Ndërlidhjet

Pa ujë, pa rrymë – s’ka vota


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Mungesa e energjisë elektrike si dhe ajo e ujit të pijshëm janë probleme me të cilat vazhdojnë të përballen qytetarët kosovarë. Zgjidhja e tyre paraqet kusht për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Kështu pohojnë përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilët u bëjnë thirrje kandidatëve garues në zgjedhje t’i përmbushin premtimet për përmirësimin e jetës në vend.


Para zgjedhjeve lokale, të parapara të mbahen më 15 nëntor të këtij viti, shoqëria civile ka shprehur pakënaqësitë e saj ndaj qeverisjes lokale, por edhe asaj qendrore.

Mungesa e energjisë elektrike si dhe ajo e ujit të pijshëm në kryeqytet, e veçanërisht në zonat rurale, janë probleme me të cilat po ballafaqohen qytetarët kosovarë dhe të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejtë, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Igballe Rogova, udhëheqëse e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha se gjatë fushatave parazgjedhore, shumica e politikanëve që kandiduan në atë kohë, e që tani janë në pozita udhëheqëse, kanë premtuar se gjendja me furnizim me energji dhe ujë do të përmirësohet, porsa ata të përzgjidhen prej qytetarëve.

Por, një gjë e tillë nuk është vërejtur të ketë ngjarë, përderisa qytetarët, thotë Rogova, vazhdojnë t’i bartin pasojat.

“Motoja e atyre që janë kandiduar në zgjedhjet e kaluara, ka qenë që gjithmonë do të kemi ujë dhe rrymë, 24 orë. Asnjëra nga këto nuk është... Mos e shikoni gjendjen në Prishtinë, gjendja në komunat tjera është katastrofë edhe me ujë, edhe me rrymë”, u shpreh Rogova.

Në bazë të ankesave të paraqitura në Rrjetin e Grupit të Grave të Kosovës, sipas Igballe Rogovës, nëse nuk përmirësohet gjendja me ujë të pijshëm, qytetarët thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

“Gjithmonë, ankesë e qytetarëve është: jemi ngopur, nuk do të votojmë. Ne bëjmë punë të dyfishtë; një, i marrim ato ankesa dhe, dy, i inkurajojmë qytetarët që të votojnë”.

“Mirëpo, në këtë rast, qytetarët po bëjnë presion me këtë moto, nuk është motoja jonë, është e qytetarëve; ata po bëjnë presion tek politikanët: mjaft më me premtime, ne dëshirojmë ndryshime, ashtu siç kanë premtuar”,
shpjegoi Rogova.

Edhe Nehat Bllacaku, nga organizata joqeveritare ”Mileniumi i Ri”, pohon se kandidatët, të cilët do të garojnë për kryetarë në komunat e Kosovës, duhet të kenë parasysh që t’i përmbushin premtimet e tyre për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Ata që garojnë, duhet të mendojnë që këto probleme duhet të zgjidhen, sepse qytetarët kur japin votën, mendojnë se këta njerëz do t’i zgjidhin problemet e tyre. Prandaj, presim që në të ardhmen këta kandidatë të merren me hallet e këtyre njerëzve”, u shpreh Bllacaku.

Duke e parë gjendjen e rëndë të furnizimit me ujë të pijshëm, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, deri në fund të muajit shtator, do të organizojë nënshkrimin e një peticioni në të gjitha komunat e Kosovës dhe më pas nënshkrimet do t’u dërgohen institucioneve përgjegjëse.

Sidoqoftë, në Prishtinë, reduktimet e ujit sillen nga 6 deri në 12 orë, kurse në periferi ndodh që vetëm 2 orë në ditë të ketë ujë të pijshëm.
XS
SM
MD
LG