Ndërlidhjet

“Qeveria nuk i ndal zgjedhjet paralele serbe”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Luftimi i krimit të organizuar, migrimi dhe menaxhimi i kufijve janë çështjet e para në të cilat tashmë edhe zyrtarisht Republika e Kosovës do të bashkëpunojë me Austrinë në nivel shtetëror. Një gjë e tillë është finalizuar të mërkurën në Prishtinë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kosovës e Austrisë në fushën e sigurisë. Me këtë rast, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, i cili ka pritur në një takim homologun e tij nga Austria, Maria Fekter, nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e ka cilësuar si vazhdim të raporteve të mira ndërshtetërore që kanë krijuar Kosova e Austria në sferën e sigurisë...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës do të shpallë të pavlefshme çfarëdo zgjedhjesh serbe që organizohen në Kosovë, mirëpo nuk do të ndërmarrë veprime të dhunshme që të parandalojë organizimin e zgjedhjeve. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë për “Kosova sot” se zgjedhjet e parakohshme serbe, të paralajmëruara për 16 gusht në Graçanicë dhe Gorazhdec, janë të papranueshme dhe se shpreson se nuk do të lejohet organizimi i tyre. “Kjo është shkelje ligjore dhe ne nuk do të përdorim forcë, por zgjedhjet e Serbisë në Kosovë për Republikën e Kosovës janë inekzistente, të papranueshme dhe vetëm institucionet e Kosovës mund të organizojnë zgjedhje”, ka thënë Krasniqi...

EXPRESS
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shfaqur indikacione për t’u përzier në zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovë, duke u pozicionuar qartësisht krahë partive të deklaruara si të djathta. Ditë më parë, ai takoi Liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, me të cilin nënshkroi një memorandum bashkëpunimi, derisa qershizën mbi tortë kryeministri shqiptar e vuri të mërkurën, në një takim me drejtuesit e LDK-së. Në komunikatat për media që lëshuan Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Kryesia e LDK-së, shfaqet dëshira e kryeministrit shqiptar që LDK të fitojë në zgjedhjet e 15 nëntorit...

ZËRI
Pas tërheqjes së dy kompanive të fuqishme gjermane nga procesi tenderues për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, RWE si dhe konsorciumit EnBW&WGI, si dhe paralajmërimit për shqyrtimin e mundësisë së tërheqjes edhe nga konsorciumi CEZ&AES, fati i projektit të termocentralit “Kosova e Re”, sipas Ligjit të Prokurorimit Publik të Kosovës, do të mbetet në duar të Komisionit rregullues të prokurimit publik. Sipas dispozitave ligjore, organit të KRRPP-së i jepet e drejta të përcaktojë fatin e një tenderi nëse në garë mund të mbesin më pak se tre ofertues...

BOTA SOT

Thuaja çdo shqiptar, për çdo ditë, jemi të survejuar, por nuk dihet se nga kush. Në fakt, ende është në fuqi rregullorja e UNMIK-ut e vitit 2002, e cila lejon survejimin e çdo personi pa një mandat gjyqësor. Por, në fakt kjo ishte në shërbim të shërbimeve inteligjente, jo të Kosovës. Por, sot kush disponon me këto të drejta dhe a duhet lejuar të jetë edhe më në fuqi një rregullore e atillë. Institucionet e Kosovës nuk kanë shprehur kurrfarë interesimi për ndryshimin e kësaj rregulloreje dhe kthimin në ligj, nëpërmjet së cilës do të saktësohej se kush, cilat janë agjencitë e inteligjencës që mund të shfrytëzojnë të drejtat që jep kjo rregullore...

EPOKA E RE
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar kryeministrin Hashim Thaçi që nëpërmjet përfaqësuesve të tij në KQZ e ka bllokuar votimin që zgjedhjet lokale të 15 nëntorit të monitorohen pa kamera. “PDK-ja, e kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka marrë qëndrim, nëpërmjet përfaqësuesve të vet në KQZ, ta pengojë një votim për vendosjen e kamerave. Kjo është e vërteta dhe ky është sinjal jo i mirë, por ne nuk do ta kthejmë në defetizëm ose në atmosferë të frikësimit të njerëzve për të mos votuar. Ne do të jemi të kujdesshëm dhe u garantojmë qytetarëve se votat e tyre do të respektohen”, ka thënë Haradinaj, të mërkurën, pas një takimi me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi...

KOHA DITORE
Legjislativi i vendit po tregohet “i pafuqishëm” në mbikëqyrjen e implementimit të procesit të decentralizimit, përkatësisht tri ligjeve që kanë rezultuar nga pakoja gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e statusit të Kosovës, kanë thënë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues nga parti të ndryshme politike parlamentare. Këto komente janë bërë në kohën kur decentralizimi është shndërruar në njërën nga temat më të debatuara në politikën vendore. “Sa i përket decentralizimit, Kuvendi ka treguar në njëfarë mase pafuqinë e tij për të qenë pjesë e procesit sa i përket anës ligjore, përkatësisht zbatimit të ligjeve. Kjo tregon drejtpërdrejt se Kuvendi më shumë është i interesuar për të prodhuar ligje sesa për të parë implementimin e tyre në terren. Kjo do të thotë të prodhosh letra koti”, ka thënë kryetari i Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, Esat Brajshori...

LAJM
Për të 28-ën herë, më 17 gusht, në Prishtinë, nis veprimtarinë Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. I njohur si ngjarje tradicionale dhe me traditë të pasur arsimore, shkencore dhe kulturore, ky seminar tashmë e ka formuar traditën e vet, duke u shndërruar në veprimtarinë më të rëndësishme albanologjike brenda një viti. Drejtori i seminarit të sivjetmë, Liman Matoshi, duke shpalosur disa na veprimtaritë e seminarit, potencoi se do të zhvillohen kurs gjuhe në tri nivele, ligjërata dhe referime nga gjuha dhe letërsia shqiptare, ashtu si edhe seanca shkencore në të cilat do të kumtojnë albanologë nga vendi dhe bota...
XS
SM
MD
LG