Ndërlidhjet

“EULEX-i do marrëveshje me Serbinë edhe për doganat”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Subjektet politike kanë kërkuar monitorimin e procesit zgjedhor për pushtet lokal të nëntorit nga ana e një mekanizmi ndërkombëtar, në këtë rast OSBE-së apo KE-së, por jo edhe për certifikimin e rezultatit zgjedhor, pasi kjo mbetet çështje ekskluzive e KQZ-së, e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës. Me propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit me nenin 11, që u referohet zgjedhjeve, theksohet se zgjedhjet duhet të certifikohen se i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare nga një autoritet kompetent ndërkombëtar. Ndërsa, akti më i lartë i vendit në nenin 139, që u referohet zgjedhjeve, përcakton KQZ-në si organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre...

EXPRESS
Opozita në Kosovë është në kërkim të rrugëve të reja për ta shtyrë përpara idenë e instalimit të kamerave në procesin e votimit për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, pas grushtit që mori dy ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ibrahim Makolli, i cili ka qenë nënshkrues i kërkesës së hedhur poshtë të martën, thotë të mos jetë dorëzuar nga mbivotimi në KQZ. Ai ka një plan të ri. Makolli do t’i kërkojë KQZ-së ta rishikojë vendimin për ta shqyrtuar një kërkesë tjetër, gjithashtu të rishikuar. “Nuk e konsiderojmë si çështje të mbyllur. Ka ende hapësirë të bëhet diçka dhe të rishikohet vendimi. Ne do të kërkojmë vendosjen e kamerave në 700 qendra të numërimit, në secilën prej tyre. Ose duhet të krijohet nga një qendër numërimi në secilën komunë, pastaj edhe kostoja do të ishte më e vogël”, thotë Makolli, nënkryetar i AKR-së...

ZËRI
Dje, prej orës 10:00-11:00, në lagjen Kroi i Vitakut të Mitrovicës, një grup prej rreth 35-40 personash të nacionalitetit serb, banorë të kësaj lagjeje, tentuan të pengojnë punimet e rindërtimeve të shtëpive të shqiptarëve, të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998/99. Serbët i kanë sulmuar me gurë e mjete tjera të forta punëtorët (që të gjithë të nacionalitetit shqiptar) që po punonin në ndërtimin e këtyre shtëpive, me ç’rast kanë lënduar 5 punëtorë, të cilët kërkuan ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Mitrovicë, kurse janë lënduar lehtë edhe pesë punëtorë shqiptarë të tjerë. Siç njoftohet nga KMDLNJ-ja, personat e nacionalitetit serb kanë hedhur në drejtim të punëtorëve të nacionalitetit shqiptar një mjet shpërthyes, por nuk ka pasur pasoja...

BOTA SOT
Jo vetëm qytetarë, por edhe udhëheqës komunash nga pjesë të ndryshme të Kosovës që do të preken nga decentralizimi, nuk kanë “simpati” të madhe për procesin e decentralizimit që ndodh në Kosovën e pavarur. Qytetarët mendojnë se po bëhet më shumë një decentralizim me prapavijë politike, sesa një afërsi e shërbimeve për qytetarët e të gjitha komuniteteve... Skënder Zogaj, këshilltar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, tha për gazetën “Bota sot” se procesi i decentralizimit po bëhet sipas planit dhe ka për qëllim reformën lokale. Normalisht mund të ketë edhe interpretime tjera dhe proces implementimi tjetër në lokalitetet serbe, sepse serbët në këto mjedise do të kenë rol më të theksuar, sepse janë shumicë në ato komuna...

EPOKA E RE
“Ka propozime të disa degëve këtu në Prishtinë edhe për një mandat të ardhshëm. Kjo çështje do t’i mbetet Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Në qoftë se Këshilli propozon emrin tim edhe për një mandat, s’do të kundërshtoj”. Kështu ka thënë në një intervistë për “Epokën e re”, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Ai ka treguar se nuk e pengon fare dalja publike e individëve të tjerë brenda LDK-së për kandidatë për postin e të parit të Prishtinës. “Këtë e shoh si një zhvillim të jetës demokratike. Kështu që është mirë të dalin propozime dhe të ketë sa më tepër kandidatë, jo vetëm nga LDK-ja, por edhe nga partitë e tjera politike, sepse kjo vetëm e forcon garën dhe cilësinë”, ka thënë ai...

KOHA DITORE
Kërkesa e fundit që EULEX-i ka dërguar në adresë të Qeverisë së Kosovës në emër të “lehtësimit të komunikimit” me Serbinë është për doganat. Sikurse në rastin e policisë, ku EULEX-i kërkon të negociojë me Serbinë në emër të luftimit të krimit dhe të nënshkruajë marrëveshje në emër të Kosovë, për doganat ka kërkuar qasje në informacion në emër të monitorimit dhe lehtësimit të tregtisë së lirë, sidomos rastin e shkeljes së marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia dhe Bosnja kundër Kosovës. Burime të gazetës brenda Qeverisë kanë thënë se EULEX-i i ka dërguar Qeverisë një kërkesë për të marrë “izën” e saj për të filluar diskutimet me Serbinë për problemet e Kosovës me Serbinë rreth doganave, pasi ky shtet dhe Bosnja po shkelin marrëveshjen...

LAJM
Veturat me targa të EULEX-it, që ishin të parkuara në parkingun prapa Stadiumit të Prishtinës, janë rrotulluar mbrapsht të martën. Janë përmbysur nga dhjetëra aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, në shenjë pakënaqësie ndaj misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, i cili ka paralajmëruar nënshkrimin e një protokolli bashkëpunimi policor me Serbinë. Këtë aksion e ka dënuar ashpër EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos përfshihen në aktivitete të dhunshme. “Një nga arsyet e këtij aksioni është edhe protokolli, por edhe misioni EULEX”, tha aktivisti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca. Sipas tij, mandati i EULEX-it në Kosovë ka ardhur duke i pranuar tri kushtet e vëna nga Serbia...

INFOPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë edhe një herë se Kosova nuk do të pranojë asnjë dokument që shkruhet në emër të Kosovës, pa Kosovën. Në këtë mënyrë, Sejdiu ka shtuar se edhe protokolli i EULEX-it me Serbinë është i papranueshëm dhe kështu do të mbetet. Presidenti ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë vetëm për interesa të qytetarëve të dy shteteve. Në një konferencë të veçantë për gazetarë, presidenti ka thënë se nuk beson se qytetarët janë të pakënaqur ndaj EULEX-it. Në këtë kontekst ai ka thënë se nuk pret që edhe të ketë protesta masive kundrejt këtij misioni. Sejdiu ka folur edhe për tensionet në veri të Mitrovicës, ku ka bërë thirrje të respektohet ligji dhe secili të ndërtojë në pronën e vet...
XS
SM
MD
LG