Ndërlidhjet

“Bllokohet ‘protokolli’”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, nuk ka arritur të bindë presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, se protokolli për bashkëpunim policor me Serbinë i sjell dobi Kosovës. Takimi i karakterit sqarues, i realizuar me kërkesën e Kermabosë, ka vërtetuar paqartësitë e shumta rreth hartimit të këtij dokumenti, duke vënë njëkohësisht në pah dallimet e skajshme të të dyja palëve, nëse i njëjti meriton të nënshkruhet. Derisa liderët shtetërorë kanë shprehur bindjen se vendime të tilla mund të merren vetëm nga institucionet e Kosovës, duke u bazuar në Kushtetutë, numri një i EULEX-it, Kermabo, ka deklaruar se do të vazhdojë diskutimet me autoritetet kosovare për të arritur deri te pika e përbashkët rreth kësaj çështjeje...

LAJM
Përfaqësuesit politikë në Kosovë çdo ditë e më shumë po insistojnë që misioni i OSBE-së, por edhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë t’i monitorojnë zgjedhjet e ardhshme lokale... OSBE-ja është parë si një ndër mekanizmat që do të mund ta kryente me kompetencë rolin e monitoruesit të këtyre zgjedhjeve. Por, qëndrimi neutral ndaj statusit ka bërë që ky mision të vendosë që të mos ketë kurrfarë roli në këto zgjedhje. Zyrtarët e saj kanë përjashtuar të enjten mundësinë që qëndrimi i tyre për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve mund të ndryshojë. Nikola Gaon, ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të OSBE-së në Kosovë, tha se roli i misionit të OSBE-së në Kosovë është që ta mbështesë punën e KQZ-së dhe Sekretariatit të saj, e kjo është e përcaktuar në bashkëpunim me aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë...

INFOPRESS
Kanë kaluar gjashtë muaj që kur është emëruar shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, por ende nuk janë emëruar zëvendësdrejtori dhe inspektori i përgjithshëm i kësaj agjencie. Zyrtarë kompetentë të institucioneve të Kosovës, ata të presidencës dhe të qeverisë kanë deklaruar vazhdimisht se janë në konsultime të vazhdueshme për procesin e përzgjedhjes. Në një prononcim për “Infopress”, shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, nuk ka dashur të deklarohet nëse ka ndonjë lëvizje në këtë drejtim. Ai ka thënë se nuk i takon atij të përzihet në çështjet që janë kompetencë vetëm e presidentit dhe e kryeministrit, ashtu siç parashihet edhe me Kushtetutë dhe me ligj... Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur se punët në këtë drejtim janë në përfundim e sipër...

KOSOVA SOT
Pas muajve të vështirë, të cilët i pati kaluar industria e metaleve në Kosovë, ajo sërish ka filluar ta marrë veten. Rënia e eksportit të metaleve, si pasojë e krizës financiare globale, e pati goditur këtë industri edhe në Kosovë, mirëpo sërish gjendja ka filluar të normalizohet, pasi që çmimi i metaleve është ngritur në tregun botëror. Kompanie e Feronikelit, e cila pati përgjysmuar prodhimin nga 700 tonë në më pak se 300 tonë, sërish është duke punuar me kapacitete të plota. Menaxheri për marrëdhënie me publikun në Feronikel, Artan Bajrushi, thotë se që nga fillimi i muajit gusht ata i janë rikthyer prodhimit me kapacitete të plota, duke prodhuar 700 tonë në muaj...

EXPRESS
Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, pas pëlqimit të shteteve nikoqire, ka dekretuar të enjten edhe katër ambasadorë të tjerë të Kosovës. Një ditë më parë, ai kishte dekretuar ambasadorin e parë të Kosovës, Vilson Mirditën, i cili do të shërbejë në Gjermani. “Pas marrjes së pëlqimit nga vendet përkatëse, presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, dekretoi sot ambasadorë të rinj të vendit tonë. Këta janë: Avni Spahiu, Uashington (SHBA), Bekim Sejdiu, Ankara (Turqi), Gazmend Pula, Tiranë (Shqipëri) dhe Anton Berisha, Lubjanë (Slloveni). Dje, presidenti Sejdiu e dekretoi ambasador të Kosovës në Berlin (Gjermani) z. Vilson Mirditën”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës...

ZËRI

Këshilli për buxhet dhe ai për operacione zgjedhore, dje, në një mbledhje, e cila ka zgjatur më shumë se dy orë, ka vendosur që t’i rekomandohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që t’i shqyrtojë kërkesat e Aleancës Kosova e Re dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë për vendosjen e kamerave dhe të dalë me vendim të qartë për vendosjen apo jo të tyre në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Në rast se KQZ-ja vendos pro kamerave, atëherë ky këshill edhe një herë do të merret me koston financiare të tyre, mirëpo nëse ky organ vendos kundër, atëherë përfundimisht do të mbyllet ky debat dhe në zgjedhje nuk do të ketë kamera. Ndërkaq, pritet që të hënën të mblidhet KQZ-ja për ta shqyrtuar rekomandimin e Këshillit për buxhet dhe për të vendosur përfundimisht pro ose kundër vendosjes së kamerave në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit...

BOTA SOT
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i ka siguruar qytetarët e vendit se kjo gjykatë do të jetë gjithmonë larg politikës dhe ndikimeve të mundshme prej saj dhe me fillimin e shqyrtimit të lëndëve të para, nuk do të ketë asnjë kriter tjetër përveç Kushtetutës dhe ligjeve... Duke folur për kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, Hasani kujtoi se ky institucion, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, është instanca e fundit për realizimin e të drejtave të njeriut në vendin tonë. Ai pohoi se edhe shqyrtimi i kërkesave individuale është nën kompetencat e gjykatës, por me kusht që më parë të jenë shfrytëzuar të gjitha mjetet e tjera juridike. “Gjykata Kushtetuese, sipas Kushtetutës dhe ligjit, është kompetente edhe për kërkesa individuale, por ato duhet me kusht që t’i kenë shfrytëzuar mjetet juridike, do të thotë të ndiqen të gjitha procedurat për të qenë padia apo kërkesa e lejueshme”...

EPOKA E RE
Analisti Ramush Tahiri ka thënë se qëndrimi kundërshtues i kryeministrit të Kosovës ndaj nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë është i drejtë dhe duhet të mbahet deri në fund. Sipas Tahirit, tanimë Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, si i tillë nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare me shtetet tjera. “Është mision ndihmës, jo mision paralel i institucioneve të Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Ky mision nuk mund të nënshkruajë marrëveshje në emër të Kosovës, ose në emër të vet për Kosovën, ka thënë Tahiri, duke shtuar se në këtë kohë EULEX-i ka dalë jashtë kompetencave të veta dhe kundër Kosovës. Duke analizuar protokollin në fjalë, Tahiri ka thënë se një gjë e tillë rrezikon në thelb sovranitetin e Kosovës...
XS
SM
MD
LG