Ndërlidhjet

Numri i madh i propozimeve që janë paraqitur dhe vazhdojnë të paraqiten për zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës ka për qëllim të krijojë një lodhje kolektive të popullit në lidhje me këtë problem, thonë përfaqësues të opozitës në Kosovë.


Përfaqësuesit e pushtetit lokal në Mitrovicë dhe ata të partive politike opozitare në Kosovë vlerësojnë se çështja e Mitrovicës nuk mund të zgjidhet duke krijuar propozime, të cilat, siç thuhet, janë të pazbatueshme për shkak të rrethanave politike.

Propozimet që administrata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë përgjatë pothuaj 10 vjetëve të veprimit të saj në Kosovë, sipas autoriteteve, vetëm sa kanë thelluar problemin e qytetit të Mitrovicës.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Ismail Smakiqi, thotë se draft-propozimet e UNMIK-ut, siç ka qenë plani i ish-administratorit të UNMIK-ut, Mihajl Shtajaner, për bashkimin e Mitrovicës, kanë zvarritur problemet e këtij qyteti, meqë kishin për qëllim parësor mbajtjen e stabilitetit dhe jo gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët.
Fajtorë kryesorë për të gjitha këto dështime janë, para së gjithash, strukturat paralele në veri dhe Beogradi...

“Kryesisht është shpresuar në një stabilitet dhe në një ruajtje të toruas tek të gjithë njerëzit. Fajtorë kryesorë për të gjitha këto dështime janë, para së gjithash, strukturat paralele në veri dhe Beogradi, por njëkohësisht një kontribut bukur të madh kësaj çështjeje ia ka dhënë administrata e UNMIK-ut, sidomos ajo në veri, e cila ka qenë një ndihmesë në zgjatjen e iluzionit të serbëve në veri”, vlerëson Smakiqi.

Ndërkohë, përfaqësuesi i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dikur ministër i Punëve të Brendshme, Blerim Kuqi, thekson se propozimet e shumta që janë bërë deri më tani për Mitrovicën, lidhen me, siç thotë ai, pavendosmërinë e institucioneve kosovare për të shtrirë pushtetin në veri dhe, sipas tij, kanë për qëllim të krijojnë një klimë të përshtatshme për propozime të vazhdueshme.
Përkushtimi ynë për t’u treguar sovran është shumë i rëndësishëm. Kjo te qeveria aktuale nuk ekziston, sepse ka një qasje të zbehtë ndaj sovranitetit...

“Kjo mundëson që çdoherë të ketë propozime, propozime, lodhje e lodhje sa i përket Mitrovicës. Po ashtu, përkushtimi ynë për t’u treguar sovran është shumë i rëndësishëm. Kjo te qeveria aktuale nuk ekziston, sepse ka një qasje të zbehtë ndaj sovranitetit”.

“Kjo zbehje po na kushton dhe po ua mundësojmë të tjerëve të japin propozime sa i përket Mitrovicës”,
thotë Kuqi, duke theksuar se edhe hapja e Pakos së Ahtisarit hyn në kuadër të propozimeve, siç i quan ai, të dhimbshme për Mitrovicën dhe shtetin e Kosovës, ku, sipas tij, hyn dhe plani 6-pikësh i OKB-së.

Por, zyrtarët lokalë të qytetit të ndarë në dysh të Mitrovicës, ndonëse fajësojnë misionin e OKB-së për mbajtjen pezull të çështjes së këtij qyteti, shprehin bindjen se integrimi i serbëve në strukturat shtetërore të Kosovës do të jetë zgjidhja e vetme.

Nënkryetari i Mitrovicës vlerëson se ndikimi i Beogradit zyrtar mbi popullatën serbe të veriut zbeh përpjekjet e mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë për përmirësimin e situatës në këtë pjesë të Kosovës.

“Zgjidhja afatgjate është, megjithatë, integrimi i njerëzve, para së gjithash lejimi i integrimit të njerëzve në sistemin ligjor të Kosovës dhe pranimin e asaj që sot quhet Kosovë e pavarur”, thekson numri dy i komunës së Mitrovicës.

Diplomatët ndërkombëtarë vazhdojnë edhe më tutje të hedhin propozime të shumta në tregun e ideve për çështjen e Mitrovicës.

Pas propozimeve të bëra për zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës, administrata e OKB-së në Kosovë, edhe pas rikonfigurimit të saj, është duke rritur rolin e saj politik në pjesën veriore të vendit.
XS
SM
MD
LG