Ndërlidhjet

Përkundër thirrjeve të Beogradit zyrtar bërë serbëve të Kosovës për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 15 nëntor, deri më tash gjashtë subjekte politike të këtij komuniteti kanë aplikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.


Deri më tani, gjashtë parti politike serbe kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, të parapara të mbahen më 15 nëntor. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, thotë se subjektet politike, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, mund të aplikojnë deri në 60 ditë para ditës së votimit.

“Zyra për regjistrimin e partive politike është duke punuar vazhdimisht në pranimin e aplikimeve, për çështje të aplikimit për certifikim të subjekteve të ndryshme, që do të konkurrojnë për zgjedhjet e pushtetit lokal të 15 nëntorit. Interesimi është nga të gjitha subjektet, përfshirë edhe komunitetin serb”.

“Deri më tani, kanë aplikuar gjashtë subjekte partiake të komunitetit serb. Kohë do të ketë ende për të gjitha subjektet që duan të marrin pjesë në zgjedhje deri në 60 ditë para ditës së mbajtjes së votimit”,
sqaroi Ajvazi.

Ai pohon se këto parti janë të regjistruara, derisa certifikimi i tyre, sipas tij, do të bëhet më vonë.

“Ato kanë dorëzuar aplikimet për të qenë pjesë e fushatës dhe e procesit zgjedhor, pra me vetë aplikimin do të thotë se edhe do të certifikohen”,
tha Ajvazi.

Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, interesimin e subjekteve politike serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale e konsiderojnë si një gjë të rëndësishme.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj vlerëson se kjo është një dëshmi e mirë e integrimit të këtij komuniteti në jetën politike të vendit.

“Për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Kosovës, kjo është edhe një dëshmi e vazhdës së integrimit serb në realitetin e ri të krijuar në Kosovë, pra në shoqërinë kosovare dhe në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin lokal”, tha Manaj, duke shtuar se ky veprim i partive politike serbe tregon gatishmërinë për t’u integruar dhe në jetën institucionale të Kosovës.

“Natyrisht, është një shenjë e mirë e gatishmërisë së komunitetit serb të organizuar tashmë në parti politike, për të marrë pjesë në zgjedhje për pushtetin lokal, të caktuara për datën 15 nëntor të këtij viti”,
u shpreh Manaj.

Janë disa politikanë serbë të pjesës veriore të Kosovës që e kundërshtojnë me ngulm procesin zgjedhor, të paralajmëruar nga Prishtina zyrtare.

Beogradi zyrtar po ashtu u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës për bojkotim të zgjedhjeve që organizohen nga Prishtina zyrtare.

Por, disa serbë që marrin pjesë në institucione, kanë vendosur të mos dëgjojnë deklaratat e Beogradit zyrtar për t’i bojkotuar ato.

Thuhet që zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në nëntor, të jenë testi i parë i demokracisë në Kosovën e pavarur. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është zotuar për organizimin e një procesi zgjedhor sipas Kushtetutës, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG