Ndërlidhjet

“Vendimmarrëse – institucionet e Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Ministria e Jashtme e Shqipërisë menjëherë i është përgjigjur Beogradit zyrtar që ka akuzuar për provokime kryeministrin Berisha, që cenon integritetin territorial të Serbisë. Mediet shqiptare, duke u thirrur në burime të MPJ-së, kanë shkruar se palës serbe i është kthyer menjëherë përgjigjja dhe i është bërë e qartë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë provokimi ndaj Serbisë. Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për nevojën e integrimit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, nuk paraqet kurrfarë provokimi për Beogradin, ka thënë të mërkurën Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë...

KOHA DITORE
Nënshkrimi i protokollit për bashkëpunim policor me Serbinë nga EULEX-i, pa pajtimin paraprak të liderëve kosovarë, mund t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme mbrojtjes së shtetësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kanë vlerësuar zyrtarë ndërkombëtarë dhe njohës vendorë të së drejtës ndërkombëtare. Sipas tyre, firmosja e këtij dokumenti nga zyrtarët evropianë pa e marrë në konsideratë qëndrimin e liderëve të Kosovës, do të kishte pasoja serioze në vërtetimin e sovranitetit të saj dhe si i tillë do të vështirësonte mbrojtjen juridike para organit, i cili duhet të japë një mendim këshillëdhënës për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë...

LAJM
Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit pritet të karakterizohen nga një numër më i vogël i kandidatëve për kryetarë komunash, sesa në zgjedhjet e kaluara. Sistemi zgjedhor dhe trendet e votimit të elektoratit në Kosovë i kanë zbehur ambiciet e partive “të vogla”. Përvoja e zgjedhjeve të kaluara, gjatë të cilave në balotazh në shumicën absolute të komunave kanë shkuar kandidatët e pesë partive më të mëdha, duket se i kanë bindur zyrtarët e partive të tjera që të mos shpenzojnë kot para dhe energji duke hyrë në garë me kandidatët e tyre. Analisti Nexhmedin Spahiu pret që partitë që në zgjedhjet e kaluara kanë marrë numër relativisht të vogël të votave, në zgjedhjet e 15 nëntorit të mos dalin me kandidatët e tyre për kryetar...

INFOPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë pritur të mërkurën, në Prishtinë, në takime të ndara, kryeministrin e Republikës së Çekisë, Jan Fisher. Me këtë rast, krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës deklaruan se kanë informuar delegacionin e lartë qeveritar të Çekisë lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe sfidat që dalin para institucioneve në rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Ndërkohë që kreu i Qeverisë çeke, i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Çekisë në Kosovë, Janina Hrebickova, kanë premtuar angazhimin e tyre për ndërtimin e raporteve të qëndrueshme me institucionet e Kosovës...

KOSOVA SOT
Përgatitja dhe miratimi sa më i shpejtë i Ligjit të punës dhe disa ligjeve bazike janë më se të nevojshme, ngase kjo do të ishte në të mirën e qytetarëve. Këto komente u dhanë në një tryezë të organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED) dhe Forumi i Shoqërisë Civile, me temën “Plotësimi i Infrastrukturës Ligjore në Lëmin e Punës – Dialogu Social dhe Këshilli Ekonomiko-Social”. Kujtim Kërveshi, ekspert ligjor nga KIPRED-i, ka thënë se dialogu social, i cili ka një bazë ligjore, nuk ka funksionuar asnjëherë dhe për pasojë të moszbatimit të ligjeve përkatëse, vendi ynë po përballet me ekonomi joformale...

EXPRESS
Institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë protokollin e EULEX-it me autoritetet serbe, madje edhe nëse misioni evropian e nënshkruan në emër të vet. Duke iu referuar diskutimeve të EULEX-it me Beogradin rreth protokollit për bashkëpunim policor, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar të mërkurën se për institucionet kosovare nuk janë të pranueshme dokumentet që hartohen në një vend të tretë. “Për dokumentet që dalin nga institucionet e Kosovës, institucionet e Kosovës e marrin përgjegjësinë. Për dokumentet për të cilat është menduar të punohen diku tjetër, jashtë institucioneve të Kosovës, e kanë refuzimin e plotë të institucioneve të Kosovës”, ka thënë ai...

ZËRI
Pas dështimit, javë më parë, të kërkesës së Aleancës Kosova e Re në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, rrezikon që përsëri të dështojë kërkesa e tyre, e bërë të martën. Siç ka mësuar “Zëri”, përmes burimeve të tij, përfaqësuesit e partive politike të koalicionit aktual qeverisës (PDK-LDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë duke u munduar me çdo kusht që të refuzojnë këtë kërkesë të AKR-së dhe përfundimisht të mos ketë kamera në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Sipas tyre, ata janë duke e bërë të pamundurën që të dështojë vendosja e kamerave në vendvotime, e sidomos neglizhencat e panevojshme që janë duke u bërë në këtë drejtim, vetëm e vetëm që të “blihet” kohë dhe të dështojë ky projekt...

BOTA SOT
Oda Ekonomike e Kosovës në një ceremoni rasti, në të cilën ishin prezentë edhe përfaqësuesit e Unionit të Odave Zejtare të Gjermanisë dhe Odës Ekonomike të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, edhe zyrtarisht është certifikuar sipas standardeve ISO 9001:2008. Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, ka theksuar se me këtë, OEK-u, sikurse edhe të gjitha odat tjera, i plotëson në tërësi kriteret profesionale dhe institucionale. Beqaj ka theksuar se në OEK konsiderojnë se Gjermania duhet të jetë një ndër partnerët kryesorë ekonomikë të Kosovës... Gjatë takimit me përfaqësuesit e Unionit të Odave Zejtare të Gjermanisë, Beqaj tha se është biseduar rreth bashkëpunimit dhe nevojës së promovimit të investimeve në Kosovë...
XS
SM
MD
LG