Ndërlidhjet

Brutaliteti sovjetik e nazist në Evropë


Trupat gjermane dhe sovjetike në të ashtuquajturin "Kufi i paqes", 1939.
Trupat gjermane dhe sovjetike në të ashtuquajturin "Kufi i paqes", 1939.

Pakti Molotov-Ribentrop ndau sferat e interesit ndërmjet Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik. Vendet e pushtuara ende nuk i harrojnë plagët e shkaktuara nga fuqitë e mëdha.


Valentins Trojans kujton edhe sot kur bandat e Ushtrisë së Kuqe të Stalinit shkonin fermë më fermë në zonat rurale të Letonisë, duke vjedhur ora dore, këpucë dhe veshje.

Ndërsa, Harijs Ruks sjell ndërmend oficerin e ushtrisë sovjetike që e mori në pyetje, duke ushtruar dhunë sadiste mbi të.

Edhe Eliza Burkite ka kujtimet e saj nga koha e pushtimit të Letonisë nga forcat sovjetike. Ajo kujton se si trupat sovjetike kapën nënën e një djali që i ishte bashkuar grupimeve anti-sovjetike.

“A e dini se çfarë i bënë asaj nëne? E lidhën këmbë e duar me litar, e torturuan në mënyra të ndryshme që ta bënin të fliste dhe e dogjën”, kujton Burkite.

Kujtime të tilla të hidhura i gjen ngado në muzeumet e Letonisë si pasojë e paktit Molotov –Ribentrop, që u quajt kështu nga emrat e dy nënshkruesve, ministrit të Jashtëm sovjetik të kohës, Molotov, dhe homologut të tij gjerman, Ribentrop.

Pakti, që në pamje ishte marrëveshje mos-sulmi, përfshinte një protokoll sekret për ndarjen e Evropës Veriore e Lindore në “sferat gjermane dhe sovjetike të influencës”.

Pakti rezultoi në okupimin brutal sovjetik e nazist të Letonisë, Lituanisë, Estonisë, Polonisë, Rumanisë dhe rajonit të Besarabisë-Moldavisë së sotme.

Uolters Nollendorf, zëvendësdrejtor i muzeumit të okupimit të Letonisë, thotë se këto vende të vogla u gjetën më mes të dy regjimeve më të këqija të shekullit të 20-të.

“Ne u ngujuam në mes. Një gjë për të cilën nuk mund të luftonim, ishte pavarësia e Letonisë. E vetmja kohë kur letonezët mund të luftonin për vete, ishte në luftën partizane pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe, në fakt, në vitet e ’50-ta kishte aktivitete të partizanëve në malet e Letonisë”, tha Nollendorf.

Shtatëdhjetë vjet më vonë, Polonia dhe shtetet baltike janë të pavarura dhe anëtare të Bashkimit Evropian.

Por, në përvjetorin e Molotov-Ribentropit, Rusia ringjalli frikën për një sferë të re të influencës, duke i vënë sërish në ankth këto kombe të vogla që kanë rënë pre e fuqive të mëdha.

Pakti rezultoi me largim të dhunshëm të popullatës, ndërsa autoritetet sovjetike deportuan qindra mijëra njerëz nga shtetet baltike, Polonia dhe Moldavia, për në kampet e punëtorëve në Siberi.

Rusët etnikë më vonë vërshuan në këto shtete, duke ndryshuar në mënyrë dramatike përbërjen etnike, e cila edhe sot e kësaj dite ka lënë konteste të hidhura.

Në fakt, për shumë nga problemet etnike që pllakosën Evropën Lindore, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, faji duhet kërkuar në paktin Molotov-Ribentrop, përfshirë këtu tensionet me minoritetin rus në shtetet baltike dhe mes rumunëve dhe rusisht-folësve në Moldavi.

Shkrimtari i njohur moldav, Aureliu Busujok, ishte 11 vjeçar kur trupat sovjetike okupuan rajonin e Besarabisë, e cila iu bashkua Republikës Sovjetike të Moldavisë, ndërsa edhe sot mbetet pjesë e Moldavisë.

Ai përshkruan ditën kur qytetarët e Cisinaut mundoheshin të iknin nga Armata e Kuqe.

“Kur ne iu afruam qytetit, ishte kaos. Njerëzit mblidheshin në qendër nga të gjitha anët. Rrugët ishin të mbushura me kafshë shtëpiake, karroca, makina të mbushura me valixhe. Disa ia dolën të iknin. Disa qanin, disa bërtisnin. Diçka e paparë dhe frikësuese po ndodhte”, rrëfen Busujok.

Trupat sovjetike kishin hyrë në Cisinau disa ditë më vonë.

Hitleri shkeli paktin Molotov-Ribentrop dhe invadoi Bashkimin Sovjetik më 22 qershor të vitit 1941, duke i rimarrë territoret që i takonin Stalinit për më pak se dy vjet.

Gjatë okupimit nazist, miliona hebrenj të rajonit u zhdukën në kampet e përqendrimit. Bashkimi Sovjetik riokupoi shtetet në fund të luftës.

Riçard Orvei, profesor i historisë në Universitetin e Ekseterit në Mbretërinë e Bashkuar dhe autor i librave të shumtë mbi LDB-në, thotë se pakti i ka lejuar Stalinit të marrë atë që gjithnjë e dëshironte - të ngulte rrënjët në Evropën Lindore.

“Personi që fitoi nga pakti ishte Stalini, sepse ai nuk dëshiroi të përfshihej ne luftë me Britaninë e Francën dhe dëshironte të evitonte luftën. Ai i dha atij pushtetin në Evropën Lindore, të cilin nuk mundi ta arrinte në vitet e ’20-ta dhe të ’30-ta”,
tha Orvei.

Në 70-vjetorin e këtij pakti, vendet baltike kanë shfrytëzuar rastin që të tërheqin vëmendjen nga ndikimi i sërishëm i Rusisë.

Në një letër të hapur të 22 intelektualëve të shquar dhe ish-zyrtarëve të Evropës Lindore, i është bërë thirrje Uashingtonit që të mbajë vëmendjen kah rajoni, në të cilin Rusia po kërkon të rivendosë pushtetin e saj.
XS
SM
MD
LG