhe italiano- grek “ENEL & Sencap”. Kjo i jep të drejtë Qeverisë që të përzgjedhë fituesin nga mesi i kompanive të kualifikuara përmes tenderit për shprehjen e interesit. Ato që mbesin në garë marrin projektin dhe ofertën konkrete dhe fillojnë negociatat deri në nënshkrimin e kontratës. Megjithatë, burime të gazetës “Express” brenda Qeverisë thonë se tërheqja e kompanive nga gara nuk është e rastësishme. Gjasat më të mëdha për të fituar këtë projekt i ka konzoriumi çeko-amerikan...

ZËRI
Ligji i shumëpritur për familjet e të zhdukurve mund të paraqitet para Kuvendit të Kosovës për miratim në shtator apo në tetor të këtij viti. Prenkë Gjetaj, udhëheqës i Komisionit ndërministror për të pagjeturit, ka thënë se grupi punues për hartimin e këtij ligji tanimë ka përfunduar punën e tij dhe draftin e parë të këtij ligji e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, në hartimin e këtij ligji ka punuar një grup punues, ku kanë marrë pjesë ekspertë nga Komitetit Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Ambasada amerikane në Prishtinë, ICO-ja, Kryqi i Kuq i Kosovës, shoqatat e familjarëve të të zhdukurve etj. Por, Haki Kasumi, udhëheqës i Asociacionit të Familjeve të të Zhdukurve të Kosovës, thotë se që para një viti ata nuk kanë pasur kurrfarë njohurish se çka është punuar për hartimin e këtij ligji...

BOTA SOT
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka premtuar mbështetje institucionale për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të paguajnë energjinë. Këto komente kreu i vendit i bëri gjatë vizitës në KEK, në mihjen e Bardhit dhe Mirashit, si dhe në dy termocentralet e KEK-ut. Me këtë rast, Sejdiu zhvilloi një takim me drejtuesit e bordit të KEK-ut, nga të cilët u informua rreth zhvillimeve në këtë korporatë dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme institucionale për të. Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga drejtuesit e KEK-ut që të përkujdesen për furnizim sa më të mirë të qytetarëve dhe të ekonomisë me energji elektrike, si dhe ka kërkuar nga shpenzuesit e energjisë që të jenë sa më racionalë, të mos e keqpërdorin atë, por njëkohësisht edhe ta paguajnë energjinë e shpenzuar...

EPOKA E RE
Lidhja Demokratike e Kosovës është lidere e konceptit djathtist politik në Kosovë. Kështu ka thënë për “Epokën e re”, të martën, zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari. Ai ka treguar se LDK-ja, sipas rezultatit zgjedhor, është ndër dy partitë më të mëdha në vend, është lidere e konceptit djathtist, kurse të gjitha partitë e mëvonshme, që kërkojnë të profilizohen si të tilla, janë të mirëpritura. “LDK-ja si parti lidere e konceptit të djathtë politik, mendoj se ka pozicion të fortë dhe të gjitha partitë në Kosovë duhet të bashkohen dhe të veprojnë për promovimin e këtyre koncepteve”, ka thënë Miftari. Këtë qëndrim, Miftari e ka shfaqur një ditë pasi Ramush Haradinaj është pozicionuar nga e djathta, duke lënë të nënkuptohet se AAK-ja synon të jetë lidere e këtij koncepti...

KOHA DITORE
Disa individë që kanë qenë pjesë e strukturave paralele, kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e ekipeve përgatitore dhe po bashkëpunojnë për formimin e komunave të reja serbe në Kosovë, që parashihen të formohen sipas Pakos gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari. Burime të “Kohës Ditore”, të afërta me procesin e përzgjedhjes së këtyre ekipeve përgatitore, kanë thënë se ata vijnë nga Graçanica, e cila pritet të dalë si komunë e re serbe, nga Novobërda, e cila pritet që të zgjerohet, dhe nga disa komuna të tjera. Aplikimi i serbëve që kanë qenë të angazhuar në strukturat paralele dhe që tani dëshirojnë të jenë pjesë e ekipeve përgatitore komunale, është pranuar nga udhëheqësi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal...
XS
SM
MD
LG