Ndërlidhjet

logo-print

“KE mbështet protokollin antikushtetues”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Pas kthimit në Kosovë, shoh një progres gjithkund. Kur e shoh progresin, ndjehem optimist për punën tonë të përbashkët dhe të ardhmen e Kosovës”, kështu ka thënë ambasadori i ri amerikan në Kosovë, diplomati i njohur, Kristofer Dell, i cili të hënën ka takuar presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni. Dell, liderëve të Kosovës u ka premtuar mbështetjen amerikane në përpjekjet për integrime euroatlantike. “Garantoj partneritetin amerikan për ndërtimin e një shoqërie demokratike, shumetnike, tolerante dhe me perspektivë euroatlantike”, ka thënë Dell...

KOSOVA SOT

Zërave kundërshtues të partive politike ndaj marrëveshjes së paralajmëruar të EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë i janë shtuar edhe organizatat qeveritare... Muaj më parë, KE-ja ka miratuar propozimin lidhur me liberalizimin e vizave me Serbinë, ku një nga çështjet e hapura sipas tyre, mbetet përmirësimi i mbikëqyrjes kufitare/ndër-kufitare, e cila, siç thuhet në sqarimin për gazetën, përfshin në veçanti shkëmbimin e informatave me EULEX-in/Policinë e Kosovë. “Komisioni Evropian në parim i përkrah hapat që shpijnë drejt bashkëpunimit më të mirë në mes të EULEX-it dhe Serbisë. Në kontekstin e dialogut për çështjen e vizave, KE-ja në veçanti pret shtimin e shkëmbimit të informatave në mes të Policisë së EULEX-it dhe Serbisë...”, thekson zyra e KE-së përmes zyrtares për informim, Fjolla Çeku...

EXPRESS
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Eqrem Kryeziu, i ka hyrë një belaje të madhe. Kokë më vete, ai ka vendosur që kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit të jetë Hanefi Muharremi, përkundër faktit që pjesa dërrmuese e degës ishte përcaktuar për Fadil Kryeziun. Në tri takime të Kryesisë së degës – gjatë dy javëve të fundit – Eqrem Kryeziu është munduar t’i bindë të gjithë se Hanefi Muharremi është alternativë e vetme për kryetar të Prizrenit. Por, nuk ia ka dalë. Burime të “Expressit” kanë thënë se shumica e anëtarëve të Kryesisë së degës dhe Forumi Rinor i Degës kanë kundërshtuar kandidaturën e Muharremit, duke shtyrë atë të Fadil Kryeziut...

ZËRI
Fundi i muajit gusht dhe fillimi i muajit shtator do të duhej të sillte, sipas burimeve diplomatike perëndimore në Prishtinë, qartësimin e pozicionit dhe rolit të faktorit ndërkombëtar sa i përket zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat janë caktuar për 15 nëntor të këtij viti. Dihet që kësaj radhe, faktori vendor, gjegjësisht Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), do të jetë autoriteti suprem i organizimit të zgjedhjeve, për dallim prej të gjitha zgjedhjeve të mbajtura në Kosovën e pasluftës, në harkun kohor 2000-2007, kur Misioni i OSBE-së ishte përgjegjësi kryesor për mbajtjen e votimeve në Kosovë. Megjithatë, po ashtu është e qartë që faktori ndërkombëtar, para së gjithash, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari për Kosovën, do të duhej të kishe një rol të veçantë në mbikëqyrjen, madje edhe në certifikimin e zgjedhjeve...

BOTA SOT
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur të hënën Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Piter Feith, dhe shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo. Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë për procesin e decentralizimit, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës dhe për çështje tjera aktuale. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi vazhdimësinë e përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të thelluar bashkëpunimin me Misionin Civil Ndërkombëtar dhe me Misionin e EULEX-it, në funksion të zhvillimit të gjithëmbarshëm të vendit dhe perspektivës evropiane të tij...

EPOKA E RE
Një grup i Organizatave Joqeveritare të Kosovës, nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kërkoi nga organi më i lartë përfaqësues i Republikës së Kosovës të mos lejojë përfaqësimin e vendit nga EULEX-i në nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë, në të kundërtën, sipas tyre, Kuvendi duhet të bartë përgjegjësinë kryesore për pasojat eventuale. OJQ-të përshëndesin deklarimin dhe qëndrimin e krerëve shtetërorë të Kosovës, të cilët kundërshtojnë që EULEX-i të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje me Republikën e Serbisë, mirëpo, sipas organizatave, deklarimet e tilla duhet të përcillen me veprime konkrete...

KOHA DITORE
Partia Demokratike e Kosovës të hënën ka fituar betejën kundër vendosjes së kamerave në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Duke “marrë” pas vetes votat e përfaqësuesve të pakicave në KQZ dhe “super-votën” e kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, partia në pushtet përfundimisht ka mbyllur debatin rreth vendosjes së kamerave në vendvotime. Me arsyetimin se ka kosto të lartë financiare dhe nuk ka mbetur kohë e mjaftueshme për t’u realizuar kjo kërkesë, KQZ-ja, në mbledhjen e së hënës, ka vendosur kundër vendosjes së kamerave në vendvotime. Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka thënë se është koha e shkurtër dhe kostoja e lartë ato që bëjnë që KQZ-ja të mos e aprovojë një propozim të tillë...

LAJM
Përkundër premtimeve, projekti për instalimin e arkave fiskale nuk ka filluar të zbatohet në fillim të gjysmës së dytë të këtij viti, ashtu siç kishin thënë më parë zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Muharrem Shahini, tha se, duke pasur parasysh përvojat e rajonit dhe tërë komplikueshmërinë e projektit, grupi i ekspertëve është duke i dhënë rëndësi të madhe specifikacionit teknik dhe funksional, të cilin do të vendosen rregullat, të cilave duhet t’iu përmbahen të gjithë tatim-paguesit, në mënyrë që procesi i arkave fiskale të jetë i suksesshëm...
XS
SM
MD
LG