Ndërlidhjet

logo-print

Trendet pozitive në ekonominë botërore dhe dalja nga recesioni e disa shteteve perëndimore, do të reflektojnë edhe në ekonominë e Kosovës, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Ata pohojnë se dalja nga recesioni drejtpërsëdrejti do të ndikojë në shtimin e eksporteve dhe në përmirësimin e performancës ekonomike të Kosovës.


Lëvizjet e fundit në bursat ndërkombëtare janë shpresëdhënëse edhe për ekonominë e Kosovës. Këto trende pozitive, sipas ekspertëve për çështje ekonomike dhe përfaqësuesve të Bankës Qendrore të Kosovës, do të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e konsumit, në rritjen e eksporteve dhe në zhvillimin e sektorit financiar.

Analisti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë se trendet pozitive në ekonominë botërore do të ndihen edhe në Kosovë. Sipas tij, në vitin 2010, sasia e eurove që vijnë nga shtetet perëndimore, do të rritet më shumë sesa që ka qenë gjatë këtij viti.

“Ditëve të fundit, shumë institucione financiare apo institute me renome botërore, siç është Instituti i Vjenës, japin parashikime se ekonomia botërore në kuartalin e fundit do të ketë një ngritje, që do të reflektohet edhe në ekonominë e Kosovës”.

“Ky reflektim, sipas mendimit tim, mund të vështrohet përmes tri pikave kryesore - do të rriten remitencat , ku shkalla e papunësisë do të zvogëlohet dhe bashkatdhetarët tanë do të gjejnë vende të lira të punës”,
thotë Bektashi.

Reflektimi i dytë në ekonominë e Kosovës, sipas profesor Bektashit, ka të bëjë me çmimet e lëndëve të para. Ai thekson se me procesin e zhvillimit të ngritjes ekonomike, ka filluar ngritja e çmimeve të metaleve, kështu që, sipas tij, një pjesë e kapaciteteve që ishin mbyllur në Kosovë për shkak të recesionit të thellë ekonomik, do të rrisin prodhimin, shkallën e punësimit dhe të eksporteve të Kosovës në tregjet e huaja.

Ngritja e metaleve në tregun ndërkombëtar ka përmirësuar gjendjen edhe në kompaninë “Ferronikel” në Drenas. Menaxheri i “Ferronikelit”, Arten Bajrushi, thotë se përmirësimi i çmimeve të metaleve në tregun ndërkombëtar ka ndikuar për të mirë edhe në të hyrat e kompanisë.

Tani, çmimet kanë filluar të rriten. Aktualisht, një ton nikel është duke u shitur 20 mijë dollarë. Prodhimi është duke shkuar mirë. Ne kemi filluar edhe me linjën e dytë. Shpresojmë se nëse çmimet rrinë kështu konstant, brenda 5-6 muajve do të mund t’i rikooperojmë të gjitha ato humbje që i kemi pasur gjatë periudhës tetëmujore”, thotë Bajrushi.

Përveç këtyre reflektimeve që mund të kenë trendet pozitive në ekonominë botërore, në ekonominë e Kosovës, eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë se do të ketë edhe investime të huaja, të cilat, sipas tij, do të rezultojnë me hapjen e vendeve të reja të punës dhe stimulim për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës.

“Reflektimi i tretë ka të bëjë me faktin se me procesin e zhvillimit ekonomik, shumë kompani të huaja dhe shtete të huaja do të rrisin investimet e huaja drejtpërdrejt në shtetet e Evropës lindore dhe një pjesë e tyre do të vijë edhe në Kosovë. Mundësia e investimeve të huaja në vitin 2010, në krahasim me vitin 2009, do të jetë shumë më e lartë”, shpreh bindjen Bektashi.

Edhe zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Nexhat Kryeziu, pohon se trendet pozitive në ekonominë botërore do të ndikojnë në
Kosovë.

“Recesioni në disa vende të zhvilluara ka filluar të ndalohet dhe zhvillimi ekonomik në këto vende ka trende pozitive. Kështu që në Kosovë, ashtu si edhe kriza që nuk ka pasur efekte të shumta, ashtu edhe këto trende nuk besoj se do të kenë ndonjë efekt shumë të madh, por gjithsesi se do të ketë reflektime pozitive”, thotë Kryeziu.

Ndryshe, hulumtimi i fundit i UNDP-së tregon se rreth 73 për qind e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se kanë ndjerë efektet e krizës ekonomike botërore. 21 për qind prej tyre që janë shprehur se kanë ndjerë krizën, kanë humbur punën; mbi 50 për qind e tyre e kanë ndjerë këtë krizë ekonomike për shkak të rritjes së çmimeve dhe 9 për qind e kanë ndjerë nga ndalimi i dërgesave financiare nga miqtë dhe familjarët e tyre nga diaspora.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG