Ndërlidhjet

Obama: Luftën nuk e zgjodhëm ne


Barak Obama
Barak Obama

Lufta në Afganistan nuk është luftë e zgjedhjes, por e nevojës, për t’i mbrojtur amerikanët, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.


Presidenti Barak Obama i tha një grupi të veteranëve se lufta kundër talibanëve në Afganistan nuk do të jetë e shpejtë e as e lehtë, por kjo luftë nevojitet për t’i mbrojtur amerikanët nga sulmet terroriste.

Obama gjithashtu e mbrojti vendimin e tij për të dërguar më shumë trupa amerikane në Afganistan dhe premtoi që t’i japë fund luftës në Irak.

Obama foli para afro 5 mijë veteranëve të luftës dhe familjeve të tyre. Ai i përkujtoi se “kryengritja në Afganistan nuk ndodhi brenda natës” dhe tha se ajo nuk do të mundet brenda natës. “Kjo nuk do të bëhet shpejt. Kjo nuk do të jetë e lehtë”, tha Obama.

Ai e mbrojti vendimin e tij për të dërguar 30 mijë ushtarë shtesë në Afganistan, duke thënë se strategjia e re e administratës “ka mision të qartë dhe qëllime të përcaktuara, që ta mundë Al Kaidën dhe aleatët e saj ekstremistë”.

Obama tërhoqi vërejtjen se “nëse mbetet e paprekur, kryengritja e talibanëve do të nënkuptojë strehë edhe më të madhe, prej ku Al Kaida do të komplotonte për të vrarë më shumë amerikanë”.

“Nuk duhet të harrojmë: kjo nuk është luftë e zgjedhjes. Kjo është luftë e nevojës. Ata që e sulmuan Amerikën më 11 shtator, po komplotojnë që të bëjnë ashtu përsëri. Kjo nuk është vetëm një luftë që ia vlen ta luftosh, por është edhe fundamentale për popullin tonë”, tha presidenti Obama.

Që nga ardhja në zyrë në janar, Obama ka urdhëruar dërgimin e 21 mijë trupave shtesë në Afganistan, duke e çuar në 62 mijë numrin e përgjithshëm.

Në muajt në vijim, kjo shifër do të arrijë në 68 mijë, dyfish më shumë se gjashtë muaj më parë, ndërsa analistët besojnë se komandanti i trupave, gjenerali Stenli Mekristall, do të kërkojë edhe shumë më tepër.

Sidoqoftë, ndërsa strategjia e Obamës po fillon të vihet në jetë, amerikanët po e humbin dëshirën e tyre për luftën.

Një sondazh i kryer në fillim të gushtit tregoi se mbështetja e opinionit për luftën po bie. Më shumë se gjysma e amerikanëve, 54 %, tash thonë se e kundërshtojnë luftën në Afganistan, shmangie e cila mund të jetë pasojë e pritjes së opinionit për përfundimin e angazhimit amerikan në Irak.

Obama edhe një herë e ripërsëriti zotimin e tij për t’i tërhequr të gjitha brigadat luftuese nga Iraku deri në vitin e ardhshëm në këtë kohë dhe për t’i sjellë në shtëpi të gjitha trupat deri në fund të vitit 2011.

“Teksa ecim përpara, populli i Irakut duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara do t’i mbajnë premtimet. Edhe populli amerikan duhet ta dijë se ne do të ecim përpara me strategjinë tonë. Për Amerikën, lufta në Irak do të përfundojë”,
tha Obama.

Në Afganistan, dhuna është shkallëzuar. 44 amerikanë e humbën jetën vetëm në korrik, ndërsa bilanci i viktimave në radhët e trupave britanike kaloi 200.

Obama pranoi se janë shtuar sulmet vdekjeprurëse, por i siguroi veteranët se taktikat ushtarake po u përshtaten metodave të armikut, ndërsa trupave u janë dhënë pajisjet e nevojshme për ta fituar luftën.

XS
SM
MD
LG