Ndërlidhjet

logo-print

Dell: Pavarësia e Kosovës e pakthyeshme


Kristofer Dell

Kristofer Dell

Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës do të jetë e pandalshme, ka thënë në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili tashmë ka marrë detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë.


Republika e Kosovës mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë sot ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Ambasadori Dell, i cili ka filluar tashmë detyrën e tij të re në Kosovë, ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit Fatmir Sejdiu, duke e siguruar atë dhe popullin e Kosovës për interesimin e vazhdueshëm të Uashingtonit për Kosovën.

“Mund t’ju siguroj juve si president dhe popullin e Kosovës se mund të llogarisni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner tuajin”,
tha Kristofer Dell.

Në vazhdim, ambasadori amerikan rikujtoi parimet kryesore të politikës amerikane ndaj Kosovës, të cilat ai tha se janë shumë të thjeshta, por edhe të qarta.

“Së pari, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, kurse mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës do të jetë e pandalshme. Së dyti, Qeveria amerikane mbetet e përkushtuar të mbështesë një Kosovë demokratike, shumetnike dhe të integruar në strukturat euroatlantike”, tha ambasadori Dell.

Ambasadori amerikan është shprehur i bindur se populli i Kosovës dhe ai amerikan mund të jenë të bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta. Ai ka përmendur pesë angazhime të përbashkëta, në të cilat Qeveria e Kosovës do ta ketë mbështetjen e Qeverisë amerikane.
Të vazhdojmë ndërtimin e institucioneve demokratike. Të sigurohemi që Kosova të mbetet shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj... Të krijojmë një qëndrueshmëri ekonomike...

“Unë i shoh 5 pika që duhet t’i përmbushim së bashku. Të vazhdojmë ndërtimin e institucioneve demokratike. Të sigurohemi që Kosova të mbetet shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë të marrin pjesë në procesin e ndërtimit të së ardhmes. Të krijojmë një qëndrueshmëri ekonomike për të ofruar prosperitet për qytetarët. Të punojmë bashkë në sundimin e ligjit dhe përfundimisht të punojmë me partnerët evropianë për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka thënë ambasadori Dell.

Dua t’ju ndihmoj në arritjen e këtyre qëllimeve dhe jam i sigurt që së bashku do t’ia dalim, tha ai.

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu falënderoi Qeverinë amerikane për mbështetjen që i jep në vazhdimësi Kosovës. Ndërkaq, ambasadorit Dell i premtoi gatishmërinë e tij dhe të institucioneve për bashkëpunim të vazhdueshëm.

“Është kënaqësi e jona e veçantë që zoti Dell është një njohës i mirë i të gjitha zhvillimeve, rrethanave në Kosovë; ka qenë edhe një kohë të mëhershme këtu dhe ka udhëhequr me sukses misionin amerikan në Kosovë”.

Fatmir Sejdiu
“Ne do të kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë me të dhe me të gjithë ekipin që ky do ta udhëheqë. Prandaj, shprehim konsideratat më të larta dhe natyrisht konsideratat dhe falënderimet për SHBA-të dhe mbështetjen e tyre të përhershme që i kanë dhënë Kosovës”,
tha presidenti Sejdiu.

Ambasadori Kristofer Dell ka pasuar në këtë detyrë ish-ambasadoren Tina Kaidanov, e cila është angazhuar në një detyrë të re diplomatike.

Dell është i njohur për kosovarët, pasi që ai ka udhëhequr misionin e Zyrës Amerikane në Prishtinë. Ai tha se tash, pas tetë vjetësh që ishte kthyer sërish në Kosovë, ende ndihej si në shtëpinë e tij.

“Nga ajo kohë në Kosovë kanë ndodhur shumë ndryshime pozitive”, tha ambasadori amerikan.

Ai tha po ashtu se ndihej shumë optimist për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj. Pas Sejdiut, Dell është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG