Ndërlidhjet

Zbatueshmëria e Ligjit anti-korrupsion


Zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit thonë se janë në pritje të vendimeve për largimin nga puna të zyrtarëve, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre, për të cilën gjë obligohen me ligj.


Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se të gjithë ata zyrtarë, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë, sa më parë duhet të largohen nga puna

“Ne nuk do të ndalemi edhe me mënyra të tjera, të tentojmë t’i detyrojmë, t’i bindim këto institucione, këta udhëheqës, që definitivisht ta respektojnë ligjin”.

Hasan Preteni
“Institucionet, që pritet ta zbatojnë ligjin, janë Këshilli Gjyqësor, që e ka atë obligim, Këshilli Prokurorial, i cili nuk e di a është formuar, por është pjesë e Këshillit Gjyqësor, dhe kemi një rast nga Ministria e Shëndetësisë. Pres që këto të vetëdijesohen dhe t’i kryejnë obligimet konform ligjit”,
tha Preteni.

Sipas ligjit, Agjencia Kundër Korrupsionit është e obliguar t’i publikojë emrat e zyrtarëve, të cilët nuk e dorëzojnë formularin mbi gjendjen e pasurisë. Sanksionet llogariten sipas vlerësimit të masës së shkeljes dhe sipas pozitës së zyrtarit të lartë publik.

Agjencia bën kërkesë që vendimi për largim nga puna të ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga ana e institucionit, ku zyrtari i lartë publik është në marrëdhënie pune.

Ekzekutimi i sanksionit të përcaktuar në paragrafin 16.3, bëhet brenda 15 ditëve, duke ndalur nga paga e zyrtarit të lartë publik vlerën e shumës së sanksionit të shqiptuar nga punëdhënësi ku është në marrëdhënie pune.

Nëse zyrtari i lartë publik nuk dorëzon formularin mbi gjendjen e pasurisë edhe pas ekzekutimit të detyrueshëm të sanksionit nga institucioni ku është i punësuar, Agjencia njofton organin përgjegjës për fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra.

Disa nga zyrtarët publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, janë gjyqtarë të komunitetit serb, të cilët figurojnë në listën e gjyqtarëve të Këshillit Gjyqësor Prokurorial të Kosovës, por të cilët, sipas disa zyrtarëve të këtij këshilli, që katër vjet nuk marrin paga nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.

Po ashtu, bëhet e ditur se deri më tash, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës nuk ka arritur kurrfarë kërkese nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit për largimin nga puna të asnjë zyrtari, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se sa i përket kërkesës së AKK-së për largimin nga puna të një zyrtari shëndetësor, masat do të merren shpejt.

Drejtori i Zyrës për informim publik në këtë ministri, Faik Hoti, pohon se në ditët në vijim do të veprohet në bazë të ligjit.
Ministria (e Shëndetësisë) do të procedojë në bazë të ligjit dhe nuk presim të ketë komplikime rreth këtij rasti.

“Sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë, bëhet fjalë vetëm për një zyrtar të saj, i cili është i ngarkuar me shëndetin mendor në Komunën e Gjakovës. Ministria do të procedojë në bazë të ligjit dhe nuk presim të ketë komplikime rreth këtij rasti”, tha Hoti.

Edhe pse ka kaluar kohë që prej publikimit të emrave të zyrtarëve që nuk kanë deklaruar pasurinë, zyrtarë në Agjencinë Kundër Korrupsionit mohojnë të ketë pasur ndonjë reagim nga ana e tyre.

Megjithatë, zoti Preteni shprehet skeptik sa i takon largimit nga puna të këtyre zyrtarëve, marrë parasysh dhe faktin se tre nga ta kanë figuruar dhe në listën e vitit të kaluar dhe, siç thotë ai, as atëherë nuk është ndërmarrë ndonjë masë ndëshkimi kundër tyre.

“Tre persona i kemi, të cilët kanë qenë edhe vitin e kaluar dhe janë edhe tani. Unë mendoj që çdo institucion i ka obligimet e veta; ne po tentojmë t’i zbatojmë ato që janë konform ligjit. Ne nuk e kemi atë fuqinë ekzekutive që t’i detyrojmë, mirëpo gjithçka përfundon me kërkesat tona”, theksoi Preteni.

Nga 800 zyrtarë të lartë sa kanë pasur për obligim të deklarojnë pasurinë në vitin 2009, një gjë të tillë e kanë bërë 99.2% e tyre.
XS
SM
MD
LG