Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Tetë të arrestuar në incidentin ndëretnik


Incidenti në Lagjen Nerezi, 16 gusht 2009.

Incidenti në Lagjen Nerezi, 16 gusht 2009.

Policia maqedonase ka parashtruar kallëzime penale kundër tetë personave lidhur me incidentin e djeshëm në Lagjen e Nerezit, në të cilin u lënduan shtatë persona, gjatë sulmit të grupit të tifozëve maqedonas “Komiti” mbi popullatën lokale shqiptare.

Të dyshuarit gjenden para gjykatësit hetues, ndërsa ngarkohen për vepër penale – dhunë.

Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, tha se në rrjedhë është identifikimi i pjesëmarrësve tjerë në incident.

Jankullovska tha se “gjatë lëvizjes së komitëve, dje, ka ardhur deri te zënka me popullatën lokale dhe bërtitje të ndërsjella që kanë kaluar në konfrontim fizik”.

Te pjesa më e madhe e personave që kanë qenë dëshmitarë, është shkaktuar gjendje e frikës dhe e pasigurisë”, tha Jankullovska.

Ministrja Jankullovska paralajmëroi se nëse vlerësohet se një pjesë e policëve, gjatë incidentit nuk kanë reaguar në mënyrë adekuate, do të vijojnë masa edhe kundër tyre.

Kryetari i Komunës Karposh kërkoi përgjegjësi nga policia, e cila ka lejuar incidentin, duke mos penguar agresionin e komitëve ndaj qytetarëve të pafajshëm.

“Nuk mund të kuptoj se si ka mundur policia të lejojë gjithë këtë grup njerëzish të lëvizin pa sigurim, dhe kur ka ardhur tek incidenti, polica të qëndrojë anash dhe ta vëzhgojë rastin pa ndërhyrë”, tha kryetari i Komunës Karposh, Stevce Jakimovski.

Ndaj përleshjes fizike në Lagjen Nerez të Shkupit, ashpër kanë reaguar dhe partitë politike shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar përgjegjësi për rastin e djeshëm nga dikasteri i policisë.

“Ne kërkojmë nga dikasteri i Punëve të Brendshme t’i ndërmarrë të gjitha masat për përgjegjësi profesionale të komandantit dhe zëvendësit të tij të stacionit policor të Komunës Karposh, ku bën pjesë dhe Lagjja Nerez, ku dhe ndodhi incidenti, për shkak se nuk kanë siguruar lëvizjen e turmës së njerëzve – tifozët komitë, simpatizues të ekipit të futbollit Vardar, të cilët kanë kaluar në lagjen e banuar kryesisht me shqiptarë, Nerez të Shkupit”, tha deputeti i BDI-së, Safet Neziri.

Ndërkaq, edhe partia shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, ka reaguar ashpër ndaj akteve të grupit të tifozëve “Komitët”, të cilët në mënyrë brutale rrahën disa banorë të Lagjes Nerez të Shkupit.

Dje, në orët e pasdites, qytetarët nga Lagjja e Nerezit janë keqtrajtuar nga një grup i tifozëve të quajtur “Komiti”. Sipas banorëve, para ndeshjes futbollistike Makedonija Gj.P. dhe Vardar, rreth orës 3, tifozët kanë kaluar urën e "Kombeve të Bashkuara" dhe kanë filluar të gjuajnë me gurë dhe gjëra të tjera të rënda drejt qytetarëve dhe makinave.

Sipas dëshmitarëve okularë, sulmuesit kanë hyrë nëpër shtëpi dhe oborre dhe fizikisht i kanë sulmuar banorët, të cilët kryesisht janë shqiptarë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG