Ndërlidhjet

Senatori amerikan, Eduard Kenedi, ka ndërruar jetë pas një beteje disavjeçare me tumorin në tru. Ai ka qenë një figurë e lartë në Partinë Demokratike dhe njëri nga senatorët më me ndikim.





Senatori amerikan, Eduard Kenedi, ka ndërruar jetë pas një beteje disavjeçare me tumorin në tru. Ai ishte 77 vjeçar.

Eduard Kenedi, vëllai i ish-presidentit Xhon F. Kenedi, ka qenë një figurë e lartë në Partinë Demokratike dhe njëri nga senatorët më me ndikim. Ai po ashtu ka shërbyer shumë gjatë si senator.

Kenedi ishte diagnostifikuar me tumor në tru në vitin 2008.

Kenedi është zgjedhur në Senat në vitin 1962, në kohën kur vëllai i tij, Xhon Kenedi, i cili u vra më 1963, ishte president.

Eduard Kenedi garoi për të marrë nominimin e partisë së tij për president në vitin 1980, por humbi nga presidenti i atëhershëm, Xhimi Karter.

Për dekada të tëra, Kenedi ishte zë dominues për kujdesin shëndetësor, të drejtat civile dhe çështje të tjera në Kongres.

Familja e Kenedit njoftoi sot për vdekjen e tij përmes një deklarate të shkurtër për media.


Shtypi botëror për vdekjen e senatorit

Senatori Eduard Kenedi nga Masaçusets, i biri i familjes më të njohur në politikën amerikane, njeriu i cili ka njohur nga afër triumfin dhe tragjedinë dhe figura që do të kujtohet si një nga ligjvënësit më të fuqishëm në historinë e Senatit amerikan, ka vdekur në moshën 77 vjeçare, të martën mbrëma, shkruan e përditshmja amerikane “Nju Jork Tajms” (New York Times).

Zoti Kenedi nuk ka qenë mirë me shëndet që prej goditjes që pësoi në maj të vitit 2008, pas së cilës mjekët konstatuan se vuante nga një lloj i tumorit në tru.

Ndërkohë që vazhdonte trajtimin, që prej atëherë zoti Kenedi është parë rrallë në Uashington, por, edhe pse mungonte fizikisht, prania e tij ishte e palëkundshme në kohën kur Kongresi shqyrtonte revizionet më të rëndësishme në sistemin e kujdesit shëndetësor të Shteteve të Bashkuara, një përpjekje kjo të cilën zoti Kenedi e quante “kauza e jetës sime”.

NYT rikujton se senatori Kenedi ishte i mbijetuari i fundit i vëllezërve të një gjenerate të familjes Kenedi, që dominoi politikën amerikane gjatë viteve të 60-ta dhe e cila u bë e njohur me idealizmin e saj politik dhe vdekjen e parakohshme.

Senatori Kenedi ishte pothuajse në qendër të historisë amerikane në pjesën më të madhe të shekullit 20 dhe në fillim të shekullit 21, shkruan gazeta, duke rikujtuar se në pjesën më të madhe të jetës së tij, ai është përballur me fitore dhe katastrofa.

Ai ka fituar në çdo zgjedhje të Senatit, por nuk ka pasur sukses në përpjekjen e tij të vetme për të fituar presidencën. Ka qenë dëshmitar i vdekjes së papritur të dy vëllezërve dhe tre nipave të tij.

NYT shkruan se zoti Kenedi ka lënë gjurmët e tij në legjislacionin mbi të drejtat civile, kujdesin shëndetësor, edukimin, të drejtat e votuesve dhe punëtorëve, por ka qenë njëkohësisht më shumë se një ligjvënës. Ka qenë legjendë e gjallë, prania e të cilit e ka krijuar një ndjenjë sigurie për turmën dhe figura e të cilit e ka ndjekur çdo president, shkruan NYT.

E përditshmja tjetër “Uashington Post” (Washington Post) shkruan se Eduard Kenedi ishte një ligjvënës i kujdesshëm dhe efektiv, i madh edhe në vitet kur republikanët kishin pushtetin. Në kohën kur shumë demokratë tentonin të shkarkoheshin nga etiketa e të qenët liberalë, senatori nga Masaçusets e përqafoi këtë etiketë me mburrje.

Ai ishte në qendër të shumicës së madhe të çështjeve të rëndësishme, me të cilat është përballur Amerika për dekada të tëra dhe ka bërë jashtëzakonisht shumë në formësimin e tyre.

Si mbrojtës i të varfërve dhe atyre që në politikë ishin në disavantazh, Kenedi ka vendosur standardet e partisë së tij, duke u përqendruar në kujdesin shëndetësor, edukimin, të drejtat civile dhe Ligjin mbi punën, shkruan WP.

Është njohur gjithashtu si kundërshtar i rreptë i luftës në Vietnam dhe që prej fillimit ka qenë kundërshtar i zëshëm i luftës në Irak.

I diagnostikuar në maj të vitit 2008 me tumor në tru, ai është ngritur po atë verë nga shtrati i tij në spital për të vënë votën dramatike në Senat, në favor të legjislacionit që parandalonte shkurtime të mëdha në sistemin shëndetësor. WP rikujton se disa republikanë ishin aq të prekur nga prania e tij dhe u detyruan të ndryshojnë votën e tyre në favor të ligjit.

E përditshmja tjetër, “Uoll Strit Xhërnëll” (Wall Street Journal), e përshkruan senatorin Kenedi si ikonë liberale dhe cak të shpeshtë të republikanëve, i cili do të mbahet mend si ligjvënësi me arritje më të mëdha në epokën moderne.

Ai asnjëherë nuk e ka humbur tërësisht pozicionin, ka ndërtuar reputacionin e tij në mënyrë thelbësore dhe duke mbështetur kandidaturën e Barak Obamës në zgjedhjet partiake vitin e kaluar, ka ndryshuar dinamikën e garës.

Masaçusets do të mbajë zgjedhje të posaçme për ta zënë vendin e tij në Senat dhe ky shtet anon fuqishëm kah demokratët. Sidoqoftë, zoti Kenedi ka pasur ndikim në nivelet më të larta të qeverisjes deri në fund.

WSJ shkruan se zgjedhja e zotit Obama si president shënoi edhe kthimin e zotit Kenedi në qendrën e vërtetë të skenës kombëtare.

Nga nëntë fëmijët e Xhozef dhe Rozë Kenedit, mbijetuesja e vetme tani është Xhin Kenedi Smith, ish-ambasadore në Irlandë.

Muajt e fundit të senatorit janë përshkuar me dhimbjet e një njeriu, i cili luftoi gjatë tërë karrierës së tij për një sistem universal shëndetësor, duke zbuluar edhe dritaren e fundit për ta arritur këtë, ndërkohë që vetë ishte i angazhuar në betejën e rëndë për shëndetin e tij, shkruan në fund WSJ.
XS
SM
MD
LG