Ndërlidhjet

Haradinaj: Prishtina të kujdeset për shqiptarët


“Prishtina zyrtare duhet të ketë kujdes në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shkupin dhe duhet të angazhohet në problemet e shqiptarëve të Maqedonisë.” Deklarata e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u bë pas një takimi me kreun e Partisë Demokratike Shqiptare të Maqedonisë, Menduh Thaçi.

“Do të ishte mirë që Prishtina zyrtare të ketë më shumë kujdes për t’i dhënë përparësi këtij procesi. Edhe ne shprehim interesim për temat që i ngrejnë shqiptarët në Maqedoni, të cilat në disa rrethana janë aq specifike sa që meritojnë një trajtim me kujdes”, tha Haradinaj. Ai shtoi se thellimi i marrëdhënieve me Maqedoninë si shtet, duhet të bëhet në baza reciprociteti.

Kreu i PDSH-së, Thaci e cilësoi si delikate situatën aktuale në Maqedoni. “Të drejtat e shqiptarëve përfundimisht duhet të zgjidhen që shqiptarët nesër të jenë qytetarë lojalë të atij shteti”, tha Thaçi.

PDSH ka paralajmëruar braktisjen e parlamentit që nga java e ardhshme për shkak të pakënaqësive lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
XS
SM
MD
LG