Ndërlidhjet

Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë e quajnë normale mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Komunën e Pejës dhe atë të Prishtinës. Ndërkaq, analistët vlerësojnë se Prishtina zyrtare është dashur të pengojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.


Pa u penguar nga institucionet e Kosovës, serbët e Gorazhdecit të Komunës së Pejës dhe ata të Graçanicës në Prishtinë, që nga ora 7 e mëngjesit, kanë hedhur votën në kutitë e votimeve për zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Serbisë, për shkak të parregullsive në këto vendvotime gjatë zgjedhjeve të kaluara.

Zyrtarë të shtetit serb e konsiderojnë të natyrshëm zhvillimin e këtyre zgjedhjeve në Kosovë dhe mohojnë të kenë pasur ndonjë marrëveshje me mekanizmat vendorë apo ndërkombëtarë.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, tha se, ndonëse me një pjesëmarrje të ulët të qytetarëve serbë, ecuria e zgjedhjeve në Pejë e Prishtinë ka qenë në rregull dhe ka kaluar pa asnjë incident.

“Nuk kemi pasur kurrfarë pengesash. Ne i kemi paralajmëruar edhe përmes mediave, por i kemi informuar edhe përfaqësuesit e UNMIK-ut se do t’i mbajmë zgjedhjet. Ne i kemi informuar edhe për kohën dhe vendet se ku do të mbahen zgjedhjet, mirëpo nuk kemi kërkuar leje nga ata për mbajtjen e tyre”, tha Ivanoviq.

Policia e Kosoës pohon se, edhe në aspektin e sigurisë, nuk ka pasur asnjë indikacion për destabilizimin e situatës. Zëdhënësi i policisë, Arbër Beka, sqaron:

“Jo vetëm në këto dy vende, por në tërë territorin e Republikës së Kosovës, situata e sigurisë paraqitet të jetë e qetë dhe stabile. Policia e Kosovës nuk ka ofruar siguri sa i përket procesit zgjedhor, por në rast se gjatë ditës së sotme paraqitet ndonjë rast i prishjes së rendit dhe të qetësisë publike, zyrtarët policorë do të reagojnë”, tha Beka.

Autoritetet qendrore në Prishtinë i kanë quajtur jolegjitime zgjedhjet lokale të Serbisë dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të cilat, sipas tyre, janë zgjedhjet e vetme legale në Kosovë.

Mirëpo, analisti Driton Lajçi mendon se ekzekutivi kosovar dhe institucione të tjera relevante është dashur të kenë një strategji të caktuar për të ndaluar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

Lajçi thotë se me qëndrimin aktual, Prishtina zyrtare po vazhdon politikën e dikurshme të administratës së Kombeve të Bashkuara.

“Mendoj se ky është gabimi i radhës i institucioneve të Kosovës; atëherë kanë qenë ato të përkohshme, ndërsa tani janë këto që veprojnë në kuadër të sistemit të Republikës së Kosovës”.

“Kështu po përsëritet fyma e UNMIK-ut që ‘as nuk i pengojmë e as nuk i lejojmë’ dhe, në fakt, zgjedhjet serbe po mbahen në territorin e Kosovës“,
thekson Lajçi, duke thënë se zhvillimi i zgjedhjeve të Serbisë në dy komunat në Kosovë vetëm se rithekson ndikimin e Beogradit në vend.

Pavarësisht faktit se disa subjekte politike serbe, siç janë Partia e Pavarur Liberale dhe Lëvizja “Kosova Shumetnike Evropiane” e kanë cilësuar të gabuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se ato pengojnë krijimin e rrethanave të volitshme për një bashkëjetesë të komunitetit serb me komunitetin shumicë shqiptar në Kosovë, Ivanoviq ka një mendim krejt tjetër.

Ai po ashtu thekson se numri i votueseve potencialë serbë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit do të jetë minimal.

“Në situatën në të cilën jemi ne, zgjedhjet e 15 nëntorit nuk janë me rëndësi për serbët e Kosovës. Meqenëse e kemi të qartë qëndrimin e kryetarit të Serbisë dhe të Qeverisë së Serbisë se nuk përkrahet pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje, ne nuk presim që shumë serbë të dalin apo të kandidohen në ato zgjedhje”, theksoi Ivanoviq.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, vitin e kaluar, Qeveria e Serbisë ka organizuar dy herë zgjedhjet e saj nëpër zonat e banuara me serbë në Kosovë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG