Ndërlidhjet

Administrata e presidentit Obama ka ndërmarrë hapa në lidhje me trajtimin e të dyshuarve për terrorizëm nga Qeveria amerikane në të kaluarën dhe në të ardhmen, duke nisur kështu një hetim mbi teknikat që CIA ka shfrytëzuar në kohën e ish-presidentit Bush, për të marrë në pyetje të dyshuarit për terrorizëm.


Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë ka konfirmuar në kushte anonimiteti, se një prokuror federal tashmë është emëruar për të hetuar dyshimet mbi abuzimet e oficerëve dhe kontraktuesve, të cilët kanë punuar për agjencinë e zbulimit CIA, gjatë kohës kur presidenti Xhorxh Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë.

Atëbotë, presidenti dhe zyrtarët e administratës së tij shpeshherë kanë mbrojtur shfrytëzimin e teknikave të ashpra të marrjes në pyetje, si për shembull simulimin e mbytjes në ujë, duke i cilësuar si metoda thelbësore për të arritur deri tek informacionet kritike nga të dyshuarit për terrorizëm.

Xhorxh Bush
Lajmi për këto hetime kriminale është shoqëruar edhe me publikimin e një raporti nga Zyra e inspektorit të përgjithshëm të CIA-s për teknikat e hetuesisë.

Në të, mes tjerash, thuhet se oficerët e CIA-s dhe kontraktuesit kanë improvizuar ekzekutime dhe i janë kërcënuar një të burgosuri me armë. Kërcënimi i të burgosurve me vdekje është shkelje e statutit federal amerikan mbi torturën.

Administrata e zotit Obama ka thënë se në të ardhmen, të gjithë hetuesit amerikanë duhet t’i zbatojnë rregullat që gjenden në manualin ushtarak, në të cilin janë detajizuar ato çka hetuesit munden dhe nuk munden të bëjnë derisa marrin në pyetje një të dyshuar, duke mos lënë fare hapësirë për interpretime individuale.

Manuali veçanërisht ndalon teknikat që janë shfrytëzuar në të kaluarën, sikur që është detyrimi i të burgosurve të zhvishen, kërcënimi i tyre me qenë ushtarakë, ekspozimi në temperatura ekstremisht të larta apo të ulëta dhe simulimi i mbytjes në ujë.

Barak Obama
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka në plan t’i parandalojë abuzimet në të ardhmen, duke e formuar një njësi të re të hetuesisë, e cila do të mbikëqyret nga Shtëpia e Bardhë dhe do të përbëhet nga ekspertë të një game të gjerë agjencish qeveritare.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Bill Burton, tha se kjo njësi do të quhet “Grupi i Lartë i Hetimit të të Burgosurve” dhe do të udhëhiqet nga selia e Byrosë Federale të Hetuesisë, FBI.

Ai tha se vendimi për ta shkarkuar CIA-n nga roli udhëheqës në hetimet mbi të dyshuarit, nuk do të zbehë kontributin e saj në mbledhjen e informacioneve.

"CIA padyshim që ka një rol të rëndësishëm në ndërlidhje me hetimet. Ata kanë bërë një punë brilante në këtë drejtim deri më tash, në mbledhjen e informacioneve. Shumë njerëz nuk e dinë se gjysma e misionit të FBI-së është në fakt të mbledhë informacione”.

“Prandaj, me këtë vendim, të gjitha elementet e ndryshme hyjnë në një grup të vetëm, për të pasur mundësi më të mirë të performancës. Komuniteti i zbulimit do të ketë një përfaqësues në këtë grup dhe natyrisht CIA do të jetë e përfshirë në këtë”,
ka thënë zoti Burton.

Ai tha se administrata e Obamës do të vazhdojë praktikën e administratës së Bushit, për dërgimin e të dyshuarve për terrorizëm në vendet e treta, por Shtëpia e Bardhe nuk do t’i dërgojë ata në vendet ku tortura është e lejueshme dhe njëkohësisht do të vëzhgojë çdo proces nga afër.

Departamenti Amerikan i Shtetit gjithashtu do të ketë një rol më të madh në praktikë seç ka pasur gjatë viteve të presidencës së zotit Bush, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

XS
SM
MD
LG