Ndërlidhjet

logo-print

Strategjia për Afganistanin dhe Pakistanin

  • Andrew Tully

I dërguari amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk, ka shpallur detaje nga plani i Uashingtonit për strategjinë në këto dy vende.



I dërguari i Shteteve të Bashkuara në Afganistan dhe Pakistan, Riçard Hollbruk, prezantoi anëtarët e ekipit të tij që janë duke punuar për zgjerimin e strategjisë amerikane, e cila ka për qellim të mundë talibanët dhe të ndihmojë ngritjen e stabilitetit më të qëndrueshëm në Afganistan.

Hollbruk, gjatë një forumi në Uashington, ka folur edhe për rolin e rëndësishëm të Iranit, karshi stabilitetit në Afganistan.

Hollbruk ka thënë se Uashingtoni nuk mund të injorojë faktin që Afganistani ndan kufirin e gjatë me Iranin, i cili i jep atij ndikim në Afganistanin perëndimor. Hollbruk ka veçuar qytetin Herat, i cili gjendet në veriperëndim të këtij vendi.

“Ne e njohim realitetin gjeografik dhe të gjithë ne që kemi qenë në Herat, ashtu siç kam qenë dhe unë, e dimë se qyteti i Heratit është një orbitë kulturore dhe ekonomike me ndikim politik nga Irani. Teherani ka të drejtë legjitime për të luajtur rol në zgjidhjen e çështjes afgane. Por, nëse ata dëshirojnë ta luajnë ose jo këtë rol, varet nga shumë faktorë kritikë”, ka thënë Hollbruk.

Ai vuri në dukje se Irani kishte luajtur rol konstruktiv, duke e ndihmuar Karzain që të krijojë qeveri të qëndrueshme kur u zgjodh president i parë.

Irani gjithashtu ka ndihmuar edhe Pakistanin, duke i premtuar 330 milionë dollarë gjatë një konference ndërkombëtare të mbajtur në Tokio, në muajin prill.

Përveç lidhjeve kulturore, tregtare e politike, Hollbruk tha se Irani ka një tjetër arsye të rëndësishme që të luajë rol konstruktiv në Afganistan. Fjala është për kultivimin në rritje të opiumit nga bujqit, të cilët vazhdojnë t’i ndihmojnë kryengritësit.

Riçard Hollbruk
Hollbruk tha se një pjesë e heroinës që kultivohet në Afganistan, shkon për një numër konsumuesish në Iran.

“Irani ka përqindjen më të lartë të përdoruesve të drogës. Këto substanca vijnë përgjatë kufijve me Afganistanin. Ky është shqetësimi kryesor i tyre”, u shpreh mes tjerash Hollbruk.

Ai tha se problemet me drogën në Afganistan kanë efekt edhe në Rusi. Në këtë kuadër, Hollbruk përmendi deklaratën e nënshkruar, muajin e kaluar, në Moskë, mes presidentit amerikan, Obama, dhe atij rus, Medvedev, i cili shprehu shqetësim në lidhje me importin e drogës nga Afganistani dhe për efektin që ka kjo çështje në Rusi.

Gjatë forumit, Hollbruk u përqendrua edhe në zgjedhjet presidenciale të 20 gushtit dhe përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të ofruar siguri gjatë procesit zgjedhor.

Ai tha se në Afganistan vazhdon të jetë problem korrupsioni politik, ngritja e amnistisë për ish-luftëtarët anti-qeveritarë dhe qeverisja lokale e rajonale.

"Të gjitha këto çështje janë të rëndësishme në përpjekjet e përgjithshme për stabilitet në Afganistan. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim. Por, para zgjedhjes së qeverisë legjitime, ne jemi përqendruar në sigurinë e këtij procesi”, tha Hollbruk.

Sipas tij, elementet tjera të strategjisë amerikane në Afganistan, janë ndihma për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë si dhe ngritja e institucioneve ligjore.
XS
SM
MD
LG