Ndërlidhjet

logo-print

S'ka instalim të komunave paralele serbe


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Zgjedhjet serbe, të mbajtura në dy komuna të Kosovës, nuk do të prodhojnë efekte juridike e as formim të komunave paralele, thonë në Qeverinë e Kosovës. Ndërkaq, opozita kritikon tolerimin e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve.



Qeveria e Kosovës thotë se nuk do të ketë implementim të rezultatit të zgjedhjeve serbe në Kosovë. Duke i cilësuar si ilegale zgjedhjet komunale të Serbisë në Kosovë, Qeveria në Prishtinë thotë se këto zgjedhje nuk do të mund të prodhojnë efekte dhe formim të komunave paralele.

Në anën tjetër, opozita kritikon tolerimin që institucionet ua kanë bërë zgjedhjeve të djeshme serbe, të mbajtura për Komunën e Prishtinës dhe atë të Pejës.

Marrë parasysh dëmet që po shkakton pushteti paralel për disa vite, opozita thotë se ky tolerim vetëm sa sforcon ambiciet dhe apetitet e këtyre strukturave për shtrirje më masive në Kosovë.

Por, sipas zëvendëskryeministrit Ramë Manaj, zgjedhjet serbe ishin ilegale dhe si të tilla ato nuk do të mund të implementohen.
Janë zgjedhje ilegale, jovalide, janë të papranueshme dhe si të tilla nuk prodhojnë asnjë efekt juridik.

“Janë zgjedhje ilegale, jovalide, janë të papranueshme dhe si të tilla nuk prodhojnë asnjë efekt juridik. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, janë të paimplementueshme rezultatet e zgjedhjeve të tilla. Përderisa është kështu, atëherë është një veprim, një lojë me vetveten, që merret një pjesë e komunitetit serb, e instrumentalizuar nga politika zyrtare e Beogradit”, thotë Manaj.

Ndërkohë, Avni Arifi, anëtar i kryesisë së partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se duhet dhënë fund ndërhyrjeve të Qeverisë së Serbisë në territorin e Kosovës, që si rezultat sjellin shtrirjen e vazhdueshme të strukturave paralele-ilegale.

“Duhet t’i jepet fundi kësaj loje apo këtyre ekzibicioneve që Qeveria e Serbisë po i bën në Kosovë që një kohë të gjatë”.
Duhet t’i jepet fundi kësaj loje apo këtyre ekzibicioneve që Qeveria e Serbisë po i bën në Kosovë që një kohë të gjatë...

“Institucionet e Kosovës kanë një retorikë shumë të theksuar, por kur vjen deri te praktika, bëhet se nuk është palë fare në proceset në Kosovë dhe toleron e shkakton edhe konfuzion pikërisht tek minoriteti serb, por njëkohësisht edhe e vazhdon agoninë e stabilitetit të përgjithshëm në Kosovë”,
thekson Arifi.

Avni Arifi thotë po ashtu se duhet të identifikohen se cilat janë veprimet që integrojnë dhe ato që dezintegrojnë komunitetin serb në jetën institucionale e legale të Kosovës.

Lejimi i organizimit të institucioneve paralele, sipas tij, bie ndesh me politikat kosovare për integrimin e plotë të komunitetit serb.

Ndërkaq, kryetarja e Këshillit Nacional Serb për pjesën qendrore të Kosovës, Rada Trajkoviq, thotë se serbët duhet të kenë kompetenca në fushat e pushtetit lokal, që ndërlidhen me arsimin, shëndetësinë dhe trashëgiminë kulturore e fetare.

Por, zgjedhjet komunale serbe në Kosovë, ajo i sheh më shumë si imitim pushteti, sesa si vendosje të një pushteti faktik të Serbisë në komunat e Kosovës.
Beogradi me këto zgjedhje përpiqet të stimulojë pushtetin...

“Beogradi me këto zgjedhje përpiqet të stimulojë pushtetin dhe fatkeqësisht të ndërtojë një lloj platforme politike, sipas së cilës, përpiqet të dëshmojë se ka një lloj pushteti në Kosovë”, thotë Trajkoviq.

Kurse, zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se kjo është një lojë e Beogradit me serbët e Kosovës, pasi që, sipas tij, dita-ditës një pjesë e këtij komuniteti po integrohet në kuadër të institucioneve kosovare.

Manaj beson në një pjesëmarrje më të madhe të serbëve në zgjedhjet e ardhshme komunale të Kosovës, më 15 nëntor.

Qeveria e Kosovës
“Komuniteti serb në Kosovë, ndonëse ngadalë, po integrohet në realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Ne kemi fakte tashmë, që subjekte partiake serbe kanë aplikuar dhe janë certifikuar tek KQZ-ja e Republikës së Kosovës, për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 nëntorit, që janë zgjedhje legale”,
thotë Manaj.

Zgjedhjet e djeshme serbe, të quajtura si të parakohshme, u organizuan për Komunën e Prishtinës dhe u mbajtën në Graçanicë, si dhe për Komunën e Pejës, të mbajtura në Gorazhdec.

Strukturat paralele serbe konsiderohet se janë më të fuqishme në pjesën veriore të Kosovës, për shkak të përqindjes më të madhe të popullatës së këtij komuniteti në atë pjesë dhe afërsisë kufitare me Serbinë, përderisa në pjesët tjera të Kosovës, përkundër ekzistimit, strukturat e tilla paralele tashmë konsiderohen si më të dobëta.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG