Ndërlidhjet

logo-print

Finalizimi i marrëveshjeve për riatdhesimin e kosovarëve me disa nga shtetet perëndimore pritet të bëhet gjatë këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm, ndërkaq riatdhesimi përfundimisht do të bëhet në fund të 2010-ës, pohojnë autoritetet kosovare.


Procesi i riatdhesimit të kosovarëve pa leje qëndrimi në shtetet perëndimore, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do të përshpejtohet, për shkak të përmbushjes së kritereve të procesit të liberalizmit të vizave dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Këshilltari Fisnik Rexhepi thotë se fillimisht do të arrihet marrëveshje për riatdhesimin e kosovarëve me Norvegjinë, Gjermaninë, Belgjikën dhe Zvicrën.

“Tashmë vetëm pritet nënshkrimi mes autoriteteve të Kosovës dhe të këtyre vendeve veç e veç. Marrëveshjet kanë të bëjnë me kthimin e shtetaseve të Republikës së Kosovës, të cilët jetojnë në këto vende dhe nuk kanë të definuar qëndrimin e statusit të tyre legal në këto vende. Në kemi siguruar marrëveshje që shkojnë përtej atyre të riatdhesimit”, thotë Rexhepi.

Sipas tij, këto marrëveshje në konceptin e ri edhe të Bashkimit Evropian quhen marrëveshje të partnerit në fushën e migrimit dhe nënkuptojnë që vendet, përveç që do të riatdhesojnë shtetasit e tyre, do të përfitojnë edhe në fushën e migrimit legal, qoftë përmes punësimit sezonal, ofrimit të shkollimit dhe bursave për profesionistët e rinj.

Riatdhesimin e kosovarëve, eksperti për çështje të migrimit, Rifat Blaku, e sheh si një proces të domosdoshëm. Ai thotë se ky proces duhet të fillojë në bazë të parimeve dhe normave evropiane për kategori të caktuara të qytetarëve, të cilëve tashmë u përfundon e drejta e qëndrimit në shtetet përkatëse.

“Ato arsye politike, kombëtare, racore dhe fetare, të cilat kanë qenë, tani në Republikën e Kosovës nuk ekzistojnë. Kosova është një shtet i demokracisë së lartë, i të drejtave universale, kampione për respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe si e tillë Kosova duhet të jetë e aftë që këtë kontingjent ta pranojë, edhe përkundër vështirësive ekonomike që janë aktualisht”,
shprehet Blaku.

Sa i përket numrit të kosovarëve, të cilët do të riatdhesohen, këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rexhepi, ndonëse nuk jep ndonjë shifër, thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë numër të madh.

“Kosova është e vetëdijshme për situatën, gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale, por po ashtu jemi të vetëdijshëm për faktin se si shtet i pavarur duhet të marrim përgjegjësi për qytetarët tanë, në mënyrë që të përshpejtohen proceset tjera që janë edhe më të rëndësishme për vendin, siç është procesi i liberalizmit të vizave dhe integrimit evropian në përgjithësi”, thotë Rexhepi.

Ne anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, përkundër, siç thonë ata, ngritjes së papunësisë në Kosovë, riatdhesimin e shohin edhe si një proces pozitiv. Analisti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, shpjegon:

“Shumë bashkatdhetarë tanë që kanë jetuar si azilantë ekonomikë, do të kthehen në Kosovë. Ky aspekt i ka dy kahe: në njërën anë, do ta rrisë shkallën e papunësisë dhe, në anën tjetër, disa të tjerë që mund të kthehen, mund të kenë kapital të investojnë në sektorë të ndryshëm ekonomikë”, shpreh bindjen Bektashi.

Marrëveshjet e riatdhesimit janë ndër kushtet kryesore në procesin e liberalizmit të vizave. Ndërkaq, Republika e Kosovës, pas pavarësimit, ka marrë të gjitha përgjegjësitë për shtetasit e saj, të cilët gjenden përkohësisht jashtë vendit dhe që nuk e kanë të rregulluar statusin e tyre legal.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG