Ndërlidhjet

Probleme ekonomike edhe për serbët


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Zyrtarë serbë të veriut të Mitrovicës pohojnë se papunësia paraqet problem dhe për banorët e veriut të Kosovës. Analistët thonë se problemet e tyre ekonomike janë pasojë e zbehjes së financimit të strukturave paralele serbe nga Beogradi.


Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës duket se nuk bën përjashtim kur bëhet fjalë për problemet ekonomike, me të cilat ballafaqohet e tërë Kosova, e prej të cilave papunësia vlerësohet të jetë ndër sfidat më të mëdha.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Departamentin për Punësim në veri të Mitrovicës, Natasha Millenkoviq, pohon se vetëm në pjesën veriore të këtij qyteti, 9000 persona, të profesioneve të ndryshme, figurojnë në listën e të papunëve.

“Numri i të papunëve nga muaji në muaj ndryshon, për arsye se çdo muaj lajmërohen persona të rinj që i përmbushin kushtet ligjore për punësim. Ndërkohë, ka persona të caktuar, që për arsye të ndryshme nuk mund të mbeten edhe më tutje në regjistrat e të papunëve, kështu që pasqyra ndryshon nga muaji në muaj”, shprehet Millenkoviq.

Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës vazhdojnë të funksionojnë të ashtuquajturat institucione paralele serbe, si Posta e Telekomi, Ndërmarrja Publike Komunale, Elektro-ekonomia e Serbisë apo bankat komerciale, që punësojnë një numër të madh të popullsisë serbe.

Analistët në Prishtinë thonë se financimi i strukturave paralele serbe të kësaj pjese nga Beogradi zyrtar, është zbehur kohëve të fundit për shkak të krizës ekonomike në Serbi.

Analisti Ilir Deda thotë se në vitin 2008, nga buxheti për projekte infrastrukturore prej 1, 3 milion eurosh, Qeveria serbe kishte investuar rreth 1,1 milion euro vetëm në veri, ndërsa prej 2, 9 milionë eurosh të parapara për vitin 2009, Serbia ka ulur buxhetin për 80 për qind dhe, siç pohon ai, pritet të investojë rreth 780 mijë euro në pjesën veriore.

Deda thotë se sipas shifrave të fundit, për pagat e punonjësve të arsimit dhe të shëndetësisë, Qeveria e Serbisë ka paguar rreth 7.5 milionë euro nga muaji gusht deri në muajin dhjetor të vitit 2008. Ai thekson se investimet e tilla nuk i kanë kontribuar jetës së qytetarëve serbë të veriut të Kosovës.

Nuk kanë pasur ndikim pozitiv ekonomik të ashtuquajturat investime të Serbisë, sepse ato, një fond për investime që është përmendur prej Serbisë për Kosovën, ka qenë më shumë i dedikuar për shpëlarje të parave sesa për përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë”, thekson Deda.

Mirëpo, banori i pjesës veriore të Mitrovicës, Bora Millojeviq, thotë se qytetarët e tjerë, të cilët nuk janë të punësuar në institucionet serbe, ballafaqohen me probleme, të cilat vështirësojnë jetën e tyre.

“Kjo është kjo. Shumica e njerëzve kështu jeton, në kushte të tilla. Ata që kanë fat të gjejnë punë në shtëpitë e shëndetit dhe arsim e kanë mirë, e ata që nuk munden, mbeten kështu”,
thotë Millojeviq.

Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës, ndërkaq, mendojnë ndryshe. Përfaqësuesi i Lagjes së Boshnjakëve, Adem Mripa, thotë se për dallim nga serbët, banorëve shqiptarë të veriut u mungon mbështetja e pushtetit në aspektin politik dhe atë ekonomik.

“Insistojmë të punojmë në liberalizimin e qarkullimit sikurse të shqiptarëve, ashtu dhe të serbëve. Serbët e kanë atë liri, shqiptarët ende nuk e kanë, mirëpo qeveritarët dhe politikanët tanë vetëm deklarohen”, thotë Mripa.
XS
SM
MD
LG