Ndërlidhjet

Si mbijetojnë partitë "e vogla" politike?


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Përfaqësuesit e partive ‘të vogla’ politike pohojnë se e kanë të vështirë të veprojnë në Kosovë, pasi që, siç thonë, partitë në pozitë dhe ato në opozitë me çdo kusht mundohen t’i largojnë ato nga skena politike.




Partitë ‘e vogla’ politike në Kosovë, të cilat kanë kontribuar me vite të tëra në proceset politike të vendit, thonë se, përkundër shumë vështirësive, ndikimi i tyre në zhvillimet politike është në rritje dhe kjo për shkak të, siç thuhet, zgjidhjeve konkrete për çështje të caktuara.

Zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Gëzim Kasapolli, tregon se që nga fillimi, kanë pasur një tendencë që të jenë më selektivë në kuptim të mbledhjes së njerëzve të caktuar dhe të njerëzve që financiarisht janë të qëndrueshëm dhe që mund të kontribuojnë në funksionimin e partisë.
Financohet në bazë të kontributeve që qytetarë të caktuar i japin Partisë Socialdemokrate, me qëllim të promovimit të vlerave të kësaj partie dhe ndërtimit të një vizoni të ri...

“Partia Socialdemokrate vetëfinancohet në kuptim të pagesës së anëtarësimit të çdo anëtari - një pagesë që deri diku është solide. Financohet në bazë të kontributeve që qytetarë të caktuar i japin Partisë Socialdemokrate, me qëllim të promovimit të vlerave të kësaj partie dhe ndërtimit të një vizoni të ri”, thotë Kasapolli.

Ai thekson se në Kosovë ekziston një nevojë shumë e madhe për demokraci sociale, për një mënyrë të re të veprimit për, siç thuhet, ngritjen e kulturës dhe vetëdijes politike të qytetarëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm që për realizimin e vizionit tonë, do të duhej një kohë e caktuar derisa të ngrihet vetëdija e qytetarëve të Kosovës, derisa të shohin edhe ata që njerëzit që deri tani e kanë udhëhequr politikën e Kosovës, nuk janë të aftë ta çojnë Kosovën drejt proceseve, të cilat janë të rëndësishme”, thotë Kasapolli.

Partia Liberale e Kosovës është po ashtu një parti e vogël, e formuar në vitin 1999. Kryetari Gjergj Dedaj e cilëson si mjaft të vështirë mbijetesën e kësaj partie, sepse, sipas tij, në Kosovë shumë pak bëhet fjalë për doktrinën dhe vlerat e liberal-demokracisë.
Të jesh parti liberale në Kosovë është shumë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një ambient që nuk i akcepton lehtë vlerat e tolerancës dhe demokracisë...

Ai thotë se qytetarët e Kosovës dhe klasa politike nuk janë liruar nga e kaluara, qoftë ajo komuniste, apo e periudhës së luftës.

“Të jesh parti liberale në Kosovë është shumë e vështirë, sepse kemi të bëjmë me një ambient që nuk i akcepton lehtë vlerat e tolerancës dhe demokracisë”, pohon Dedaj.

Kreu i PL-së thotë se shumë herë partitë e vogla jo vetëm që kanë pasur ndikim në zhvillimet në vend, por kanë bërë edhe kthesa të mëdha politike.

“Ne do të marrim pjesë në zgjedhjet lokale, ndonëse jemi të rraskapitur, pasi që shteti i Kosovës nuk i ndihmon financiarisht partitë e vogla, që është një gabim i madh, pasi që në demokraci ndërrohen rolet dhe për këtë arsye duhet të kemi shanse të barabarta, të ketë një mbështetje minimale solide për të gjitha subjektet politike, të cilat janë të certifikuara”,
shprehet Dedaj.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Partisë Reformiste Ora thonë se kanë probleme në funksionimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së tyre, për shkak të mjeteve financiare.

Besnik Krajku, nënkryetar i Partisë Ora, shprehet:
...mjetet e fondit për demokratizim, të cilat realisht do të duhej të përdoreshin për demokratizimin e partive, të cilat nuk kanë burime financiare, partitë parlamentare i kanë ndarë mes vete...

“Natyrisht, këtu hasim në shumë padrejtësi, ku mjetet e fondit për demokratizim, të cilat realisht do të duhej të përdoreshin për demokratizimin e partive, të cilat nuk kanë burime financiare, partitë parlamentare i kanë ndarë mes vete, kështu që kanë bërë të kundërtën e
veprimit për çka janë ndarë ato mjete”,
thotë Krajku.

Ai pohon se do të ishte shumë e dëmshme jeta politike në Kosovë, pa pjesëmarrjen e ndikimit të partive ‘të vogla’.

“Tragjedia më madhe e Kosovës do të ishte sikur ndikimi i partive të vogla të hiqet apo të zvogëlohej, pasi që jeta politike e Kosovës do të rrëshqiste në një gjysmë diktaturë të një apo dy partive që do të përcaktojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”, thotë Krajku.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG