Ndërlidhjet

Kriteret e punësimit në administratën publike


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Të interesuarit për punë duhet të anëtarësohen në atë parti, e cila menaxhon sektorin përkatës, thonë përfaqësues të qendrave rinore, disa ligjvënës si dhe ekspertë të ekonomisë. Me këtë s'pajtohen zyrtarë qeveritarë.



Nëse do që të punësohesh në ndonjërin nga institucionet publike, pavarësisht aftësimit profesional, kusht kryesor është të jesh anëtar i asaj partie politike, e cila udhëheq atë sektor. Ky është vlerësim i përfaqësuesve të organizatave rinore, disa ligjvënësve në Kuvendin e Kosovës dhe ekspertëve të ekonomisë.

Sipas tyre, duke filluar që nga qeveria e parë, politika e punësimit ka qenë e bazuar në partitë që kanë qenë në pushtet.

Lindita Loshi, udhëheqëse e Qendrës Rinore të Kosovës, thotë se me këtë fenomen është ballafaquar edhe vetë dhe e konsideron mjaft shqetësues. Ajo pohon se qeveritë në pushtet po shfrytëzojnë gjendjen e rëndë socio-ekonomike, duke anëtarësuar të rinj në radhët e partive politike si alternativë për të gjetur një vend të lirë pune.
...nëse nuk je në parti, nuk mund të shkosh drejt punësimit.

“Kjo është shqetësuese, sepse është dukuri që e kam vërejtur - nëse nuk je në parti, nuk mund të shkosh drejt punësimit. Realisht, kjo është nga përvoja ime, pasi kam dashur të kyçem diku tjetër dhe më kanë thënë se pa qenë në parti...”.

“Tash duhet që të gjithë të rinjtë ose çdonjëri që dëshiron të punësohet, të hyjë në parti që të shkojë deri tek punësimi. Mua kjo dukuri nuk më ka pëlqyer”,
u shpreh Loshi.

Edhe Rexhep Gojnovci, menaxher në qendrën rinore “Akti”, pohon se të rinjtë kosovarë po ndikohen nga ky fenomen. Sipas tij, të rinjtë, tash për tash, janë orientuar në dy drejtime: ata që inkuadrohen në organizatat joqeveritare dhe në proceset politike. Por, thotë Gojnovci, fitimtarë janë ata që anëtarësohen në partitë politike.

“Realisht, më fitimtarë janë të rinjtë e partive politike; ata gjejnë mënyra për të fituar, sepse përkrahin partitë politike”.

“Nëse një i ri i organizatës që unë e menaxhoj, largohet nga organizata, me qëllim për t’u futur në një forum të partive politike, me qëllim të përfitimit dhe të arritjes së tij më të shpejtë tek një vend i punës, atëherë kjo do ta çojë në dëm, sepse derisa të vijë deri tek një vend i punës, duhet të bëjë shumë sakrifica dhe mund”,
thotë Gojnovci.

Zylfie Hundozi, kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, pohon se shkalla e lartë e papunësisë dhe kushtet e vështira socio-ekonomike, në një mënyrë i detyrojnë të rinjtë që të radhiten në radhët e partive politike, vetëm që të jenë më afër ndonjë vendi të punës.
Papunësia po i shtyn njerëzit të orientohen në politikë, të shkojnë në parti politike, si formë e gjetjes së vendit të punës.

“Po e shihini që papunësia po i shtyn njerëzit të orientohen në politikë, të shkojnë në parti politike, si formë e gjetjes së vendit të punës. Sikur të kishte një zhvillim ekonomik të mirëfilltë, atëherë do të kishte dhe vende të lira të punës. Njerëzit, konform profesionit të tyre, do të gjenin vende që i përkasin edukimit të tyre, e jo të shkojnë atje ku nuk e kanë vendin”, thotë Hundozi.

Me ndërrimin e qeverive në Kosovë, përveç ndërrimit të stafit politik, po ndërrohen edhe shërbyesit civilë, pohon eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku. Zbatimi i këtij fenomeni, thotë ai, përveçse dëmton buxhetin, sjell probleme të mëdha për funksionimin joadekuat të institucioneve të mandatuara për shërbime publike.

“Mendohet se me rastin e pranim-dorëzimit të pushtetit, çdo gjë duhet të ndryshojë - duhet të ndryshojë programi, duhet të ndryshojë rrjedha e kursit të reformave, duhet të ndryshojë administrata”.

“Dhe, ajo që më së shumti do ta dëmtojë Kosovën, është ndërrimi i administratës, sepse ju e dini se në një periudhë 3-4 vjeçare, investohet mjaft në sistemin e trajnimit, në aftësimin, në ndërtimin e kapaciteteve administrative dhe tani na vjen një situatë kur brenda 3-4 muajsh fillon ndërrimi i administratës”,
shprehet Sadiku.

Në anën tjetër, zyrtarë në Qeverinë e Kosovës e mohojnë një gjë të tillë. Dëfrim Rifaj, drejtor i Departamentit të Punës dhe Punësimit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përgjigjet shkurt, duke thënë se politika e punësimit në administratën publike është mjaft transparente dhe në bazë të
Punësimi bëhet në mënyrë shumë legale, shumë transparente dhe profesionale...
kritereve të caktuara nga institucioni përkatës.

Punësimi bëhet në mënyrë shumë legale, shumë transparente dhe profesionale. Këto janë tendenca të njerëzve të caktuar”, deklaron Rifaj.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Administratës Publike pohojnë se gjatë këtij muaji ka pasur zvogëlim të numrit të të punësuarve. Fitim Sadiku, ushtrues detyre i sekretarit të përhershëm në këtë ministri, thotë se në këtë institucion nuk ka pasur të punësuar në baza partiake. Ai pohon se afro 74 mijë punëtorë janë të punësuar në administratën publike.

“Unë mund të them me bindje të plotë se një gjë e tillë nuk është e shprehur. Do të thotë, rekrutimi është i decentralizuar në Kosovë, secila organizatë buxhetore zhvillon procesin e rekrutimit e pavarur. Nuk mund të flas për të tjerët, por ne si ministri nuk kemi raste të tilla”, thekson Sadiku.

Sidoqoftë, eksperti Muhamet Sadiku thotë se Bashkimi Evropian, vërejtjet më të mëdha dhe kufizimet më të mëdha i sheh tek aparati administrativ, jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Administrata e pareformuar, administrata në mungesë të shkathtësive, pohon Sadiku, janë faktorë limitues për tërheqjen e fondeve dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG