Ndërlidhjet

“Lista e shërbyesve civilë shkurtohet për 13 mijë veta”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

LAJM
Partitë politike, të cilat nuk janë të përfaqësuara në Kuvend, rrezikojnë të mbeten jashtë zgjedhjeve të ardhshme lokale, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Përderisa partitë pjesëmarrëse në Kuvend marrin mjete financiare nga Fondi i Demokratizimit, partitë e vogla nuk marrin mjete nga ky fond. Kryetarja e Partisë Reformiste Ora, Teuta Sahatçiu, tha se kjo parti nuk financohet nga Fondi i Demokratizimit, pasi ajo është jashtë Kuvendit, Sahatçiu tha se këtë fond, Kuvendi ua shpërndan partive, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend. “Thua se vetëm Kuvendi duhet të demokratizohet, e jo i tërë spektri politik”...

INFOPRESS
Procesi i akreditimit dhe organizimi i provimit të maturës 2009 kanë qenë dy të arriturat më të mëdha, që e kanë përcjellë Kosovën gjatë viteve 2008/2009. MASHT, për herë të parë, u ka sqaruar institucioneve private të arsimit të lartë në Kosovë statusin e tyre. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një intervistë për “Infopress”, thotë se rritja e pagave të mësimdhënësve duhet të shihet si pjesë e procesit të licencimit. Ndërkaq, bën të ditur se MASHT, gjatë muajit shtator-tetor, do të dalë me programet e rikualifikimit të mësimdhënësve dhe të vlerësimit të performancës, dhe rritja e pagave nuk do të jetë simbolike, do të jetë shumë më e fuqishme. Mirëpo, koha dhe shuma janë çështje, të cilat i takojnë Qeverisë...

KOSOVA SOT
Komisioni Evropian do të publikojë raportin e progresit për Kosovën dhe studimin e fizibilitetit në tetor të këtij viti, për të cilin institucionet e vendit kanë shfaqur besimin se ai do të jetë pozitiv, që do të mundësojë përfshirjen e vendit në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në dhe për këtë, siç thonë, kanë ndërmarrë një numër veprimesh... Zyrtarja për informim e Zyrës ndërlidhëse në KE-së në Kosovë, Fjolla Çeku, tha se raporti vjetor i progresit për Kosovën si dhe studimi pritet të publikohen në muajin tetor. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka finalizuar planin e veprimit, i cili në fillim të muajit të ardhshëm do të gjendet në tavolinën e Qeverisë për miratim. Këshilltari Fisnik Rexhepi tha se Ministria e Brendshme ka filluar implementimin e të gjitha kritereve veç e veç...

EXPRESS
Qëllimi i Iv de Kermabosë që përmes konsultimeve shtesë me zyrtarë të institucioneve të Kosovës, të marrë aprovimin për nënshkrimin e protokollit policor me Serbinë, duket krejtësisht i parealizueshëm. Shefi i EULEX-it ka paralajmëruar se do të vazhdojë diskutimet me përfaqësues të institucioneve të Kosovës me qëllim të gjetjes së gjuhës së përbashkët për realizimin e marrëveshjes. Ai sot pritet të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi, që është takim i tyre i rregullt që mbahet çdo të hënë. Veç kësaj, zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka thënë se priten konsultime edhe në nivele tjera mes misionit të BE-së dhe institucioneve kosovare. “Aranzhimet teknike janë në tryezë dhe konsultimet me Qeverinë e Kosovës do të vazhdojnë”, ka thënë ajo, të dielën për “Express”. Megjithëkëtë, duket se këto konsultime do të jenë të kota, sepse Qeveria e Kosovës thotë se nuk pranon që bashkëpunimi policor mes Kosovës dhe Serbisë të nënshkruhet nga EULEX dhe Beogradi...

ZËRI
Strategjia afatmesme e lidershipit serb për Kosovën nuk ka pësuar asnjë ndryshim në javët dhe muajt e kaluar - bazuar në burimet diplomatike perëndimore në Prishtinë dhe në Beograd. Megjithëse, në ndërkohë, gjatë gjithë këtij viti, është shtuar varshmëria ekonomike dhe politike e Serbisë ndaj Perëndimit, si pasojë e krizës së madhe ekonomike dhe njëkohësisht është dobësuar pozicioni ndërkombëtar i Rusisë, Beogradi vazhdon të besojë që qasja e tij ndaj Kosovës do të sjellë përfitime politike si në raport me vetë çështjen e Kosovës, ashtu edhe sa i përket perspektivës evropiane të Serbisë. Rezultatet e para të kësaj politike tashmë janë “inkasuar” prej Beogradit...

BOTA SOT
Qëndrimi neutral i EULEX-it kundrejt pavarësisë së Kosovës nuk është asgjë tjetër vetëm një “farsë”, pasi ky mision në Kosovë ka ardhur pas pavarësisë dhe si i tillë duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Derisa ky mision ka ardhur në Kosovë pas statusit, de fakto neutraliteti i tij është jo real, por qëndrimin neutral mund ta ndërrojë vetëm atëherë kur pavarësinë e Kosovës e njohin të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe marrin një vendim me konsensus për njohjen e Kosovës. Kështu mendojnë zyrtarë të lartë të qeverisë, partiakë dhe analistë të Kosovës. Në fakt, vlerësohet në opinion se përpjekja e fundit e EULEX-it për nënshkrimin e një protokolli bashkëpunimi me Serbinë, është pasojë e qëndrimit neutral të këtij misioni ndaj statusit të Kosovës...

EPOKA E RE
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot (e hënë) të diskutojë për kërkesat e dy partive opozitare, Aleancës Kosova e Re dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë, për vendosjen e kamerave nëpër vendvotime në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Në fakt, AKR-ja është duke kërkuar vendosjen e kamerave në të gjitha vendvotimet, ndërsa LDD-ja në gjashtë komuna (kryesisht në ato që udhëhiqen nga PDK dhe AAK). Zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi, ka bërë të ditur për “Epokën e re” se në mbledhjen e së hënës, KQZ-ja, ndër të tjera, në rend dite do ta ketë edhe shqyrtimin e dy kërkesave, të AKR-së dhe të LDD-së, për vendosjen e kamerave në vendvotime në zgjedhjet lokale të këtij viti...

KOHA DITORE
Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi për afro një vit e katër muaj ka dëmtuar buxhetin e vendit, duke dhënë paga të dyfishta për postet e sekretarëve të përhershëm në, së paku, tetë ministri. Kjo çështje ka mbetur pezull, duke bërë që sekretarët e përhershëm aktualë dhe ata të suspenduar të vazhdojnë të marrin paga të njëjta çdo muaj. Komisioni për Emërime të Larta Publike, të cilit i janë drejtuar me ankesa ish-sekretarët e suspenduar, përfundimisht është vendosur të shpërbëhet. Shpërbërja e KELP-it është vulosur me projektligjin për shërbimin civil, i cili tashmë ka kaluar në Qeveri dhe është dërguar në Kuvend për miratim. Me këtë dokument, rreth 13 mijë punonjës të institucioneve të Kosovës janë nxjerrë jashtë listës së shërbyesve civilë...
XS
SM
MD
LG