Ndërlidhjet

Sprovat e Pakos së Ahtisarit


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Përfaqësues të ICO-së thonë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të marrin pjesë në proceset që lidhen me zbatimin e Planit të Ahtisarit. Suksesi i këtij plani, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, do të testohet kryesisht përmes pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet lokale në tërë Kosovën si dhe decentralizimit.


Institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin e nevojshëm në lidhje me zbatimin e Planit të Ahtisarit, por për t’u zbatuar ky plan në tërësi është e nevojshme pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Kosovës, thonë përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Ata vlerësojnë se deri më tani është arritur progres i dukshëm në shumë sektorë, por theksojnë se sfidat për këtë vit do të fokusohen në decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Detyra kryesore për vitin 2009 do të jetë implementimi i dispozitave legale që do ta zhvillojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, e që do të ndihmojnë integrimin euroatlantik të Kosovës...

Zëdhënësi i ICO-së, Kai Muller Berner, sqaron:

“Detyra kryesore për vitin 2009 do të jetë implementimi i dispozitave legale që do ta zhvillojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, e që do të ndihmojnë integrimin euroatlantik të Kosovës. Ne jemi të fokusuar veçanërisht në procesin e decentralizimit, në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Muller Berner.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave në Kosovë, ndërkohë, vlerëson se në javët dhe muajt e ardhshëm, suksesi i Planit të Ahtisarit në Kosovë do të testohet pikërisht përmes procesit të përmendur nga ICO-ja, atij të decentralizmit, por gjithashtu nga pjesëmarrja e qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Naim Rashiti, vlerëson se mund të flitet për sukses vetëm nëse arrihet pjesëmarrja prej mbi 50 % e serbëve në zgjedhjet e sivjetme lokale.

“A do të jetë në gjendje Qeveria dhe institucionet e Kosovës të organizojnë zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës, së paku edhe me ekipe mobile për ofrimin e mundësive për pjesëmarrje në zgjedhje... Nëse kjo, për të cilën kemi shumë dyshime, kombinohet me dështimin e zgjedhjeve në pjesën tjetër, sidomos ku ekipet përgatitore janë emëruar, kjo do të jetë një dështim për shtetin e Kosovës”, tha Rashiti.

Ai thotë se kjo gjë duhet të vlejë për të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun e vendit.

“Përmes implementimit të këtij dokumenti konsolidohet tërësia territoriale e Kosovës”, thekson ai, duke i quajtur joreale mundësitë për ndarjen e Kosovës, të cilat qarkulluan së fundi në qarqet ndërkombëtare.

Përfaqësues të serbëve në Kosovë kishin paralajmëruar, kohë më parë, se do të vazhdojnë të kundërshtojnë pjesëmarrjen në decentralizmin e vendit, por edhe në zgjedhjet lokale. Mirëpo, ICO-ja e sheh qasjen e komunitetit serb ndaj këtyre proceseve ndryshe.

“Ne kemi sinjale inkurajuese nga përfaqësues të komunitetit serb. Ata janë shprehur të gatshëm për të marrë pjesë në përgatitjen e ekipeve përgatitore për decentralizimin”, shprehet zëdhënësi i ICO-së.

Mirëpo, pjesëmarrja e serbëve, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ndonëse përcakton suksesin e zbatimit të Planit Ahtisari, nuk mund të arrihet pa vullnetin e serbëve në njërën anë dhe atë të Beogradit në anën tjetër.

Sidoqoftë, Rashiti vlerëson se për çfarëdo dështimi nuk mund të fajësohet Qeveria e Kosovës.
Edhe komuniteti serb, për të cilin kjo paketë është, duhet ta bartë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe të fajësisë nëse nuk merr pjesë.

“Nëse eventualisht, me gjithë angazhimet maksimale të institucioneve tona, nuk arrihet integrimi i serbëve, nuk do të thotë se do të fajësohet Qeveria. Edhe komuniteti serb, për të cilin kjo paketë është, duhet ta bartë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe të fajësisë nëse nuk merr pjesë”, theksoi hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, zoti Rashiti.

Pakoja e Ahtisarit kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme e lokale jo më shumë se 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij dokumenti, por nuk precizon një përqindje të pjesëmarrjes së serbëve në këtë proces.

Kjo gjë duket ndryshe te procesi i decentralizimit, i cili është i lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, e ku kërkohet participimi i qytetarëve serbë, sidomos në krijimin e disa komunave të reja me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG