Ndërlidhjet

logo-print

"Kosova - prioritet i NATO-s"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Në vitet e 90-ta Serbia në mënyrë të dhunshme ka uzurpuar çdo gjë në Kosovë. Kështu ka ndodhur edhe me hekurudhat. Në atë kohë Kosova ka pasur një numër të konsiderueshëm të mjeteve lëvizëse, filluar nga lokomotivat, vagonët e udhëtarëve dhe të mallrave, si dhe të trenave motorikë. Numrin më të madh të këtyre mjeteve, autoritetet serbe i kanë transferuar në Serbi, të cilat vazhdojnë edhe sot të shfrytëzohen dhe përdoren atje. Kthimin apo kompensimin e aseteve hekurudhore të Kosovës për momentin drejtori i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, e sheh të pamundshëm, për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodhur dhe pozicionit aktual, në të cilin janë të dy vendet...

EXPRESS
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është përkujdesur gjatë ditës së enjte të përmirësojë situatën që kishte krijuar një ditë më parë, kur ai shfaqi tendenca të përzierjes në zgjedhjet lokale të Kosovës. Ekipi i tij, të enjten, ka ndryshuar një pjesë të komunikatës për media, e cila e përfshinte Berishën direkt në zhvillimet e brendshme politike në Kosovë. “Më tej biseda u përqendrua në bashkëpunimin midis dy forcave politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryeministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me LDK-në, në traditën e bashkëpunimit midis dy forcave politike, sikurse kërkoi mirëkuptim për vendosmërinë e tij për të mbetur i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të Kosovës, pasi ky është qëndrimi që përshtatet me interesin më të mirë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe interesit kombëtar”, thuhet në komunikatën e përmirësuar të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë... Më parë, komunikata kishte tërësisht një përmbajtje tjetër...

ZËRI
Lista e përfituesve të qirasë për banorët e veriut si dhe komplet procesi është kontestuar të enjten në një debat të organizuar nga shoqëria civile, në kuadër të projektit për monitorimin e Komunës së Mitrovicës, përkrahur financiarisht nga Fondacioni “Soros”. Në këtë debat, ku morën pjesë zyrtarë komunalë, përfaqësues të partive politike, ekspertë të drejtësisë, media, OJQ etj., u vlerësua se komisioni për ndarjen e fondit prej 360 mijë eurosh, të ndara nga Qeveria e Kosovës për banorët e veriut, nuk i ka zbatuar kriteret që vetë i ka përcaktuar, gjë që, përveç tjerash, ka zvarritur edhe procedurën e ndarjes së këtyre mjeteve...

BOTA SOT
Qeveria e Kosovës, në kuadër të autoritetit dhe përgjegjësive kushtetuese që ka, i ka dhënë mbështetje të plotë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të gjitha vendimet e tij, ndërsa ka mirëpritur kërkesat dhe nevojat e këtij institucioni, në mënyrë që procesi i zgjedhjeve të jetë në përputhshmëri me standardet e larta demokratike. Duke qenë se zgjedhjet lokale janë të parat që mbahen në Kosovën shtet i pavarur, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, beson se fushata parazgjedhore, por edhe procesi i zgjedhjeve do të zhvillohen sipas standardeve, për të pasur zgjedhje të lira, fer e demokratike, me një pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, e natyrisht duke respektuar edhe rezultatin zgjedhor. “Çdo parti politike duhet ta kuptojë se e gjithë bota i ka të drejtuar sytë kah ne, se si ne do t’i organizojmë këto zgjedhje...”, tha ai...

EPOKA E RE
Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICR), Piter Feith, ka emëruar të enjten 16 anëtarë të Ekipit Përgatitor Komunal për komunën e re të Graçanicës. Këtë vendim ai e ka cilësuar si pjesë të një procesi të reformave më ë gjera, që është në vazhdim e sipër dhe i cili shtrihet në të gjitha komunat dhe ndikon te të gjitha komunitetet. Duke komentuar këtë vendim, Piter Feith ka thënë se themelimi i Ekipit Përgatitor Komunal për Graçanicën tregon se decentralizimi në Kosovë po ecën përpara. “Unë i lavdëroj anëtarët e EPK-së, të cilët po paraqiten për të punuar për të mirën e komunitetit të tyre. I siguroja ata se do ta kenë përkrahjen e plotë të Zyrës Civile Ndërkombëtare gjatë kryerjes së detyrave të tyre”, ka thënë Feith...

KOHA DITORE
Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të mbetet e përkushtuar në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe në forcimin e perspektivës së saj euroatlantike, me gjithë planet për zvogëlimin e numrit të trupave që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen. Pak kohë pasi ka marrë udhëheqjen e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, ai ka vizituar Kosovën, ku është takuar me udhëheqësit shtetërorë, me përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare, me komandantin dhe trupat e KFOR-it, para të cilëve ka përcjellë mesazhin se ky vend qëndron lart në agjendën e mandatit të tij katërvjeçar. “Fakti që unë vendosa të vija në Kosovë vetëm pak ditë pasi mora detyrën e re reflekton qartë se do t’i kushtoj prioritet të lartë Kosovës, në punën time si sekretar i përgjithshëm i NATO-s”, ka thënë Rasmusen...

LAJM
Ditë të mira po e presin mjekësinë emergjente në Kosovë. Zyrtarët shëndetësorë konfirmojnë se tashmë ka filluar hapi i parë për një fillim të ri në sistemin mjekësor emergjent. Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar me rishikim të buxhetit 60 mijë euro për projektin ideor për ndërtimin e një objekti të ri për Departamentin e Emergjencave dhe Mjekimin Intensiv Qendror. Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, tha se më në fund ka filluar inicimi i proceduarve për projektin ideor të emergjencave, që është i domosdoshëm për mjekësinë emergjente. Ai nuk ishte i njoftuar në hollësi se çka e si është vepruar në strukturat e larta qeveritare rreth këtij projekti, mirëpo tha se gjërat kanë lëvizur pozitivisht...

INFOPRESS
Mund të ndodhë që për shkak të mungesës së fondeve, PLK të mos hyjë në zgjedhjet lokale. Dhe, nëse ndodh kështu, unë iu bëj thirrje votuesve të PLK-së ta votojnë Partinë Demokratike të Kosovës”, kështu ka deklaruar Gjergj Dedaj, kryetari i Partisë Liberale të Kosovës. ai u ka bërë thirrje votuesve të PLK-së që në të gjitha komunat ku nuk do të marrë pjesë kjo parti, të votohet PDK-ja. Nga ana tjetër, partitë tjera opozitare, që kanë ngelur jashtë Parlamentit, preferojnë të masin forcat vetjake në këto zgjedhje lokale. Madje, ato presin rezultate shumë të mëdha dhe i konsiderojnë zgjedhjet lokale si fillim të ngritjes së tyre. Partia Reformiste Ora, që në zgjedhjet e fundit nuk arriti të ‘kapë’ votat e nevojshme për të hyrë në Parlament, do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale. Këtë e konfirmon për “Infopress”, nënkryetari i kësaj partie, Nazim Jashari...
XS
SM
MD
LG