Ndërlidhjet

Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është veprim i gabuar, që nuk do të ndihmojë në krijimin e rrethanave të volitshme për një bashkëjetesë të komunitetit serb me komunitetin shumicë shqiptar, thonë disa përfaqësues serbë të Kosovës.


Organizimi i zgjedhjeve lokale të Serbisë në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Pejës, është veprim i gabuar i autoriteteve serbe, i cili nuk do të ndihmojë në krijimin e rrethanave të volitshme për një bashkëjetesë të komunitetit serb me komunitetin shumicë shqiptar në Kosovë.

Kështu vlerëson përfaqësuesi i subjektit politik serb, pjesëmarrës në institucionet e Kosovës, si dhe ai i iniciativës qytetare serbe për një Kosovë shumetnike.

Petar Miletiq, sekretar i Partisë së Pavarur Liberale, thotë se kjo parti nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale serbe, pavarësisht se këto zgjedhje janë, siç i quan ai, realitet.

“Unë mendoj se këto zgjedhje, si të tilla, janë një gabim, ashtu siç kanë qenë të gabueshme edhe zgjedhjet e organizuara më 11 maj, vitin e kaluar, dhe ato janë duke krijuar ndasi edhe më të madhe në mes të bashkësive serbe dhe shqiptare”.

“Por, megjithatë, ajo që duhet të konstatojmë dhe të themi, është se këto zgjedhje janë realitet dhe se në fund të fundit ato japin disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, pavarësisht se nuk pritet që institucionet e Kosovës, qoftë kryetari ose krymenistri, do t’i pranojnë ndonjëherë këta liderë”,
tha Miletiq.

Ai shtoi se zgjedhjet serbe të organizuara në Kosovë mund të interpretohen si reaksion i serbëve karshi pozitës së tyre politike në Kosovë.

Edhe Radomir Dimiq, lider i Lëvizjes “Kosova Shumetnike Evropiane”, e vlerëson veprim të gabuar organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë. Ai shpreh mendimin se këto zgjedhje më shumë janë në funksion të një politike që, sipas tij, nuk është e mirë për serbët që jetojnë në Kosovë, si dhe për ata që janë zhvendosur dhe jetojnë jashtë Kosovës.

“Unë mendoj se në esencë këto zgjedhje janë një tentim që edhe një herë serbët t’i largojnë sa më shumë dhe sa më larg nga një bashkëjetesë e vërtetë me bashkëqytetarët, me të cilët jetojnë në Kosovë, si dhe paraqesin një ikje nga zgjidhja e problemeve themelore të serbëve në Kosovë”.

“Unë mendoj se këto zgjedhje janë një veprim absolutisht i huqur”,
tha Dimiq, duke shtuar se ato nuk mund t’u sjellin serbëve asgjë të mirë, përveç, siç u shpreh, vetizolimit, getoizimit dhe një jete në kushte virtuale.

Ndryshe, zgjedhjet lokale serbe të paralajmëruara se do të organizohen në Komunën e Prishtinës dhe në atë të Pejës, sipas këtyre përfaqësuesve serbë, mëtojnë edhe forcimin e strukturave paralele serbe në Kosovë. Zoti Miletiq thotë:

“Gjithsesi se këto zgjedhje do të ndikojnë në ato struktura që të forcohet paralelizmi”.

“Duke u nisur nga ajo që njerëzit që do të zgjidhen, do të jenë të zgjedhur nga populli, nënkupton që ata fitojnë peshë të rëndësishme dhe atë peshë nuk mund t’ua marrë askush dhe do të kenë legjitimitet më të madh, pavarësisht se ata nuk do t’i pranojnë as përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, e as ata të institucioneve të Kosovës”.


Ndërkaq, zoti Dimiq shpreh mendimin se zyrtarët në Beograd po tentojnë që përmes organizimit të zgjedhjeve në Kosovë, t’u dërgojnë sinjale serbëve se shteti serb ekziston dhe funksionon në Kosovë. Me këtë veprim, siç thotë Dimiq, Serbia po përpiqet t’iu hedhë pluhur në sy serbëve në Kosovë dhe jashtë saj.

“Kjo, në njëfarë mënyre, është vetëm një tentim i disa qarqeve të caktuara politike, të cilat absolutisht ende nuk e shohin se në Kosovë ka ndryshime thelbësore dhe se ajo faktikisht është shtet i pavarur, për të cilin nuk mund të bisedohet dhe nuk ka dilema”,
theksoi Dimiq.

Sidoqoftë, zoti Miletiq tha se është e pritshme dalja masive e serbëve në këto zgjedhje. Se a duhet dalë në to ose jo, kjo, sipas tij, u mbetet vetë qytetarëve serbë të vendosin sipas ndërgjegjes së tyre.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG