Ndërlidhjet

“EULEX-i anashkalon Prishtinën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX-i, do të nënshkruajë një protokoll bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Lajmi është konfirmuar dje nga burime të “Zërit” në EULEX... Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është përgatitur marrëveshja mes Serbisë dhe EULEX-it. “Ne jemi të interesuar që sa më shumë t’i pengojmë veprimet kriminale dhe për këtë arsye Ministria e Brendshme e Serbisë është e gatshme që të nënshkruajë protokollin operativ me policinë e EULEX-it”, ka thënë ai. Nga ana tjetër, zyrtarë nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës e kanë kundërshtuar ashpër këtë marrëveshje, duke vlerësuar se të drejtën për lidhjen e marrëveshjeve të ndryshme e kanë vetëm institucionet e vendit dhe askush tjetër...

BOTA SOT
Kompletimi i infrastrukturës ligjore të shtetit të ri sovran mbetet prioritet i Kuvendit të Kosovës, por që për këtë vit edhe Kuvendi ka përgjysmuar punën në nxjerrjen e ligjeve. Po ashtu, Kuvendi vazhdon të mos kryejë edhe monitorimin e ligjeve dhe ky vlerësohet të jetë një nga dështimet më të mëdha të legjislativit, i cili nxjerr ligje, por nuk i monitoron ato se sa po implementohen në praktikë. Implementimi i ligjeve në praktikë siguron funksionimin e shtetit ligjor; mundëson funksionimin e një shteti ligjor dhe sundim të rendit dhe ligjit. Mosmonitorimi i ligjeve nga ana e Kuvendit vlerësohet nga deputetët një lëshim dhe një neglizhencë e vetë atyre, por gjithsesi edhe mungesë e kapaciteteve për të monitoruar ligje të caktuara. Që puna e Kuvendit në monitorimin e ligjeve të jetë sa më e efektshme, disa deputetë mendojnë se duhet krijuar një komision i veçantë, i cili ekskluzivisht do të merrej me monitorimin e ligjeve...

EPOKA E RE
Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ka kërkuar të hënën nga gjashtë institucione të fillojnë procedurën e shkarkimit të gjashtë zyrtarëve të lartë për mosdeklarimin e pasurisë së tyre, gjë e cila parashihet edhe nëpërmjet Ligjit Kundër Korrupsionit. Nëpërmjet komunikatës së lëshuar nga AKK-ja, kërkohet nga institucionet, ku punojnë këta zyrtarë, që sa më parë t’i fillojnë procedurat e shkarkimit të tyre, të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet e kërkuara nga ky agjencion... “Afati i ri i vendosur nga AKK-ja përcaktonte datën 30 prill 2009, si afat i fundit ligjor për dorëzimin e formularëve të deklarimit të gjendjes së pasurisë, ku numri i zyrtarëve të lartë që kanë deklaruar pasurinë deri me këtë datë arrin në 778, apo 97.2 për qind”, ka bërë të ditur AKK-ja...

KOHA DITORE
Nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe askush në emër të tyre nuk mund ta vërë firmën në çfarëdo dokumenti, kanë bërë të ditur zyrtarët e Presidencës së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës, autoriteti që përmes një letre të dërguar në shkurt dhe të ridërguar në gusht të vitit të kaluar kishte ftuar misionin evropian për sundim të ligjit, EULEX, që të
mbështesë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë fushë, ka hedhur poshtë mundësinë e bartjes së fuqive ekzekutive në duar të zyrtarëve evropianë për administrim të çështjeve që kanë të bëjnë me policinë, doganat dhe gjykatat. “Nënshkrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të Republikës së Kosovës, meqë Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe askush nuk mund të nënshkruajë asgjë në emër të saj”, ka thënë zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri...

LAJM
Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor kundër vendosjes së kamerave monitoruese në vendvotime ende nuk u ka dhënë fund insistimeve të zyrtarëve të katër prej pesë partive të mëdha, që e kanë përkrahur këtë kërkesë. KQZ-ja, me këtë vendim, i ka hapur vetes probleme të reja dhe i ka vërtetuar dyshimet se është nën presionin politik të partisë kryesore në pushtet, e cila nuk është deklaruar fare rreth kërkesës së AKR-së për vendosjen e kamerave monitoruese në vendvotimet e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 15 nëntor. Ndryshe nga partitë që kishin përkrahur iniciativën e AKR-së, partia kryesore në koalicionin qeverisës, PDK-ja, kishte heshtur. Por, përfaqësuesit e AKR-së, AAK-së, LDD-së, LDK-së dhe disa partive tjera parlamentare dhe joparlamentare vazhdojnë të kërkojnë vendosjen e kamerave në vendvotime në zgjedhjet e 15 nëntorit, si kusht i rëndësishëm për transparencën e këtij procesi...

INFOPRESS
Njihja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia – një temë tabu për shumëkë në Beograd, por jo edhe për Milenko Deretën, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare Nisma Qytetare në Beograd. Ai sugjeron autoritetet atje që të mos zvarrisin më shumë këtë çështje dhe të marrin një vendim të shpejtë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. sidoqoftë, ka edhe të atillë që shprehen shumë skeptikë se kjo do të arrihet, përderisa në krye të klasës politike në Beograd qëndrojnë njerëz, të cilët vazhdojnë të ushqejnë dhe promovojnë politikat e vjetra millosheviqiane. I bindur se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk duhet të shtyhet nga ana e Beogradit, aktivisti beogradas, Milenko Dereta, ka thënë se kjo çështje duhet zgjidhur shpejt, duke mos përjashtuar as formën radikale...

KOSOVA SOT
Ish-AKM-ja dhe tani AKP-ja kanë shitur pjesën dërrmuese të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Kanë mbetur disa toka bujqësore dhe ndërmarrje të vogla tregtare. Por, problemet e pronarëve të rinj, blerës të ndërmarrjeve shoqërore, nuk mbarojnë me një nënshkrim formal të kontratës. Ata presin me vite derisa të marrin në posedim pronën, e cila në rastet më të mëdha blihet me kredi dhe kamata tejet të larta... Një pjesë e madhe e këtyre pronave janë uzurpuar nga individë dhe ata nuk largohen nga pronat e shitura deri në një vendim gjyqi, i cili zgjat prej dy deri në katër vjet. Uzurpatorët, duke ditur se sa zgjasin procedurat e përmbarimit në gjykatat tona, sillen kështu, jo se kanë të drejtë, por të përfitojnë në kohë, sa më gjatë që është e mundur. Fitohet përshtypja sikur AKP-ja nuk çan kokë më, pasi të marrë paratë nga “pronarët” e rinj...

EXPRESS
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ai i LDK-së, Fatmir Sejdiu, duket se kanë një marrëveshje interne për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Ajo mund të rrjedhë nga Pika III e Marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re, e nënshkruar në janar të vitit 2008 nga Thaçi dhe Sejdiu. Burime të “Expressit” thonë se dy liderët kryesorë të vendit janë pajtuar që PDK dhe LDK të garojnë ndarazi për zgjedhjet lokale, por nëse njëra parti dështon të hyjë në balotazh, atëherë ajo mbështet partnerin që vazhdon të jetë në lojë. “Kryeministri dhe presidenti janë pajtuar plotësisht rreth kësaj marrëveshjeje. Ideja është kjo: ne konkurrojmë ndarazi në fushatë, por nëse, bie fjala, kandidati i LDK-së hyn në balotazh me një kandidat të AAK-së, atëherë PDK mbështet kandidatin e LDK-së. Ose, e kundërta”, ka thënë një burim i gazetës, i afërt me bisedimet që janë zhvilluar mes Thaçit dhe Sejdiut dy javë më parë...
XS
SM
MD
LG