Ndërlidhjet

A janë të sigurta depozitat në banka?



Vetëm gjatë këtij viti, në Kosovë janë plaçkitur gjashtë banka komerciale, pesë prej tyre në Prishtinë dhe një tjetër në Suharekë. Kështu deklarojnë autoritetet e rendit, duke shtuar se kjo është bërë një dukuri mjaft shqetësuese në Kosovë.

Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thotë se në të gjitha rastet, bankat janë plaçkitur gjatë ditës dhe nën kërcënimin e armeve, si dhe me dëme materiale. Lidhur me këtë, Kamberi pohon se policia ka arrestuar disa persona si të dyshuar, por deri më tani asnjë rast nuk është zbardhur plotësisht.

Hetuesit policorë janë duke u marrë me rastet e grabitjeve. Janë në proces të analizimit të gjurmëve dhe dëshmive të gjetura në vendin e ngjarjes, apo edhe të gjësendeve që janë konfiskuar. Gjithashtu janë në proces të analizimit të secilit rast veç e veç, por edhe të gjitha rasteve së bashku për të shikuar nëse rastet e ndodhura kanë ndonjë ndërlidhje në mes vete”, shpjegon Kamberi.

Por, ekspertë të ekonomisë nuk janë të kënaqur me veprimet e deritashme të autoriteteve kompetente për zbardhjen e rasteve. Flamur Keqa, njohës i sistemit bankar, thotë se plaçkitja e institucioneve financiare mund të rrezikojë mjetet e deponuara të qytetarëve të Kosovës.

“Rreziku potencial që po ekziston dhe ende nuk ka ndonjë siguri të mirëfilltë në këtë drejtim, mund të ndikojë shumë që qytetarët të mos deponojnë mjetet e tyre në këto banka, të cilat, sipas momentit ekzistues, paraqiten si banka që nuk janë të sigurta për të menaxhuar, gjegjësisht për të ruajtur mjetet e qytetarëve. Dihet që bankat janë ato, të cilat duhet të kujdesen dhe ato të cilat duhet t’i mbrojnë mjetet e investuara nga depozitorët”,
pohon Keqa.

Gjatë këtij viti, “Procredit Bank” është plaçkitur katër herë. Megjithatë, Florin Lila, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në këtë institucion, i siguron klientët se mjetet e tyre janë të sigurta.

“Këto plaçkitje nuk kanë asnjë efekt më të voglin përveç efektit shqetësues dhe stresues, të cilin ne nuk dëshirojmë që ta përjetojë askush, as punëtorët tanë, as klientët. Sa i takon afarizmit, nuk ka kurrfarë efekti negativ në afarizmin e bankës. Kështu që nuk ka nevojë të shqetësohet asnjë klient i bankës për mjetet e tyre”, thotë Lila.

Ndryshe, pas këtyre rasteve, Policia e Kosovës ka formuar një grup të veçantë punues, që ka të bëjë me sigurinë nëpër banka. Ky grup punues, sipas Sabrije Kamberit, ka marrë vendim që të krijohet sistemi alarmues i bankave, i cili do të ketë lidhje direkt me policinë.

“Policia është takuar edhe me përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës, është mbajtur edhe një takim tjetër me stafin teknik të bankave. Ideja e formimit të grupit punues është që të shikohet sistemi i alarmimit nëpër banka, mënyra e bashkëpunimit me policinë dhe uniformimi i sistemit alarmues nëpër banka”, thotë Kamberi.

Sidoqoftë, grabitja e fundit e armatosur ka ndodhur në bankën “NLB Prishtina”, e cila gjendet në rrugën “Nëna Terezë”, në qendër të kryeqytetit.
XS
SM
MD
LG