Ndërlidhjet

Qeveria mund ta zgjedhë fituesin


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mundësi të përzgjedhë kompaninë fituese për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re” nëse në garë mbetet vetëm edhe një ofertues, thonë autoritetet përgjegjëse.



Qeveria e Kosovës ka mundësi të përzgjedhë kompaninë fituese për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re” nëse në garë mbetet vetëm edhe një ofertues. Kështu thotë Hysni Hoxha, nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Ai thotë se, në bazë të Ligjit të Prokurimit Publik, kërkohet që në procedurë të prokurimit të jenë tre ofertues të përgjegjshëm, por në nenet tjera përkatëse, pohon ai, autoriteti kontraktues duhet të bëjë kërkesë zyrtare në Agjencinë e Prokurimit Publik për vazhdimin e procedurave tenderuese.

“Ligji e lejon që autoriteti kontraktues të kërkojë revokimin e atij neni, sepse nuk ka operator të mjaftueshëm ekonomik, nuk ka operator që i kryen ato punë apo ato shërbime”.

“Dhe, Agjencia e Prokurimit Publik mund të nxjerrë një vendim, të aprovojë kërkesën e autoritetit kontraktues ose thjesht ta refuzojë kërkesën e autoritetit kontraktues”,
thotë Hoxha.

Sipas tij, nëse Agjencia e Prokurimit Publik e aprovon kërkesën e autoritetit kontraktues, ai mund të lidhë kontratë me njërin nga ofertuesit konkurrues.

“Në rastet kur Agjencia e Prokurimit Publik e refuzon në tërësi, se nuk ka bazë kërkesa e autoritetit kontraktues, atëherë autoriteti kontraktues e ka edhe një të drejtë që t’i drejtohet Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për revokimin e atij neni”.

“OSHP-ja është instanca e fundit administrative e prokurimit publik, që nxjerr një vendim lidhur me aprovimin e kërkesës së autoritetit kontraktues për revokimin e nenit 34.1/A apo thjesht lënien në fuqi të atij neni”,
thekson Hoxha.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë pohojnë se pas tërheqjes së konsorciumit gjermano- amerikan nga procesi tenderues për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”, duhet të respektohen procedurat ligjore ekzistuese.

Eksperti Berat Rukiqi thotë se me gjithë faktin se gara me shumë konkurrentë është më me kualitetet, ky proces, sipas tij, duhet të jetë shumë transparent, në mënyrë që të mos zbehet imazhi i Kosovës tek investitorët potencialë.

“Projekti duhet të jetë shumë transparent dhe duhet të prezantojë vlerat reale që ka Kosova, në mënyrë që të promovohet mundësia dhe në mënyrë që të ketë investime të reja edhe në sektorë tjerë. Nëse nuk respektohen procedurat ligjore, nëse nuk ka transparencë, atëherë është shumë vështirë të promovohen këto vlera të ekonomisë kosovare”, thotë Rukiqi.

Muajin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka vendosur për fillimin e realizimit të projektit “Kosova e Re”. Vetëm një ditë para vendimit të Qeverisë, nga procesi tenderues ishte larguar kompania gjermane RVE-AG, për shkak të, siç është thënë, çështjeve të ndërlikueshmërisë dhe të nivelit të projektit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG