Ndërlidhjet

logo-print

Kthimi i kredive në Bankën Botërore


Banka Botërore

Banka Botërore

Me gjithë faktin se ende mungojnë shifrat zyrtare se sa është borxhi ndërkombëtar, autoritetet kosovare gjatë këtij viti do të fillojnë të kthejnë borxhin ndaj Bankës Botërore. Njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se Kosova nuk duhet të fillojë të shpaguajë pa saktësuar shumën e borxhit.

Kosova gjatë këtij viti do të paguajë këstin e parë të kredisë ndaj Bankës Botërore. Që nga dita e anëtarësimit në këtë institucion financiar dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Kosova në mënyrë vullnetare e ka marrë përsipër pagesën e borxhit ndaj Bankës Botërore, që i takon që nga koha e ish-Jugosllavisë.

Çështja e borxhit dhe se si duhet zgjidhur ky problem është diskutuar në negociatat në mes Prishtinës dhe Beogradit në procesin e udhëhequr nga Marti Ahtisari.

Muhamet Mustafa, ekspert për çështje ekonomike, ishte pjesë e atij delegacioni. Ai thotë se Kosova, para se të marrë përsipër këtë vendim, është dashur të sqarojë se sa është shuma e borxhit dhe ku janë investuar mjetet. Mustafa pohon se Kosova në kthimin e një pjese të borxhit ngarkohet pa të drejtë.
Unë mendoj se Kosova në kthimin e këtyre borxheve ngarkohet pa të drejtë dhe pa asnjë logjikë ekonomike...

“Qëndrimi i delegacionit kosovar ka qenë që borxhet, të cilat kanë të bëjnë me planin e amortizimit apo shlyerjes së kredive, që është dashur të bëhen gjatë viteve të 90-ta, duhet të bien mbi përgjegjësinë e Serbisë”.

“Si duket, kjo është injoruar pak a shumë edhe nga qeveria, edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Unë mendoj se Kosova në kthimin e këtyre borxheve ngarkohet pa të drejtë dhe pa asnjë logjikë ekonomike”,
thotë Mustafa.

Ndryshe, Kushtrim Puka, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se Kosova duhet të shprehë gatishmërinë që të marrë përsipër kthimin e kredive. Edhe Puka thekson se institucionet kompetente nuk duhet të fillojnë të shpaguajnë pa saktësuar shumën e borxhit.
Pa saktësuar saktësisht se sa është vlera e këtij borxhi, Kosova nuk do të duhej të fillonte shpagimin e këtij borxhi...

“Borxhi duhet të paguhet, sepse ato mjete janë investuar në Kosovë, mirëpo duhet të paguhet vetëm pjesa prej të gjitha kredive që kanë qenë për shtetet e ish-Jugosllavisë. Por, pa pasur qasje në dokumentet zyrtare dhe pa saktësuar saktësisht se sa është vlera e këtij borxhi, Kosova nuk do të duhej të fillonte shpagimin e këtij borxhi”, konsideron Puka.

Megjithatë, nga ekspertët e ekonomisë vlerësohet se borxhi i huazuar ndaj institucioneve të huaja ndërkombëtare arrin në mbi 800 milionë euro. Afër 400 milionë dollarë llogariten të jenë borxh në Bankën Botërore, ndërsa pjesa tjetër është ndaj Klubit të Parisit dhe atij të Londrës.

Në kohën kur Kosova u bë anëtare e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë falur Kosovës 150 milionë dollarë borxh që ka ndaj Bankës Botërore, ndërkaq, së fundi, Komisioni Evropian ka kontribuar me 5 milionë euro në Fondin e Mirëbesimit të Donatorëve, i cili përkrah pagesën e borxhit të Kosovës ndaj Bankës Botërore.

Lidhur me këtë, Muhamet Musatafa thotë:

“Ne po shohim se ka një gatishmëri nga Shtetet e Bashkuara, sot morëm lajmin edhe nga Unioni Evropian, që të jepet një asistencë financiare në kthimin e borxheve. Prandaj, derisa nuk i dimë të gjitha elementet, nuk i kemi në tavolinë, nuk mund të japim një vlerësim të prerë se sa është e vështirë për Kosovën kthimi i këtyre mjeteve”, thotë Mustafa.

Në fund të muajit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar borxhin e vjetër. Ndërsa, për shpagimin e borxhit, në bazë të ligjit ekzistues, Qeveria e Kosovës nga buxheti për vitin 2009 ka ndarë një shumë prej 55 milionë eurosh, shumë kjo që do të vazhdojë të ndahet edhe në vitet vijuese.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG