Ndërlidhjet

logo-print

Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jenë të gatshme të marrin detyra shtesë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë, nëse do të merrej ndonjë vendim i ri politik, thonë zyrtarë Forcës së Sigurisë dhe analistë për çështje sigurie.


Autoritetet kosovare vlerësojnë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të mbarë që të arrijë në nivelin e dëshiruar të profesionalizmit të saj. Ato shprehin bindjen se në një të ardhme të afërt, edhe FSK-ja do të jetë e gatshme t’i marrë përgjegjësitë në lidhje me sigurinë në Kosovë.

Zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, pohon se trupat e FSK-së janë të gatshme t’i kryejnë detyrat dhe obligimet në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës. Por, megjithatë, thotë ai, aktualisht FSK nuk është e ngarkuar që të ruajë gjendjen dhe sigurinë në Kosovë.

“Pas çdo vendimi të ri politik në mes të Qeverisë së Kosovës dhe NATO-s dhe eventualisht në momentin kur do t’i jepen detyra shtesë FSK-së, atëherë ne mund të konkludojmë me bindje të plotë se trupat e FSK-së do të jenë në gjendje për të dhënë kontributin e tyre dhe misionin që iu caktohet”, thotë Shala.

Janë ekspertët e NATO-s ata që kanë marrë përsipër ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Aktualisht, janë duke u trajnuar mbi 1400 ish-pjesëtarë të TMK-së, që janë zgjedhur për të qenë pjesë e FSK-së.

“Duke përcjellë zhvillimet e këtyre trajnimeve të FSK-së, ne mund të konkludojmë se trajnimi i tyre ka qenë shumë i suksesshëm. Mirëpo, të gjitha këto faza të trajnimeve kurorëzohen me një stërvitje të madhe dhe me këtë stërvitje fushore do të vlerësohen dhe do të tregohen aftësitë e FSK-së se në çfarë shkalle kanë arritur për të dëshmuar kapacitetet e para operacionale”,
shprehet Ibrahim Shala.

Sidoqoftë, Forca e Sigurisë së Kosovës në shtator të këtij viti do të fillojë së vepruari me kapacitete të pjesshme operative dhe më pas do të ketë stërvitje të avancuara, kur do të përgatiten pjesëtarët, që më vonë t’i marrin përgjegjësitë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.

Analisti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se Forca e Sigurisë së Kosovës jep mundësi që të krijojë një stabilitet rajonal, por edhe mundësi që të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Edhe pse me ligj është paraparë si forcë, që pak determinon nga ajo që është përcaktuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në esencë FSK është forcë që i ofron siguri dhe stabilitet Kosovës, jo vetëm në pikëpamjet emergjente, por edhe në pikëpamje tjera, në rend të parë u ofron (ndihmë) mekanizmave ushtarakë ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë dhe policisë”, thotë Ibishi.

Sa i përket çështjes se a do ta marrë FSK-ja misionin e sigurisë në vend, zoti Ibishi thotë se ky është një vendim që mekanizmat vendorë, në bashkëpunim me ata ndërkombëtarë, duhet ta marrin sa më shpejt.

“Forca e Sigurisë ka ngritur kapacitetet dhe do të integrohet në sistem të NATO-s dhe do të ndihmojë në sigurinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për siguri rajonale. Kosova jep mundësi që të krijojë stabilitet rajonal të duhur edhe mundësi që të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”,
pohon Ibishi.

Forca e Sigurisë së Kosovës parashihet të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. FSK-së fillimisht do t’i lejohet që të mbajë armë të lehta, ndërsa mision i saj është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile, duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG