Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja eventuale mes EULEX-it dhe Serbisë mund të jetë pozitive në aspektin e sigurisë, nëse ajo nuk politizohet, vlerësojnë ekspertë për çështje të sigurisë. Sipas tyre, ajo madje do të ndihmonte në parandalimin e dukurive negative në vend.

Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë konsiderojnë se nënshkrimi i marrëveshjeve rajonale për bashkëpunime policore është shumë i rëndësishëm. Sipas tyre, Kosova duhet të ketë marrëveshje të tilla me të gjitha vendet në rajon dhe më gjerë.

Marrëveshjet rreth krimit të organizuar, kontrabandimit, kalimeve të paligjshme kufitare, trafikimit me qenie njerëzore, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, i konsideron si çështje rajonale, për të cilat duhet të ketë bashkëpunim.

Ramadan Qehaja
“Një marrëveshje e tillë me Serbinë, kur ka të bëjë me sigurinë rajonale, ka edhe gjëra pozitive, aq më parë që luftimi i krimit të organizuar tashmë është bërë luftim, kushtimisht të them, i suazave rajonale e jo të ngushta shtetërore apo parciale. Prandaj, në këtë drejtim, unë e shoh pozitivitetin e kësaj marrëveshjeje, e cila duhet të nënshkruhet dhe do të ketë implikime pozitive në aspektin e sigurisë në të ardhmen”,
vlerëson Qehaja.

Edhe eksperti tjetër për çështje të sigurisë, Fadil Kajtazi, pohon se të gjitha shtetet e rajonit në fushën e sigurisë funksionojnë në mënyrë të organizuar. Sipas tij, edhe Kosova duhet të krijojë raporte bashkëpunimi me vendet rajonale.

“Shikuar në prizmin e një vëzhguesi të thjeshtë, kjo nuk është ndonjë problem. Pra, është një marrëveshje mes shteteve për të rritur sigurinë e shtetasve, e qytetarëve të këtij rajoni dhe asgjë më tepër. Mirëpo, kjo marrëveshje me Serbinë është politizuar shumë, për shkak të rrethanave, raporteve që dihen, që janë mes këtyre dy shteteve”, thotë Kajtazi.

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, siç ka paralajmëruar, mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Përfaqësues të këtij misioni thonë se një marrëveshje e tillë ka për synim këmbimin e informacioneve në nivelin policor.

Këtë marrëveshje në praktikë, zoti Qehaja e konsideron si të mirë. Ai shpreh bindjen se ajo do të ndihmonte në parandalimin e gjërave negative, që, sipas tij, do të mund të destabilizonin vendin.

“Në këtë drejtim, ndoshta duhet një punë më e thuktë politike edhe e EULEX-it në popullatë, që vërtet të kuptohet se qëllimi është shumë i mirë. Por, kuptohet që qasja ndaj këtij problemi është dashur të jetë pak më ndryshe. Unë ashtu e shoh, pavarësisht prej situatës së krijuar politike në mes të qeveritarëve tanë dhe EULEX-it”.

“Unë po e shikoj si një njohës i çështjeve të sigurisë këtë veprim si pozitiv dhe ka për qëllim parandalimin e gjërave negative, të cilat ndodhin e që kanë për qëllim destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit në tërësi”,
shprehet Qehaja.

Marrëveshja në mes të EULEX-it dhe Serbisë mund të sjellë rezultate të mira me kusht që ajo të mos politizohet, thotë Fadil Kajtazi.
Kjo gjë nuk do të paraqiste ndonjë problem shumë të madh, me kusht që do të funksionalizohet pa pasur ndonjë prapavijë politike.

“Në kushte normale, në mes shteteve normale, në praktikë lufta kundër krimit të organizuar është diçka që duhet të përkrahet. Praktikisht, kjo gjë nuk do të paraqiste ndonjë problem shumë të madh, me kusht që do të funksionalizohet pa pasur ndonjë prapavijë politike, që nuk do të duhej të kishte normalisht”, thotë Kajtazi.

Krimi i organizuar në Kosovë, sipas ekspertëve të sigurisë, është duke funksionuar në masë të madhe. Autoritetet e rendit, para pak ditësh, kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në këtë dukuri.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG