Ndërlidhjet

Seminari ndihmon njohjen e shqiptarëve


Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është një rast i veçantë për mbledhjen e informatave dhe njohurive lidhur me këto fusha të albanologjisë dhe ato të transmetohen tek popujt që kanë pak njohuri për shqiptarët.

Kështu thotë Martin Surovçak, studiues i ballkanologjisë nga Çekia, i cili këto ditë është duke marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ditë më parë, në këtë seminar, ai ka referuar temën “Albanologjia në trojet çeke”, duke ofruar informacione lidhur me qasjet dhe mundësitë e trajtimit të albanologjisë në Çeki.

Surovçak thotë se gjuha shqipe, si dhe historia dhe kultura shqiptare, për një kohë të gjatë, kanë qenë të panjohura për çekët.

“Themeluesi i albanologjisë në vendin tonë ka qenë Jan Urban Jarnik, i cili jetonte në shekullin 19. Pastaj, kam bërë fjalë për seminarin shqiptar që zhvillonte aktivitetet e tij në vitet ‘50. Por, në vitet ‘60, seminari shqiptar ishte i detyruar që t’i ndërpresë aktivitetet e tij, për shkaqe politike, të lidhura me ndërprerjen e marrëdhënieve politiko-ekonomike në mes të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik”, shprehet Surovçak.

Ai thotë se në pamundësi për ta mësuar gjuhën shqipe në ndonjë institucion arsimor, ka përdorur metodën auto-didaktike.

“Unë fillova ta mësoja gjuhën shqipe në fakultet, por si autodidakt, sepse në kuadër të ballkanologjisë në Çeki nuk kishte mësime drejtpërdrejt të lidhura me albanologjinë, pra mësim të gjuhës shqipe. Para dy ose tre vjetësh, fillimisht e mësoja këtë gjuhë me anë të një libri mësimor greko-shqiptar dhe pastaj nga librat shqiptarë”, tregon Surovçak.

Në Çeki nuk ka ndonjë degë të veçantë ku mund të studiohet albanologjia, thotë Surovçak, ndonëse interesimi për studim të tillë, sipas tij, tashmë ekziston.

“Ata janë të detyruar të mësojnë gjuhën shqipe me anë të librave nga vendet e huaja dhe, përveç kësaj, kanë mundësi të marrin pjesë në seminarin ndërkombëtar këtu në Prishtinë”.

Surovçak po ashtu pohon se aktualisht në Çeki janë duke u bërë përpjekje që të botohen libra të fushës së albanologjisë.

“Aktualisht, në Çeki po përgatitet një përmbledhje ‘Përralla shqiptare’, një libër mësimor i ri i gjuhës shqipe dhe unë aktualisht po përgatis një gramatikë të re, më të madhe, të gjuhës shqipe. Përveç kësaj, jam anëtar i një shoqate jofitimprurëse, e cila quhet ‘Porta Ballkanika’ dhe unë kam ndërmend të publikoj atje disa artikuj lidhur me gjuhën shqipe, si për shembull, historinë e alfabetit shqip”, thotë Surovçak, duke shtuar se Kosovën po e viziton për herë të parë dhe se përvojat do të përpiqet t’ua përcjellë kolegëve të tij.

Ndoshta mund të organizohet në fakultetin tonë një takim i studentëve që të bisedojmë për të gjitha që kemi parë në Kosovë dhe që kemi përjetuar këtu në seminarin ndërkombëtar. Prishtina është një qytet i mrekullueshëm, me një atmosferë të veçantë. Për mua është qytet i rinisë dhe ka gjallërinë. Gjithmonë kur kishim nevojë për diçka, banorët e Prishtinës na kanë ndihmuar me gjithë zemër”.
XS
SM
MD
LG