Ndërlidhjet

Kritika ndaj vendimit të KQZ-së


Ligjvënës kosovarë
Ligjvënës kosovarë

Opozita kosovare konsideron se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t'u thënë 'jo' kamerave në vendvotime, nuk është i bazuar. Ata pohojnë se ky vendim, pos tjerash, vë në dyshim transparencën e procesit zgjedhor. Edhe analistët politikë këtë vendim e shohin si jo të duhur.


Përfaqësuesit e partive opozitare kanë kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendimin e marrë dje, që gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit të mos ketë kamera në qendrat e votimit.

Kostoja e lartë e kamerave dhe koha e shkurtër e përgatitjeve – arsye këto që i ka dhënë KQZ-ja për të arsyetuar vendimin e saj, sipas opozitës, nuk qëndrojnë.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, shpreh bindjen se vendosja e kamerave në vendvotime do të rriste transparencën. Andaj, sipas tij, KQZ-ja nuk ka bërë një vlerësim të duhur.

Ibrahim Makolli
“E them me përgjegjësinë më të madhe se të gjitha këto arsye që i ka dhënë KQZ-ja, janë të paqëndrueshme. Ne kemi dhënë tri variante dhe KQZ-ja nuk ka pasur një vlerësim se sa është kostoja e tyre (kamerave), qoftë duke i vendosur në të gjitha vendvotimet, sepse kemi diku 700 qendra të votimit, që nënkupton 700 kamera”.

“Ose, në secilën komunë të krijohet nga një qendër e numërimit të votave, që nënkupton diku 30 deri në 35 kamera. Po e them që nuk ka pasur një vlerësim serioz të rëndësisë, që do të kishte vendosja e telekamerave”,
shprehet Makolli.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, vendimin e KQZ-së e cilëson shumë dëshpërues. Ajo, madje, konsideron se veprimet e tilla janë edhe të rrezikshme.

“Kësaj radhe më e dukshme është parë PDK-ja, që është kundër. Por, partitë në pushtet janë ato, të cilat e dëmtojnë demokracinë. Nuk punojnë për ta ndërtuar dhe konsoliduar demokracinë”.
...demokracia në Kosovë po dëmtohet, e në radhë të parë edhe në vetë procesin zgjedhor. Unë për veten time dhe subjekti im politik vërtet jemi tejet të dëshpëruar.

“Vërtet jemi dëshmitarë që në çdo segment të jetës, demokracia në Kosovë po dëmtohet, e në radhë të parë edhe në vetë procesin zgjedhor. Unë për veten time dhe subjekti im politik vërtet jemi tejet të dëshpëruar”.

“Ky është një sinjal shumë i rrezikshëm për partitë politike dhe pushtetin sot në Kosovë”,
thotë zonja Gaxherri, për të shtuar se arsyetimet e dhëna nga KQZ-ja nuk qëndrojnë.

“Kostoja është krejt e pavërtetë, sepse nuk është kosto e lartë. Kostoja shumë e lartë është për dështimin e zgjedhjeve, për vjedhjen e votave - kjo është kostoja e lartë e këtij populli, e këtij vendi, që po i kushton sot në kurrizin e tij aq të varfër, me gjithë këtë korrupsion, me gjithë këto gjëra, që janë krejtësisht të papranueshme për Kosovën dhe popullin e saj”.

“Vërtet, të gjitha këto arsyetime janë krejtësisht të papranueshme dhe ndonjëherë qesharake, por më shumë ironike”,
konsideron Gaxherri.

Ndërkaq, Ibrahim Makolli, nga AKR-ja, gjithashtu shpreh mendimin se disave nga partitë politike nuk u konvenon të ketë kamera as në vendvotime, as në qendrat e numërimit.

“Kjo flet më së miri për atë që dikush po i frikësohet transparencës. Ne kemi theksuar vazhdimisht që vendosja e telekamerave do të rrisë transparencën e një procesi shumë të rëndësishëm të sistemit të demokracisë, e që janë zgjedhjet”, thotë Makolli.

Nga ana tjetër, vendimin e KQZ-së për të mos monitoruar qendrat e votimit me anë të kamerave, gjatë zgjedhjeve të 15 nëntorit, as analistët politikë në Prishtinë nuk e konsiderojnë si të drejtë.

Analisti Ramush Tahiri e quan një zgjidhje jo të duhur.

“Duket që nuk është zgjidhja më e përshtatshme, sepse është kërkesë e shumë partive politike që të ketë kamera në zgjedhje, me arsyetimin se këto zgjedhje duhet të jenë të ndershme dhe fer, që të ketë kontroll, që të eliminohet çfarëdo dyshimi për manipulime”, thotë Tahiri.

Ai vlerëson se arsyet e dhëna nga KQZ-ja për mosvendosjen e kamerave në vendvotime mund të jenë të diskutueshme, por, sipas tij, opinioni ka pritur më shumë për një vendim pro vendosjes së kamerave.
Votimi në KQZ u përjetua si një lloj zhgënjimi dhe u përjetua si një zgjidhje që nuk ishte më e mira për momentin.

“Opinioni kishte pritur një vendim pozitiv për këtë punë, sepse nuk dukej e keqe që të ketë kamera në qendrat e votimit, e sidomos në qendrat e numërimit; aq më parë që opinioni është mësuar me përvojën e Shqipërisë dhe kjo e rriti transparencën”.

“Prandaj, votimi në KQZ u përjetua si një lloj zhgënjimi dhe u përjetua si një zgjidhje që nuk ishte më e mira për momentin”,
thekson Tahiri.

Analistët sugjerojnë që KQZ-ja duhet të ndihmohet nga të gjitha institucionet e vendit për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe transparente.

Komisioni Qendror Zgjedhor do të jetë autoriteti kryesor i organizimit të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, për dallim prej të gjitha zgjedhjeve të mbajtura deri më tani, ku OSBE-ja kishte përgjegjësitë kryesore për mbarëvajtjen e tyre.
XS
SM
MD
LG