Ndërlidhjet


Më 12 dhe 15 korrik, dyzetekatër njerëz të paidentifikuar, të cilët kishin humbur jetën gjatë dhunës pas-zgjedhore në Iran, janë varrosur në varreza të paidentifikuara në Behesht Zahra, njofton ueb-faqja “Noroznjus”.

Kjo ueb-faqe, e cila është e afërt me partinë më të madhe pro-reformatore, Mosharekat, po ashtu ka bërë të ditur se në ditët e ardhshme dhe në një “kohë të përshtatshme” do të publikojë fotografi dhe video të varrimit sekret.

Ligjvënësi reformator, Majid Nasirpour, ka thënë se pohimet e tilla duhen investiguar. Sipas Hamid Reza Katouzianit, ligjvënës konservator, dëshmitë për këtë “varrim sekret” duhet të parashtrohen në Kuvend.

Por, është konservatori tjetër, Ferhad Tajari, ai që i ka përgënjeshtruar pohimet e kësaj ueb-faqeje, duke thënë se arrestimet pas-zgjedhore kanë qenë transparente.

Edhe drejtori i Organizatës Behesht Zahra, Mahmud Rezaian, i ka thënë agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve Mehr se “raportet për varrim sekret janë vetëm thashetheme dhe nuk ka pasur varrosje të trupave të paidentifikuar”.

Mirëpo, sipas “Noroznjus”, njerëzit mund të shkojnë t’i vizitojnë varret, të cilat thuhet se janë në pjesën e re të varrezave, në jug të Teheranit. Sipas kësaj ueb-faqeje, ato ndodhen në seksionin 302 të varrezave.

Zyrtarët iranianë kanë raportuar për 30 viktima gjatë dhunës pas-zgjedhore, por ata nga radhët e opozitës besojnë se numri i të vrarëve është shumë më i lartë.

Disa burime të tjera pohojnë për 350 të vrarë gjatë përleshjeve pas-zgjedhore. Ndërsa, të paktën dy njerëz thuhet të kenë humbur jetën nga tortura në burg.


XS
SM
MD
LG