Ndërlidhjet

Gjeorgjia largohet nga BSHP-ja


Mikael Sakashvilli
Mikael Sakashvilli

Gjeorgjia sot përfundon procesin e tërheqjes nga Bashkësia e Shteteve të Pavarura, grupim ky i themeluar para 18 vjetësh, e qe përfshin një pjesë të ish-republikave sovjetike. Tërheqja është hapi i fundit në një proces që nisi vitin e kaluar, gjatë luftës Rusi-Gjeorgji.


Ishte 12 gushti i vitit 2008 dhe beteja për Tshkinvalin, kryeqyteti i Osetisë Jugore, kishte marrë fund.

Osetia Jugore dhe Abkazia janë dy rajone të Gjerogjisë që kërkojnë shkëputjen e që nuk gjenden nën kontrollin e Tbilisit.

Forcat ruse kontrollonin qytetin, ndërsa trupat ushtarake kishin hyrë edhe brenda territorit gjeorgjian.

Presidenti gjeorgjian, Mikael Sakashvilli, e bëri të ditur synimin e tij për të tërhequr Gjeorgjinë nga Bashkësia e Shteteve të Pavarura, të cilat ai i fajësoi se dështuan në parandalimin e konfliktit.

“Sigurisht se duhet të largohemi nga Bashkësia e Shteteve të Pavarura, pasi është krejtësisht një organizatë e dështuar ndërkombëtare. Në thelb, kjo organizatë nuk mund të bëjë asgjë për të parandaluar tragjedinë që po ndodh. Duke u tërhequr nga kjo organizatë, ne jemi duke i dhënë edhe lamtumirën përfundimtare Bashkimit Sovjetik”, ka deklaruar Sakashvilli.

Grupimi është themeluar në vitin 1981. Me kalimin e viteve, kjo organizatë është parë në Moskë si instrument për të ruajtur ndikimin në ish-hapësirën sovjetike.

Gjatë njoftimit për tërheqjen përfundimtare, zëvendësministri i Jashtëm gjeorgjian, Dejvid Jalagania, u tha gazetarëve se Gjeorgjia do të mbetet pjesë e disa marrëveshjeve me këtë organizatë, siç janë ato që kanë të bëjnë me tregtinë e lirë dhe me udhëtimin pa viza brenda vendeve anëtare të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura.

Gjeorgjia gjithashtu do të nënshkruajë një numër marrëveshjesh dypalëshe me vendet partnere kryesore të kësaj organizate, Ukrainën dhe Kazakistanin.

Analisti politik në Gjeorgji, Tornike Sharashendize, ka thënë se tërheqja e Tbilisit nga ky organizëm ka qenë e nevojshme pas njohjes që u bëri Rusia dy rajoneve të Gjeorgjisë, Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

“Është e pamundur të qëndrosh brenda një organizate, anëtarë të së cilës nuk respektojnë integritetin tuaj territorial. Ne u larguam në kohën dhe mënyrën e duhur. Sikur ta bënim këtë veprim më herët, do të ishte perceptuar si gjest konfrontimi dhe provokativ”,
u shpreh Sharashendize.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme në Rusi ka thënë se është e drejtë e çdo vendi sovran që të bashkohet apo të largohet nga cilado organizatë.

Në të njëjtën kohë, Moska rikujton se populli në Gjeorgji do t’i vuajë më së shumti pasojat e këtij vendimi.

Pas tërheqjes së Gjeorgjisë, Bashkësia e Shteteve të Pavarura numëron 11 vende anëtare: Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgizinë, Moldavinë, Rusinë, Taxhikistanin, Turkmenistanin Ukrainën dhe Uzbekistanin.
XS
SM
MD
LG