Ndërlidhjet

KQZ kundër kamerave


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për herë të dytë, ka hedhur poshtë kërkesën e disa partive opozitare për vendosjen e kamerave në qendrat e votimit, në zgjedhjet e paralajmëruara për 15 nëntor. Arsye, sipas KQZ-së, është kostoja e lartë e kamerave dhe koha a shkurtër e përgatitjeve.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë sërish kërkesën e disa partive politike në opozitë për vendosjen e kamerave në qendrat e votimit dhe numërimit, gjatë zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit.

Kryetarja e Komisionit Qendror, Nesrin Lushta, lidhur me këtë vendim, shpjegon se kërkesa për vendosjen e kamerave në 3 mijë vendvotime është refuzuar.

“Kërkesa e AKR-së për rivendosjen e vendimit, të cilin KQZ-ja paraprakisht e ka marrë, është refuzuar. Kërkesa e dytë ishte kërkesa e LDD-së lidhur me vendosjen e kamerave në vendvotime në 6 komuna dhe në qendrën e numërimit të rezultateve dhe u mor vendim që të mos aprovohet”, tha Lushta.

Sipas saj, disa nga arsyet e refuzimit të kësaj kërkese janë kostoja e lartë e blerjes së kamerave dhe koha e shkurtër e përgatitjeve deri në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Është kohë e shkurtër, është kostoja...

“Është kohë e shkurtër, është kostoja. KQZ-ja, jo vetëm që vendos për vendosjen e kamerave ose jo, por duhet edhe vetë të implementojë. D.m.th. nëse e aprovon një kërkesë të tillë, duhet vetë ta implementojë”, u shpreh Lushta.

Partitë politike në opozitë kanë reaguar ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar atë si shkelje të vullnetit të qytetarëve, marrë parasysh faktin që, siç thonë ata, 50 për qind e elektoratit u takon partive politike në opozitë.

Fadil Maloku, përfaqësues i Aleancës Kosova e Re në KQZ, thotë se vendimi është marrë në disfavor të transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm, që në zgjedhjet lokale të japë testin e parë se si të menaxhohet procesi i zgjedhjeve.
50 % e vullnetit të qytetarëve të Kosovës është shkelur sot me këtë votim që nuk u bë për futjen e video-kamerave.

“Mbi 50 % ishin pro, LDK-ja, AKR-ja, AAK-ja, LDD-ja. Nëse shkojmë në këtë kalkulim, del diku se 50 % e vullnetit të qytetarëve të Kosovës është shkelur sot me këtë votim që nuk u bë për futjen e video-kamerave”, tha Maloku.

Ndërkaq, rreth vendosjes së kamerave në qendrat e numërimit, kryetarja e KQZ-së, zonja Lushta, tha se kjo çështje do të diskutohet edhe një herë në njërin nga takimet e radhës së KQZ-së.

“Për pjesën e kërkesës së LDD-së, që ka të bëjë me vendosjen e kamerave në qendrën e rezultateve, nuk u mor vendim i prerë. Kështu që mendoj se në takimet e ardhshme do t’i kthehemi edhe një herë çështjes së vendosjes së kamerave vetëm në qendrën e numërimit të rezultateve”, theksoi Lushta.

Por, përfaqësues të opozitës shprehin bindjen se në këtë mënyrë po shkohet drejt keqkuptimeve dhe keqpërdorimeve. Zoti Maloku thotë:

“Paramendoni situatën nesër, nëse dikush prej nesh del e thotë që ky është rezultati i zgjedhjeve lokale, e dikush e konteston me mish e me shpirt atë”.

Sido që të jetë, opozita kishte kërkuar përdorimin e kamerave si një mjet për t’i mënjanuar keqpërdorimet dhe shkeljet gjatë procesit të zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG