Ndërlidhjet

“Kermabon kërkon takim me lidershipin e Kosovës”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Në kuadër të misionit civil të BE-së në Kosovë, që është vendosur kohë më parë në tërë territorin e Kosovës, një grup gjyqtarësh e prokurorësh janë duke punuar edhe në fushën e drejtësisë, përkatësisht gjyqësorit. Këta hetues janë shtrirë në të gjitha gjykatat e prokuroritë e vendit dhe kanë nisur punën edhe për çfarë kanë ardhur. Që nga paslufta, në territorin e Kosovës kanë ndodhur shumë vepra kriminale, vrasje me motive politike e krime të tjera të rënda. Tash dhjetë vjet thuaj se të gjitha këto kanë mbetur enigma, të pazgjidhura. Familjarë të shumë viktimave të vrasjeve politike, krimeve të rënda, atyre të luftës e veprave tjera kriminale akoma nuk kanë mundur që nga drejtësia ndërkombëtare të kuptojnë se kush i vrau familjarët e tyre dhe ata që kanë bërë këto krime të marrin dënimin e merituar! Këto ditë është bërë dorëzim-pranimi i dosjeve të krimeve të luftës për terrorizëm dhe krimeve tjera të rënda nga UNMIK-u tek EULEX-i. Por, zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk dinë se për cilat dosje bëhet fjalë!...

EPOKA E RE
Shefi i misionit të EULEX-it, Iv de Kermabo, ka kërkuar takim me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi, për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit dhe rreth mundësisë së nënshkrimit të protokollit të bashkëpunimit me Serbinë. Pas paralajmërimeve për një marrëveshje ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, dhe kundërshtimeve nga institucionet dhe partitë politike të Kosovës, misioni i EULEX-it ka lëshuar një njoftim, ku thuhet se ka pasur një keqkuptim... Nëpërmjet një njoftimi të EULEX-it, theksohet se Iv de Kermabo ka shprehur shqetësim për, siç thuhet, keqkuptimin që ka ndodhur për këtë çështje. Ai ka sqaruar se EULEX-i nuk ka nënshkruar dhe as që mund të nënshkruajë asnjë protokoll në emër të Kosovës, pasi nënshkrimet i bën vetë në emër të misionit të tij...

KOHA DITORE
“Koha Ditore” ka ardhur në posedim të dokumentit kundërthënës, të cilin EULEX-i e ka negociuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë
dhe që pritet ta nënshkruajë shumë shpejt, me gjithë kontestimin që tashmë ka nisur t’ia bëjë Qeveria, institucionet dhe shoqëria e Kosovës. Para së gjithash, ajo që duhet theksuar është se sado që përmbajtja e Protokollit është kontestuese në shumë aspekte, problemi themelor mbetet fakti që EULEX-i negocion dhe nënshkruan një dokument me Serbinë në emër të Kosovës, por pa përfshirjen zyrtare të Kosovës. Sado që shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, së fundi deklaron se nënshkrimi që do t’i bëjë misioni i tij Protokollit nuk bëhet në emër të Kosovës, por në emër të EULEX-it, Protokolli - siç mund ta lexoni edhe vetë - qartë i përcakton sferat e bashkëpunimit, të cilat, në territorin e Kosovës, janë në përgjegjësinë e Policisë së Kosovës...

LAJM
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka bërë edhe një hap drejt pamundësimit të vendosjes së kamerave monitoruese në vendvotimet e zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Megjithëse ka marrë dy kërkesa zyrtare, njërën nga AKR-ja, për ta rishqyrtuar vendimin e fundit për mosvendosjen e kamerave, dhe të dytën nga LDD_ja, për vendosjen e kamerave së paku në gjashtë komuna dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ-ja ka vendosur që këtë çështje ta dërgojë për vlerësim në këshillat e saj, e më pas ta shqyrtojë. Pas evidentimit të kërkesave zyrtare, KQZ-ja të martën vendosi që kërkesat t’i dërgohen për shqyrtim Këshillit për Buxhet dhe Prokurim dhe Këshillit për Operacione Zgjedhore, në mënyrë që këto dy organe t’i japin rekomandimet e tyre, e më pas të shqyrtohen prej saj...

INFOPRESS
Dy nga tri partitë politike, të cilat para zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit të vitit 2007 patën nënshkruar marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës, tashmë kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për zgjedhjet lokale të nëntorit. Partia Social-Demokrate (PSD), e udhëhequr nga Agim Çeku, ka dalë me qëndrim se nuk do të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor të vitit 2007, por do të dalë e vetme. Përderisa Partia Liberale e Kosovës (PLK), e udhëhequr nga Gjergj Dedaj, ka bërë të ditur se do të vazhdojë me koalicionin e kaluar dhe kjo parti do të dalë së bashku me PDK-në edhe në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Ndërkohë që Aleanca Demokratike e Kosovës (ADK), e udhëhequr nga Edita Tahiri, ende nuk ka ndonjë qëndrim të qartë për sa i përket daljes në zgjedhjet lokale të nëntorit...

KOSOVA SOT
Përderisa eksportet dhe kursimet pensionale kanë filluar të këndellën nga viti i kaluar, kur këto u goditën nga kriza, remitencat tash janë prekur nga recesioni ekonomik i fillimivitit në shtetet perëndimore. Sipas ekspertëve, rënia e remitencave do ta zvogëlojë fuqinë blerëse në Kosovë, me ç’rast shkakton probleme të tjera për sektorin provat dhe prodhuesit dhe kjo do ta rëndojë ekonominë. Edhe pse jemi në muajin gusht, Banka Qendrore e Kosovës ende nuk ka ndonjë statistikë për numrin e remitencave që kanë ardhur në kohën e pushimeve, kur dihet se korriku është muaji kur mërgimtarët tanë vizitojnë vendlindjen. Bujar Abdullahu, zyrtar për informim në Bankën Qendrore të Kosovës, ka theksuar se të dhënat për këtë vit janë në procedurë të kompletimit. Mirëpo, ai ka pranuar se trendi i dërgesave nga jashtë është në rënie...

EXPRESS
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjnë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit me një pajtim paraprak, me qëllim ruajtjen e stabilitetit qeverisës dhe goditjen e partive opozitare. Për mundësinë e arritjes së kësaj marrëveshjeje mes dy liderëve kryesorë të vendit, kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, dhe atij të LDK-së, Fatmir Sejdiut, me gjasë nuk ka dilema. Një prej figurave kryesore të PDK-së, Hajredin Kuçi, të mërkurën, ka konfirmuar informacionet që janë publikuar në “Express” të martën. “Në rastin e parë kur PDK dhe LDK do të jenë në balotazh, ne do të bëjmë garën fer. Por, natyrisht, do të punojmë për fitoren e PDK-së. Ndërsa, në rastet tjera, kur partneri i koalicionit është konkurrent me këdo tjetër, atëherë ne assesi nuk do t;i dëmtojmë raportet e partnerit të koalicionit, por do të jemi shumë korrektë”, ka deklaruar Kuçi për “Express”...

ZËRI
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja e paralajmëruar e bashkëpunimit në fushën e sigurisë ndërmjet EULEX-it dhe MPB-së së Serbisë është pasojë e faktit se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta shtrijë juridiksionin në veri të vendit. Ai këto komente i ka bërë të martën në një konferencë për medie, që ka pasur pas një takimi me kandidatët për kryetarë të komunave të këtij subjekti politik. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e komentuar paralajmërimin e EULEX-it për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë, ka thënë se Prishtina zyrtare nuk ka arritur që të jetë prezente në veri edhe gjithsesi për këtë ka marrëveshje EULEX-Ministri e Brendshme e Serbisë...
XS
SM
MD
LG