Ndërlidhjet

Diplomatja amerikane për Euroazinë


Tina Kaidanou
Tina Kaidanou
Departamenti Amerikan i Shtetit pritet të njoftojë zyrtarisht emërimin e Tina Kaidanout si zëvendësndihmëse e sekretarit amerikan të shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë.

Por, Metju Briza, që ka mbajtur këtë post që nga qershori i vitit 2005 dhe tash flitet se do të kalojë si ambasador amerikan në Azerbajxhan, ka përmendur publikisht atë si zëvendësim të tij, gjatë një konference për gazetarë në Tbilisi.

Kaidanou, që ka magjistruar në shkencat politike në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, është diplomate e karrierës, e cila deri më tash ka specializuar mbi Ballkanin.

Posti më i lartë ishte ai i të dërguarës amerikane në Kosovë nga korriku i vitit 2006 deri në korrik të këtij viti, gjatë një tranzicioni historik nga provincë e shkëputur e Serbisë në vetëshpalljen si shtet i pavarur.

Arbana Vidishiqi, shefe e Byrosë së Radios Evropa e Lirë në Prishtinë, thotë se Kaidanou i ka impresionuar shumë në Kosovë, si një zyrtare e qetë, por efektive.

"Kështu mbase do ta mbajë në mend secili ambasadoren Kaidanou: ajo është njeri i veprimit dhe ajo ka qenë në një periudhë kritike për Kosovën sa ishte këtu. Kishte ardhur para shpalljes së pavarësisë dhe ka qëndruar një vit e më shumë pas kësaj shpalljeje. Pra, punët këtu i ka çuar deri në fund, megjithëse ka preferuar që këto punë t’i bëjë larg syrit publik”,
thotë Vidishiqi.

Ajo thotë se Kaidanou nuk i ka kufizuar funksionet diplomatike ndërsa ishte në Prishtinë, por përdori ndikimin e saj për të ndihmuar çdokënd që ka mundur, përfshirë edhe serbët e Kosovës.

“Qytetarët e rëndomtë në Kosovë mbase do ta kujtojnë atë si një person që ka qëndruar afër lidershipit këtu në një periudhë shumë kritike, e që ishte shpallja e pavarësisë. Ajo gjithashtu ka bërë shumë edhe për pakicën serbe. Ka mundësuar hapjen e institucioneve shëndetësore në lokalitetet e banuara me serbë, ka promovuar lirinë e medias. Në këtë kuadër, njerëzit me siguri do ta kujtojnë si një person që ka ndihmuar shumë”, shprehet Vidishiqi.

Postin e parë të lartë në qeveri, Kaidanou e mori në kohën e presidentit Bill Klinton, ku shërbeu si drejtoreshë për çështjet e Evropës Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Më pas, ajo ishte e ngarkuar me detyra edhe në Beograd dhe Sarajevë.

Kaidanou shërbeu edhe si ndihmëse speciale e Kristofer Hillit, kur ai ishte ambasador në Maqedoni nga viti 1998 deri më 1999. Detyrat e saj atëbotë qenë fokusuar në krizën në Kosovë.

Pas kësaj, ajo ishte ndihmëse speciale për çështje evropiane e zëvendëssekretarit të shtetit, Riçard Armitejxh, gjatë presidencës së Xhorxh Bushit.

Në korrik të vitit 2006, Kaidanou ishte shefe e misionit dhe e ngarkuar me punë në Zyrën Amerikane në Prishtinë, e cila u shndërrua më pas në ambasadë amerikane. Dy vjet më vonë, pas shpalljes së pavarësisë, ajo u bë ambasadorja e parë amerikane në Kosovë.

Emërimi i Kaidanout në postin evropian dhe euroaziatik mbase mund ta gjejë atë të fokusuar në çështjet e interesit amerikan në Kaukaz, Azinë Qendrore dhe Evropën Juglindore. Çështjet energjetike dhe tensionet ruso-gjeorgjiane mund të pritet të dominojnë në punën e saj.

Përgjegjësitë e Kaidanout mbase nuk do të zgjerohen edhe në kuadër të bashkëkryesimit të Grupit Minsk të OSBE-së, një trup trepalësh që ndihmoi negociatat në kontestin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit mbi enklavën Nagorno-Karabak.

Briza ka shërbyer si bashkëkryesues i këtij grupi gjatë kohës sa ishte zëvendësndihmës i sekretrait. Në komentet e tij të para, Briza sugjeroi se Kadianou do të ketë rol të njëjtë. Por, shërbimi azerbajxhanas i Radios Evropa e Lirë ka cituar zyrtarë amerikanë të kenë thënë se ajo nuk do ta plotësojë atë post. Një zëvendësim alternativ i Brizas në pozitën e bashkëkryesuesit nuk është përmendur.

Zyrtarët në Azerbajxhan kanë shprehur shqetësime se përvoja e Kaidanout në Kosovë do të shihej si mbështetje për pavarësinë e Nagorno-Karabakut - një përfundim ky që kundërshtohet ashpër nga Baku.
XS
SM
MD
LG